Lotët dhembin njëjtë
Dhjetor. Një e martë e mbuluar me borë. Qëndroja në udhëkryq te Tregu i Qytetit, e mbështjellë me një shall të thurur, duke e pritur kolegun. Vrimat e hundës më mbusheshin me erë të petullave të skuqura, ndërsa fishkëllima e zorrëve shtohej. I godisja këmbët e mpira njërën me tjetrën për t’i ngrohur. Trupi i ftohur ma nxehte padurimin. E dija se edhe në Golfin e vjetër është ftohtë, por, së paku, nuk do të qëndroj në trotuarin e ngrirë.
Më në fund, vetura me ngjyrë të kaltër të errët u ndal para meje. U përkula për ta parë fytyrën e njohur të kolegut Fatmir, i cili vetëm ma tundi dorën për të hyrë brenda.






