Skica nga jeta e një refugjati
Qëndrojmë mbi një lartësi e cila na jep një pamje të mahnitshme të kodrave përreth dhe luginës që ato e rrethojnë.
“Ai atje është Trebeviqi”, tregon mami me dorë drejt njërit nga malet. Faqet i kemi të rrumbullakëta e të kuqe nga ajri i freskët, duart e futura brenda mëngëve të xhaketave të mëdha. Livadhet rreth nesh janë ende me baltë, nën hijet e pemëve bora bën përpjekjet e fundit për të mbrojtur territorin e vet, derisa luleboret dhe orkidetë nxjerrin kryet plot guxim dhe kumtojnë atë që ne e nuhasim në ajër. Pranverën.






