Mario Merxhan
Muzgu i luftës së madhe. Vogëlushja shtatëvjeçare me frymëmarrje të nxituar ecte shtegut të përbaltur pyjor. Flokët e verdha ngjyrë kashte, të lagura nga shiu, i binin përpara dhe ia mbulonin fytyrën e trishtuar në lëvizje. Gjatë gjithë kohës e ndiqnin trungjet e holla të radhitura pa rregull në kolona nga të dyja anët e rrugës. Në dorë mbante një çantë të madhe, ndërsa kishte të veshur rroba të lagura që dukeshin sikur breza të tërë fëmijësh i kishin veshur para saj. Era e furishme vazhdimisht ia përplaste flokët për fytyre, e xhaketa e mbajtur gjithnjë i shpërthekohej. Kohë pas kohe, çanta e stërmbushur i bëhej gjithnjë e më e rëndë andaj vazhdimisht i duhej ta kalonte nga njëra dorë te tjetra. Përkundër këtyre rrethanave, vazhdonte e palëkundur nëpër baltën e pafundme pyjore.
Me të mbërritur te një mur i rënuar i mbuluar me barishte, vogëlushja u ndal për t’i pushuar duart që i digjeshin nga lodhja. Duke u mbështetë për muri, pjesa e poshtme e xhaketës iu zhyt në baltë. E vetmuar, mori frymë thellë, rregulloi xhaketën dhe e çoi çantën që e kishte lëshuar dhe më pas me shikim të trishtë vazhdoi tutje. Rruga trup nëpër pyll nuk ishte e gjatë, por kësaj radhe për shkak të motit të keq udha deri te fshati zgjati më shumë se zakonisht sepse pas çdo të tretit hap vogëlushja zhytej në dheun pothuajse të shndëruar në kënetë. Këmbët i rrëshqitnin, nganjëherë deri te kyçi i këmbës, në cokullat gjysmë të ngrëna me lidhëse gati të zgjidhura. Ndonëse e dinte se e priste ende rrugë e gjatë, nuk zmbrapsej, as nuk i kushtonte rëndësi rigave të shitut, i pengonte vetëm fakti që me shpejtësinë e erës nuk mund të fluturonte deri te caku i saj.
Eci kështu për një kohë, me hapa të rëndë e të lodhshëm, që më pas të merrte një kthesë tjetër, drejt shtegut të dredhur të lëndinës. Atje, disa metra tutje, gjeti trupin e ndrydhur të ushtarit të vdekur. Me moshë që nuk përcaktohej dot, ishte i shtrirë me fytyrë nga toka me baltë të dendur, me gjurmë zinxhirësh të tankeve në shpinë. Trupi i tij i vdekur me ditë të tëra kalbej i zhytur në baltë, mu në mes të rrugës, i copëtuar nga derrat e egër që lirshëm silleshin fshatrave në kërkim të ushqimit. Përveç tij, kishte aty edhe ushtarë të tjerë të vrarë. Të sakatosur sa nuk dalloheshin më, shumica e tyre ishin në fazën e fundit të zhbërjes kështu që fare nuk i ngjanin vetes, gjegjësisht diçkaje që dikur ishte qenie njerëzore. Dukshëm e rraskapitur nga pesha e çantës, vogëlushja duke i shmangë ushtarët me ndrojtje vazhdoi rrugën drejt fshatit.
Derisa me shikim kalonte nëpër zonën e braktisur, vogëlushja tashmë mund të shihte pullazet e shtëpive të cilat nxirrnin krye në mjegullën e agimit. Me të mbërritur te një teposhtë e afërt me kujdes nisi të zbriste buzë kodrës. Gati te hyrja e fshatit, vëmendjen ia tërhoqi zhurma e panjohur nga shtegu i errët pyjor i cili të çonte te fusha nga e cila kishte ardhë. Zhurmën të cilën e vuri re, vogëlushja së pari provoi ta arsyetonte me fishkëllimën e erës apo me goditjet e vogla të rigave të shiut, por po bëhej gjithnjë e më e qartë se bëhej fjalë për dikë i cili po i afrohej dalëngadalë, vjedhurazi. Për ikje më nuk kishte kohë, andaj vendosi të rrinte në vend pa provuar të lëvizte nga aty. Gjatë gjithë kohës zemra i rrihte egërsisht, e në veshë i pulsonte gjaku.
