Aneta Tasevska Petrushevska
Jurumleri, 2019. Në shtëpinë e familjes Ristovski në mëngjes gjithmonë vinte erë e mirë. Nga kuzhina vinin erëra piteje, petullash apo lakrori. Fajtorja për këtë gjë, këtë mëngjes u përball me veprën e saj. Ngjyra e verdhë-e artë i buzëqeshej gruas me faqe të kuqe, nënës së tre fëmijëve. Kollpitja avullohej dhe buzëqeshej. Pasi përfundoi admirimi, e mbuloi me një copë pëlhure, sipër vendosi një tavë më të vogël dhe e nxori në ballkon.
„Vetëm një minutë sa të ftohet, kurse unë ndërkohë do ta shtroj tavolinën.“
Një minutë më vonë, lagjen e cila shtrihej përgjatë hekurudhës, e zgjoi një klithmë e fuqishme femre. Vrapuan të tre fëmijët, burri i saj Venko dhe fqinjët.
„Ç’ndodhi, Nade?“, pyeti fqinja Marica.
Nada rrinte pranë tavolinës në ballkon, e hidhëruar dhe e habitur. Fëmijët ishin në shtëpi, janë të vegjël, do të digjeshin, Venkua ishte në bodrum dhe s’kishte pse të bënte një gjë të tillë, macja nuk mund ta marrë tavën e tërë. Mendonte gjatë, por fajtorin për piten e zhdukur nuk e zbuloi.
„Mëkat për piten, mëkat, por ti gjithsesi nuk na lije ta provojmë“, u tall fqinji Mita, i cili rastësisht kaloi pranë shtëpisë, duke u kthyer me qeset e plota nga tregu.
Kjo nuk ishte e vetmja gjë që u zhduk nga kjo lagje. Atë natë këmisha e fqinjit Mite, të cilën e kishte ndenë në telat jashtë për t’u tharë, thjesht u zhduk, sikur edhe batanija nga oborri i familjes Stamenov, të cilën Marica e kishte nxjerrë për ta shkundur. Nga kafazi i Rades pothuajse çdo ditë mungojnë vezë dhe në fund të javës u zhduk edhe pula, të cilën Nada e ziente në një tenxhere të madhe të mbuluar në sobë që gjendej në ballkon.
„Epo, kam për tët’ zënë“, tha e mllefosur ajo, „pse vetëm te unë të vjedhësh ushqim?! Pse nuk e more këmishën e Venkos. Është e vjetër dhe nuk do të blejë të re.“
Pastaj, në vete shtoi me krenari: „Sepse jam më e zonja dhe gatuaj më së miri” dhe vrapoi te fqinja Dobrinka për një kafe, për t’u lëvduar me konkluzionin e vet.“
Ditët në vijim hulumtonte. „Kafshë nuk është, njeri është, vetëm njeriu mund të bëjë kaq keq. Ushqim dhe rroba, ose i duhet, ose dëshiron të të bëjë dëm“, mendonte derisa shihte fshehurazi nëpër oborre derisa kthehej nga shitorja. Të mos e shihte Miten se si kthehet nga tregu me qese, dyshimi do të binte mbi të.
„Është shakaxhi, por edhe shumë dorështrënguar. Asgjë nuk u huazon fqinjëve dhe, nga ana tjetër, i pëlqen të vijë për një gotë raki te Venkua im.“
Pastaj e vërejti se lulja mëllagë e kuqe, e cila javën e kaluar ra nga ballkoni dhe u thye saksia, ka qenë e mbjellë në një tjetër, të cilën nuk e njihte. Për veprën e mirë iu falënderua bashkëshortit derisa ai shihte lajmet dhe prandaj vetëm murmuriti diçka dhe e ktheu kokën drejt televizorit.
