Konia e zezë
Qysh e si u zhduk, këtu nyjëtohet çudia. E çuditshme kishte qenë gjithçka tek ai njeri, prej ditës që e prunë aty, bashkë me gruan. Trupmadh si ari, me kryet rrasur ndërmjet shpatullave dhe me sy fort të bukur, të gjerë deri në tëmtha, të shkruar. Leshrat dikur ngjyrë zjarri, tashti të shkimura, ngjyrë hiri. Nuk dihet kush qe më fort përgjegjës për këtë shuarje, pluhuri, përzhitja në diell, bryma e shtresuar në vite, apo të gjitha bashkë? E shoqja qe tjetërgjë.






