Tamara Kovaçeviq

 

Është e martë, ora nëntë e njëzet minuta në mëngjes. Prapë po vonohet, mendoi Goranka dhe i kryqëzoi këmbët në çesterfild. Kurrë nuk leshohej në detaje se pse treulësja quhej ashtu – shikuar në përgjithësi, ajo rrallëherë lëshohej në detaje për çfarëdolloj pune që lidhej me botën e saj, thjesht s’jam person i tillë, që të analizoj qysh e tek, është ashtu siç është, ua shpjegonte të interesuarve – por dinte ta nuhaste atë kualitet menjëherë me të hyrë në sallonin e mobiljeve. Përpara divanit qëndronte tryeza prej mogani, sipas gabaritit të saj i dedikohej familjes shumanëtarëshe e cila aty ha kafjallin, i pushon këmbët, punon, përndjek rrotull kafshën shtëpiake, i bën detyrat e shtëpisë dhe i shfleton revistat dhe në mbrëmbje mbi të i shtrin tabelat për lojë, qumështin për natë të mirë dhe gotat e verës. Ishte kjo edhe një nga kualitetet në jetën e Gorankës të cilat ajo i merrte vesh, por nuk i shtjellonte tutje, megjithëse një filxhan dhe një tabëll për kafe nga porcelani kinez në tryezë dukeshin vetëm si gabim. Nuk e kam pse vonohet, pluhuri nuk do të ikë, por se nuk mund të planifikoj asgjë, ma merr kështu gjithë ditën, ankohej Goranka duke mbajtur filxhanin dhe tabllën nëpër qilimin me thekë, parketin e lëmuar prej lisi dhe skajoret dekorative prej alumini deri te pllakat bardhë e zi në kuzhinë.

E martja rëndom niste me Jadrankën. Ajo vinte ca minuta para orës nëntë, e varte bluzën dhe çantën në parmak dhe në pultin e kuzhinës e lëshonte qesen me tapicerinë e punës dhe ua bënte nga një kafe turke. Jadrankës, faktikisht, i pëlqente më shumë ta niste punën në orën tetë, sepse në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës gjashtë e gjysmë-shtatë, autobusi periferik kalonte çdo pesëmbëdhjetë minuta dhe nuk detyrohej të nxitonte dhe të brengosej se çka do të ndodhë nëse vonohet. Pjesa e dytë e rrugës, disa ndalesa nëpër linjën rrethore numër 3 dhe një copë tjetër në këmbë, për të nuk paraqiste problem, mund ta planifikonte çdo minutë. Por për Gorankën ishte shumë herët, nuk i kam më ato vite, arsyetohej, edhe unë meritoj pushim, dhe merreshin vesh që Jadranka të fillonte në nëntë. Ose nëntë e katërdhjetë, si sot, sepse autobusët e mëngjesit të vonshëm kalojnë nga periferia çdo katërdhjetë minuta.

Më në fund!, bërtiti Goranka dhe e shtypi sustën në interfon, duke shikuar paraprakisht në ekran se a ishte vërtet Jadranka para derës së hyrjes në ndërtesë apo tjetërkush. Këtë e kishte bërë shprehi tash e një kohë, kur shpesh e vërente ndonjë burrë që qëndronte para hyrjes dhe vështronte, ose persona me rroba zyrtare që bëjnë pyetje rreth ndërtesës dhe veturave në parking. Në fillim mendonte se po i dukej, por pas një kohe edhe fëmijët e saj, djali dhe vajza që me familjet e tyre jetonin në pjesë të tjera të qytetit e vërejtën të njëjtën gjë. Edhe atyre u ndodhte e njëjta gjë. Shyqyr Zotit edhe kjo u zgjidh, thoshte me zë Goranka dhe tundte dorën në ajër. Tash e la pak hapur derën e banesës dhe shkoi ta marrë listën e gjërave për Jadrankën. Mirëdita, zonjë, më falni, më iku autobusi!, shushuriti Jadranka me urën ballore të dhëmbëve të punuar keq dhe me qesen me tapiceri pune. E pse s’e forcojnë atë linjë, a e dini ju se sa njerëz punojnë në qytet, vërtet s’ka kuptim, por nejse, tash do të…, nxitimthi Jadranka përgatitej dhe me shikim kontrollonte gjendjen. Banesa ishte e pastër dhe e rregulluar, si gjithmonë. Qe shtatë vjet punonte te Goranka dhe ishte e kënaqur. Ia ula pak çmimin, zakonisht marr më shumë, por nuk më nguc, pse ta prish…, u shpjegonte komshikeve dhe atyre që i njihte nga pazari, e ato vetëm tundnin kokën në shenjë pohimi. Secila kishte pasur të paktën një përballe me sjellje të dhunshme njerësish që kërkojnë ndihmë rreth shtëpisë. Dhe secila e dinte se paratë, pasi mbyllej dera, nuk ndihmojnë.

