Kafja me Jelenën
Babai nga dyqani solli ca kuti kartoni ku shkruante “Biskota çaji” ose “Vaj luledielli”. Na tha t’i mbushnim me gjërat më të nevojshme, sepse nuk do të ketë më shumë vend në bagazh. Me t’i lëshuar kutitë në verandë, u mbështet për murin e shtëpisë dhe ia nguli sytë oborrit. Pastaj dalëngadalë e çonte shikimin përgjatë kores së arrës, drejt kurorës së saj dhe reve plot flluska të qiellit pranveror. Në fund e uli shikimin dhe e la të lundronte pa kontroll drejt fushës në largësi. Kur u lodha së ndjekuri shikimin e tij, kalova te vështrimi i qershisë së xha Lujës, të mbuluar me tufa lulesh aromatike, të gatshme të shndërrohen në fruta të lëngshme e të ëmbla…






