Konkursi i gjashtë rajonal për tregim të shkurtër Biber

Hapet konkursi i gjashtë Biber

 

Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se është hapur konkursi i gjashtë i tregimit të shkurtër Biber. Tregimet e shkurtra mund të dorëzohen nga autorë që shkruajnë në gjuhën shqipe, maqedone, boshnjake, malazeze, kroate ose serbe.

 

Tema e konkursit

Sikurse në konkurset e mëparshme Biber, edhe tema e këtij konkursi është e zgjeruar. Përveç tregimeve të cilat tematizojnë pajtimin në kontekstin e pasojave të luftës dhe të dhunës në vendet e ish-Jugosllavisë, kësaj radhe do të merren parasysh edhe tregimet të cilat mund t’i ndihmojnë mirëkuptimit më të madh ndërmjet njerëzve, zbutjes së urrejtjes dhe kapërcimit të paragjykimeve, pastaj tregimet kundër luftës, tregimet të cilat ballafaqohen me të kaluarën, me kapërcimin e pasqyrimeve të armikut, tregimet për dhembshurinë ndaj tjetrit, tregimet e guximshme të cilat marrin guximin të ecin me këpuca të „armikut“, tregimet të cilat i lëviizin kufijtë dhe na i hapin rrugët për të ndërtuar një të ardhme më të qartë, më të sigurtë e më të lirë për të gjithë.

 

Konkursi mbetet i hapur deri më 26. 05. 2024.

Përzgjedhjen e tregimeve të pranuara do ta bëjë juria e përbërë nga: Tanja Stupar Trifunoviq, Almin Kaplan dhe Jasna Dimitrijeviq. Së paku njëzet punime të përzgjedhura do të botohen në një përmbledhje shumëgjuhëshe.

Autorët/et e tri tregimeve më të mira do të shpërblehen me këto çmime:
1. çmimi i parë 1.100 euro
2. çmimi i dytë 850 euro
3. çmimi i tretë 600 euro

Vendimi i jurisë do të bëhet publik në nëntor 2024.

Konkursin e organizon ekipi Biber me mbështjen e Qendrës për Veprim të Padhunshëm Sarajevë-Beograd.

Na dërgoni punimet tuaja, do t’i lexojmë me kënaqësi,

Ekipi Biber

 


 

Rregullat dhe kushtet e konkursit

 

  1. Aplikimi në konkurs bëhet ekskluzivisht në mënyrë elektronike, nëpërmjet formularit të aplikimit. Kjo siguron anonimitet, derisa tregimet të hapen pasi juria të ketë marrë vendim.
  2. Tregimet duhet t’i përgjigjen temës së konkursit.
  3. Tregimi nuk bën të jetë më i gjatë se 9.000 karakterë (me hapësira).
  4. Tregimi duhet t’i përshtatet formës së tregimit të shkurtë. Format tjera (ese, poezi, dramë, artikuj medialë, etj.) nuk do të merren parasysh.
  5. Tregimi duhet të jetë i shkruar në boshnjakisht, kroatisht, malazezisht, maqedonisht, serbisht dhe shqip (nënkuptohen edhe emërtimet e tjera nga ky grup gjuhësor, p.sh. serbokratisht).
  6. Dokumenti që përmban tregimin duhet të emërtohet sipas titullit të tregimit.
  7. Tregimi duhet të mos ketë qenë i botuar, qoftë ndaras apo si pjesë e një tërësie më të madhe (as në blogë e as në portale).
  8. Tregimi duhet të dërgohet më së voni deri më 26. 5. 2024.
  9. Autoret dhe autorët mund të dërgojnë më së shumti dy tregime të shkurta.
  10. Me pjesëmarrje në konkurs autoret dhe autorët pajtohen që, nëse hyjnë në rrethin e ngushtë, tregimi i tyre të botohet në përmbledhjen Biber.
  11. Tregimet që hyjnë në përmbledhje nuk mund të botohen para daljes nga shtypi të përmbledhjes, pa pëlqimin e ekipit Biber.

 

Nëse tregimi nuk i përmbush kushtet e konkursit, ai do të diskualifikohet.