Sllobodanka Boba Gjuderija
– A jeni vaksinuar?
– Po – u përgjigja, papritmas e përshkuar me ndjenjë faji.
– Sa herë?
Isha aq e papërgatitur për këtë saqë iu përgjigja automatikisht, nënshtrueshëm.
– Dy.
– Dy herë?
– Po.
– E pse nuk e morët të tretën?
Nisa të kërkoj në ethe përgjigjen që do të mund të ishte e saktë. Unë s’e di as pse jam vaksinuar, e lëre më pse jo. Tekefundit, ai është mjeshtër. Elektricist. Çkado që nxjerr nga goja, nuk është se do t’ma refuzojë shërbimin? Erdhi me rekomandimin e një miku tim të ngushtë.
– E sheh, shumë njeri i mirë dhe i ndershëm sa s’ka. Nuk të merr shumë, ta garantoj – Marko e përshkruante me shumë zell – ustallarë të tillë më nuk gjen, besomë!
I besoja edhe tash, me intuitën e një të pashprese së cilës nuk i funksionon gjysma e dritave në banesë, provoj të gjej përgjigjen të cilën Ustanë nuk do ta zmbrapsë nga vendosja e rendit në sistemin tim kaotik të elektroinstalimit.
Vendosa të jem e sinqertë.
– Nuk e di, në fakt, pse nuk e kam marrë të tretën. Nuk më kujtohet. Ndoshta në atë moment kam menduar se nuk më duhet më. Koronën gjithsesi e kam pasur dhe e kam kaluar. Si çdo kroat i ndershëm – shtova kot së koti duke provuar, si zakoinsht, ta amortizoj situatën e sikletshme me humor. Humori gjithmonë ka qenë miku im më i mirë imagjinar.
Ai ndërhynte sa herë që qe nevoja. Nganjëherë edhe pa nevojë.
Më vështroi. Dreqi e marrtë, po ndihem sikur dikush tash po vendos për fatin tim të mjerë e të mbrapshtë.
Si erdhëm deri te ky dialog absurd? Kur erdhi, ia tregova banesën gjendja e së cilës që në shikim të parë tregonte thuajse gjithçka të rëndësishme për mua – jeton vetëm, nuk ka shumë para dhe ka dy duar të majta.
Ecte para meje duke vështruar nga të gjitha anët si inspektor i Shëndetit dhe Sigurisë në Punë, herë-herë duke u përkulur të mos përplasej për kornizat e dyerve. Gjithë kohën me një laps gjysmë të harxhuar në një fletore të vogël shkruante atë që rëndom mjeshtrit me lapsa të vjetër shkruajnë nëpër fletore të vogla. Ai laps dhe ajo fletore më dhanë vullnet. Një njeri i cili me një laps druri shkruan gjëra në një fletore të vogël thjesht nuk mund të jetë i keq. As i shtrenjtë, shtoi në kokën time ajo pjesë e trurit tim e ngarkuar me matematikë dhe buxhet shtëpiak. Thërrime hesapi.
Me frikën e dikujt që i ka dy duar të majta dhe kurrfarë inteligjence teknike e ndiqja pas shpine duke iu lutur të gjithë zotave në të cilët nuk besoj, e nuk besoj në asnjërin, pra janë shumë dhe do të duhej të më ndihmonin, që Mjeshtri ta vlerësojë situatën në favorin tim. Para tij tashmë dy ustallarë më kishin refuzuar. Nuk kanë leverdi, thoshin. Të më rrjepin nuk munden edhe po deshën, vetëm lëkurën mund të ma rrjepin, e në moshën time nuk është se të kapen fort për lëkure.
Si u gjendëm papritmas në tavolinë nga ajo situatë e tillë, e pafajshme, unë në cilësinë e të paditurit dhe dyshuarit, e ai në cilësinë e vetes? Më duket se filloi me një “A t’ju qes një kafe?” të shpejtë. Doja ta disponoja, kurrë s’i dihet.
E pranoi kafen, e unë, duke dashur të bëj small talk, ah, ia përmenda telashet e vogla shëndetësore për shkak të të cilave mjekja ime më tha të bëj kontroll sistematik. E pse nuk shkova me temën e motit? Eh, nga kontrolli sistematik deri te pyetja e vaksinimit është rrugë e shkurtër, e ai bëri hapin me vendosmëri.
“Nuk mendoja se më duhej vaksina e tretë” e imja i shërbeu si dërrasë kërcimi. Po çfarë dërrase, trampolinë. Kërceu dhe biseda jonë u hodh në lartësi të paparashikuara të antivaksinimit.
U desh përafërsisht gjashtë minuta të small talkut që të dytë të vetëdijësohemi se po pimë kafe me armikun natyror. E rrufiti kafen dhe tha:
– Sistematik, a? Tash ju shpjegoj unë se çfarë mashtrimi është mjekësia zyrtare. Dhe plus do t’ju jap ca këshilla të mira se si t’i shmangni marifetllëqet e tyre.
Dhe me kostën e të vazhduarit të jetës në terrin e përjetshëm të mosdijes rreth mjekësisë zyrtare dhe në terrin e instalimeve të pandrequra elektrike, ngrita dorën.
– Jo, jo. Mos u zemëroni, por vërtet s’mund t’i dëgjoj më këto gjëra. Përndryshe, këshillat i çmoj vetëm kur i kërkoj.