Shiko, ta kam bërë mbrëmë listën, por s’do të mbërrish dritaret dhe perdet. Hajde, lëre për të marten që vjen, e sot pastroje shporetin dhe ballkonin. Për Gorankën ishte absolutisht e natyrshme t’u drejtohej grave me ti, që kur e kishte Zuzën, sllovaken nga Padina, emrin e së cilës e kishte dëgjuar së paku disa herë në vit por kur nuk e kishte mbajtur mend. Me siguri Zuzana, i binte ndërmend më vonë ndonjë emër sllovak. Eh, kur e kujtoj, sa shumë gjëra i shkonin për dore, çfarë hekurosje, oh krejt shtëpinë do t’ia kisha lënë. Zuza kishte punuar te Goranka për njëzet vjet të plota. Kur e lajmëroi në telefon për t’i thënë se nuk mund të vinte më, Gorankën e shtrëngoi diçka në fyt dhe i shkoi në stomak, nganjëherë i duket se ende e ka aty. Megjithatë, nuk tha asgjë, as nuk provoi ta bindte të vazhdonte të vinte. Iu ofrua t’i shkruante një rekomandim, e kjo sigurisht çonte peshë në rrethe më të kamura qytetare, por ajo nuk deshi. Është kështu siç është, komentoi Goranka. Se kjo ishte hera e parë që dikush atë, Gorankën, gruan e politikanit të suksesshëm dhe kriminelit të dënuar të luftës, po e fshinte nga jeta dhe po e refuzonte komunikimin e mëtejmë, dhe krejt kjo për shkak të tij. Më vonë, shumë herë do të mendonte se ç’lidhje ka puna e burrit të saj me të, dhe gjithnjë e më shumë do të largohet nga ai dhe nga detajet e jetës së tij. E detaje do të kishte shumë. Detajet do ta përndiqnin nëpër korridore, nëpër dyqane, do ta përshëndesnin nga televizioni, nga gazetat, nga radioja e nga grafitet e rrugës. Pradaj Goranka e pajtoi idenë e saj për veten si një zonjë e respektuar me atë shtrëngim në stomak që kërkonte njëfarë turpi dhe donte të ulërinte me gjithë zërin dhe gjithandej, dhe asisoji që Jadrankës i drejtohej me ti.

Oj zonjë, nëse duhet, i laj edhe dritaret por kanë lajmëruar se do të ketë shi, është dëm, thanë, kur të kalojë kjo maji do të jetë i bukur, më mirë tash ballkonin, të mund të rrini aty, propozonte Jadranka duke i vendosur rrobat në kosh të cilin do ta linte në lavanderi derisa ta pastronte pluhurin dhe dyshemenë, t’i hekuroste rrobat dhe t’i vendoste në fiokat gjegjëse dhe raftet e dollapit amerikan. As dy vjet më e re se Goranka, që kur me të shoqin dhe dy djemtë më të mëdhenj në rimorkion e traktorit, me dy më të vegjël në stomak, u largua nga vendlindja, tash edhe gjyshe e shtatë nipërve, Jadranka ka mësuar moti se grave të qytetit më mirë është t’u drejtohesh me ju. Kur iu kujtua se Goranka e kishte përmendur njëfarë liste, nxori syzet për lexim nga çanta dhe i la në banakun e kuzhinës. Në atë çast vuri re pak myk në sallam, shkoi në shpajz për të marrë limuntus. Këtë tërthorazi e kishte mësuar nga një sllovake, e cila anëtarët e familjes i kishte mësuar me shumë mënyra të thjeshta se si ta ruanin shkëlqimin e pajisjeve pa gërvishtje e fërkime. Kur Jadranka filloi të punonte atje, dorën në zemër, pasi nuk mund të prisnin më për të gjetur një grua më të mirë, ajo vuri re se ndihma rreth punëve të shtëpisë mund të bëhej më mençur dhe më praktikisht. Menjëherë shkoi në shtëpinë e shëndetit dhe kërkoi mjekun për t’ia kontrolluar sytë. Tash e sa kohë nuk i vërente dot njollat e ujit dhe udhëzimet për përdorimin e kimikateve të shkruara me shkronja të vogla. Tash e kuptoi se kjo ishte më se e rëndësishme, se kjo ishte rruga drejt shtëpive më fine dhe mëditjeve më të mëdha. Duke mos pasur kohë të priste që shtëpia e shëndetit të hapte konkurs për një oftalmolog të ri, për të cilin as që pritej të pranonte të punonte për një pagë të ulët në një periferi proletare, Jadranka shkoi në optikën e parë që ofronte kontrolle falas dhe zbritje për blerjen e syzeve të para. Ishte pesëdhjetë vjeçe në atë kohë. Sot është para pensionit me të cilin do të vazhdojë të punojë.

Goranka edhe një herë kontrolloi se i kishte larguar fotot familjare në kornizë nga komoda në dhomën e ditës dhe dhomën e gjumit, se kishte vendosur rroba të reja në lavatriçe dhe u nis drejt kuzhinës për të kontrolluar gjendjen e frigoriferit, kur i vuri re syzet e Jadrankës. Me kornizë të hollë ngjyrë ari, i cili vende-vende tregonte se përfundi ishte plastika e zezë, me pluhurin e rrënjosur poshtë mbulesave plastike në skaje, me vrima për zirkone plastike në anuen e majtë dhe të djathtë të cilat ndoshta nuk ishin aty kur ishin blerë, të ngjitura me ngjitës në vendin ku duhej të ishte vidha e vocërr, syzet tregonin qartë se sa gjatë i kishte mbajtur Jadranka. Gorankës i doli zëri, ta pyeste se pse nuk po merrte të reja, a është e mundur se nuk ka mjaft para, këto janë gjëra bazike, çka po i bën burri, fëmijët, nipat e mbesat, pra ajo nuk po sheh, kush e di se çka dhe si po pastron. Në vend të kësaj, Goranka tha, Jadranka, lëre atë, hajde të pimë kafe.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Tamara Kovaçeviq

Tamara Kovaçeviq lindi në Beograd në vitin 1976. Shkruan tregime të shkurtra dhe ndonjë poezi.
Kontakti: https://tamarrako.com/

 

 

ažurirano: 19/03/25