Pas disa ditëve, përsëri u dëgjua një klithmë femre në lagje. Tani Marica e akuzoi Naden se ia ka vjedhur saksinë. Për ta qetësuar dhe për ta marrë në pyetje, Nada e ftoi në kafe dhe një copë torte, por, përveç faktit se Marica atë saksi e ka hedhur në grumbullin me mbeturina në oborr, nuk arriti të marrë vesh asgjë tjetër. Të njëjtën ditë Radeja u lëvdua se ka gjetur dhjetë euro të hedhura në kafazin e tij të pulave. Kjo gjë edhe më shumë e hidhëroi Naden.
„Atij dhjetë euro për dhjetë vezë, mua saksi të vjedhur për kollpite dhe pulë. E padrejtë. Kushdo qoftë, nuk e çmon mundin tim“, ankohej ajo.
Një natë, në bodrumin e fqinjit Novica u gjet një vjedhës. U mblodh e tërë mëhalla për ta parë. Një djalë i ri me lëkurë të errët, me sytë e përlotur, ishte mbledhur kruspull në batanijen e familjes Stamenov. E thirrën djalin më të vjetër të Nades për të përkthyer, sepse ai fliste diçka, por ky e zbuloi se vjedhësi flet frëngjisht.
„Që nesër edhe këtë gjuhë do ta mësosh“, i tha e ëma e dëshpëruar.
Vendosën ta linin në bodrum derisa të zbulonin se kush ishte ky djalë i ri. Në mëngjes e sollën mësuesen e shkollës së afërt dhe ajo u tregoi një rrëfim të pabesueshëm për studentin i cili është duke ikur, me shpresë se do ta shpëtonte jetën e vet dhe do ta gjente motrën, e cila gjithashtu kishte ikur nga furtuna e luftës.
„Epo, këtu për jetë duhet shumë punë, djalo“, i tha Risteja studentit, „por, nëse do, rri. Fillon korrja verore, do të na duhet ndihmë. Si shpërblim do të kesh krevatin dhe rrogën.“
Pastaj hynë në ngatërresë fqinjët se kush do ta marrë dhe t’i ndihmojë këtij të riu, pasi jeta mes plumbave dhe rrënimeve nuk e kishte kursyer.
„Do të rrijë te ne“, e ndërpreu Nada, ndërsa mësuesja përkthente, por, mysafiri i paftuar me mirësjellje iu falënderua dhe i tregoi qëllimet e veta. Planifikonte ta vazhdonte udhëtimin e vet. Kishte një ankth në shpirt derisa ta zbardhte fatin e motrës së vet. Vetëm ajo i kishte mbetur.
Siç u shfaq, ashtu edhe u zhduk për dy ditë. Përsëri u zhduk pitja e Nades, por në tavolinën e ballkonit kishte lule pranverore.
„Askush nuk e di se ku na çon udha, sot unë jam këtu, nesër mund të jemi si ai, djalë i ri në duart e fatit.“
Askush nuk e dinte se çdo mëngjes, derisa nuk shkoi i paftuari, i mirëseardhuri, mysafiri i fshatit nga një vend i largët, Nada zgjohej pak më herët se zakonisht dhe gatuante dy kollpite, linte një thërrime mirësi të fshehur mes dy tavave në ballkon.
Përkthim: Kreshnik Ajdini
Aneta Tasevska Petrushevska
Aneta Tasevska Petrushevska lindi në vitin 1983 në Shkup. Fëmijërinë e kaloi në vendlindjen Sopisht, vend ky i cili përgjithmonë do të mbetet frymëzimi i saj më i madh. Shkollën e mesme e kryeu në SHM „Vllado Tasevski“, drejtimi – teknik për komunikacionin PTT, ndërsa diplomoi në Fakultetin Elektroteknik në Universitetin „Sh. Cirili dhe Metodi“ – Shkup, si inxhiniere e elektroteknikës dhe teknologjive informatike. Sot punon si inxhiniere. Shkruan poezi dhe prozë. Libri i adhuruar i saj është "Mali i pestë" nga Paolo Kuelo.
ažurirano: 04/02/20