E bërë qull dhe në cokulla të zhytura në baltë, vogëlushja e tmerruar i shikonte dhëmbët gjaketur, kthetrat grabitqare dhe sytë e llahtarshëm që me plogështi shikonin zbrazëtinë. E përhumbur, u takua me ujkun e uritur i cili ia preu udhën drejt fshatit. Heshtjen e kobshme të krijuar vogëlushja papritmas e ndërpreu me thirrjet e saj të dëshpëruara për ndihmë me shpresë se dikush do ta dëgjonte, por të gjitha klithmat e saj ishin të kota. Duke u dridhë zëri i humbej në hukamën e pathyeshme të erës dhe shiut… Ndaj angullimës së ujkut të egër vogëlushja u drodh si e therrur me thikë, e kur egërsira u nis drejt saj, duke u zmbrapsë nisi të mbrohej furishëm. Çantën e saj dëshpërimisht e tundi në drejtim të ujkut duke e goditur drejt e në nofull. Po atë çast, nga çanta e hapur filloi të binte ushqimi. Ndërsa ujku gllabëronte gjithçka që vogëlushja bartte me vete, ajo në mosbesim e shfrytëzoi rastin për të ikë rrufeshëm dhe iu dha vrapit.
Kokëulur dhe duarbosh, vogëlushja me plogështi eci nëpër fshatin e braktisur derisa erdhi te një rrugë me baltë e cila e çonte deri te shtëpia e saj. Pasi e hapi derën e gardhit prej druri, hyri në oborrin përplot drurë të shkapërderdhur për ngrohje. Ndërsa uji nga flokët i shkonte në sy, me shikim kaloi nëpër fidanë të cilat po kalbeshin në shi. Duke u dridhë, e lagur qull deri në palcë, u ndal para derës së hyrjes te pema e kërrusur, mori frymë thellë dhe hyri brenda. Babait, i cili në luftë i kishte humbë të dy sytë dhe e mbante krejt familjen, i duhej treguar se ushqimi, mezi i siguruar me ato pak para që ai i fitonte duke luajtë në harmonikë nëpër panaire dhe ahengje në kafene, kishte humbë përgjithmonë. Trarët e kuzhinës me blozë rrinin kërcënueshëm mbi vogëlueshen derisa shkonte te dhoma e babait me frikë nga reagimi i tij. Me frymëmarrje të vështirë, e shtrëngoi fort dorezën, hapi derën krah me krah dhe marrshëm hyri në dhomën e vogël.
Me flokët e shprishura, buzët me gjak dhe fytyrën qull vogëlushja rrinte pa bërë zë në hijen e qoshkut më të largët të kuzhinës. Aty në mendime shikonte dritaren e mbuluar me perde të vjetra me dantella të cilat ishin përforcuar me gozhda të ndryshkura që nxirrnin krye nga llamperia. Për një kohë e dëgjoi kështu vajin histerik të motrave të saj të shkrirë me zhurmën hipnotizuese të shiut nëpër tjegulla. Aty edhe e përfytyronte nënën e saj të vrarë dhe babain se si, derisa nuk ishte i verbër, duke mbajtë dizgjinët e kalit fisnik e fusnin karrocën në oborrin me rreze dielli dhe se si nga karroca në tavolinë sillnin ëmbëlsira të ndryshme, kek xhinxheri e mijëra vogëlsira të tjera nga panairi.
Përkthim: Qerim Ondozi
Mario Merxhan
Mario Merxhan lindi në Zagreb në vitin 1993. Pas mbarimit të gjimnazit e regjistroi fakultetin juridik në Zagreb ku diplomoi në të drejtën administrative. Është autor i filmave të shkurtër me të cilët mori pjesë në disa festivale dhe revy në Kroaci dhe më gjerë. Filmi i tij i parë është "Udaljeni glasovi" (2016.), ndërsa "Kratki izlet" (2017) është filmi i tij i dytë. "Buđenje u strahu" (2018) është filmi i tij i tretë, dhe njëkohësisht filmi i parë me metrazh të mesëm. Përveç regjisë, shkruan tregime të shkurtra, skenare dhe poezi.
Kontakti: mario.merdzan@gmail.com
ažurirano: 14/02/20