E frikësova veten time me tonin tim autoritar i cili në fakt nuk më shkon shumë për dore. E dominova veten, do të thoshte rinia sot. Menjëherë më erdhi keq. Dreqi e marrtë! Tash fillon grindja, pastaj ai largohet dhe tungjatjeta të gjitha ndreqjeve! Të kishte filluar së paku me punët, dhe pastaj me bisedën. Kështu, në fillim ishte Fjala, e më pas unë mbeta pa Dritë.
Uli kokën, iu nguli sytë filxhanit para vetes. U kollit paksa. E ndjeva se si po më tendoseshi të gjithë muskujt në trup. O Zot, kur të nisë tash të më bindë, duke shpërfillë krejtësisht kërkesën time për të më kursyer prej atyre temave. Tash m’i jap ai ca vaksina. Dhe nisi të flasë.
– Kërkoj falje, keni të drejtë. Nuk është dashur ta nis këtë bisedë. Edhe një herë kërkoj falje. Por, t’i kthehemi punës. Tash jua bëj listën, pak a shumë, të shpenzimeve për materiale dhe punë dore.
Muskujt e mi të tendosur defanzivë u hutuan dhe përnjëherë u shfrynë. As që arrita të befasohem deri në fund, ai vazhdoi dhe ma tregoi shifrën.
S’ia hiqja dot sytë.
– Shikoni, Usta, kjo shumë është joreale. Me to s’mund t’i mbuloni as shpenzimet e udhëtimit!
Diçka kishte ngatërruar.
– Më kuptoni, nuk dëgjova çka thatë?
– Po them – vazhdoi me zë të qetë – se feja ma ndalon t’i rrjep njerëzit.
Ia plasa gazit. Qenka edhe i hareshëm, shih ti! Feja ma ndalon – në rrethin ku unë sillem kjo gjithmonë nënkupton hajgare. Më shikoi seriozisht.
– Nuk po bëj hajgare.
Prapë s’ia hiqja sytë.
– Hajde, më falni, seriozisht, nuk desha të bëj hajgare. Unë, unë e respektoj secilin! – ia ktheva në panik, e vetëdijshme se tash po tingëlloj sikur ata nëpër rrjete sociale që fjalinë e nisnin me “Unë e respektoj secilin…”, dhe pastaj vazhdonin me “Por”. Unë së paku nuk e kisha atë “por”, e ngushëlloja veten. Apo së paku mendoja se nuk e kisha.
– Pra, ju qenkeni besimtar? – me tonin sikur po i thosha: “Pra, ju po u shisni fëmijëve heroin para shkollave fillore?”
– Po. Besimtar, kroat dhe katolik. Unë dhe të gjithë të mitë.
E pse po m’i thotë tash këto? Ndoshta intuita e tij kroate ia bëri me dije se nuk jam vetëm vaksere, e që është mjaft keq, por edhe produkt i martesës së përzier. Prit, prit. Edhe ne kemi nacionalitet për t’u shtyrë.
– Unë jam ateiste nga martesa e përzier dhe gjatë kohës së luftës ushtarët kroatë na dëbuan nga banesa. Na thanë se Kroacia nuk ishte vendi ynë, prandaj as banesa nuk mund të ishte jona.
Heshti.
– E kam fjalën, sa i përket banesës – vazhdova – nëse unë jam gjysmë-gjysmë, nëse ana serbe e familjes sime nuk e kishte të drejtën e asaj banese, ana kroate mbase po. Andaj, do të ishte e ndershme të na e rrëmbenin vetëm gjysmën e banesës.
Më shikoi.
– Ju bëni hajgare me gjithçka, a? – tha.
– Eh, ç’të bëj. Dikush pi, dikush drogohet, unë bëj hajgare. Duhet mbijetuar.
– Më vjen keq, më vjen keq që i paskeni kalu këto – tha qetë – Më vjen marre. Unë nuk jam prej atyre që menjëherë nis e thotë: “Nuk kanë qenë ushtarë kroatë”. Kanë qenë, kanë qenë. E di unë. Dhe kjo duhet tretë. Dhe pranu. Lufta, çka kam kalu e çka kam pa… Të mive ua kanë djegur krejt, atje në fshat. Krejt i ka marrë flaka.
U ngrit papritmas, eci nëpër kuzhinë dhe mezi heshturazi tha:
– Unë kam qenë në fund të pusit.
Prisja, gjysmë e tmerruar. Nuk isha e sigurtë nëse doja të dëgjoja për atë pus.
– Unë kam qenë në fund të pusit. Dhe po të mos ishte prifti dhe feja, ne sot nuk do të bënim llaf.
Ma ktheu shpinën dhe me një lëvizje të shpejtë i fshiu sytë. Oh, nëna ime. Ç’është kjo tash.
Humori im menjëherë detektoi një situatë të rëndë dhe mendova – të mos ishte antivakser, kroat dhe besimtar, tash do ta kisha përqafuar. Pak u desh t’ia thosha edhe këto. Për fat të mirë, u ndala me kohë.
– Deshta me ju thënë, nuk është çdo atdhetar ustash.
– Unë as që mendoj ashtu – shtova shpejt. Ndoshta pak me nguti. Përnjëherë m’u shfaq nevojë e madhe për t’i treguar se ne “nga ana tjetër” nuk jemi njerëz të këqij.
– Dhe nuk është çdp besimtar i marrë dhe fanatik.
– E di, e di, kurrë nuk kam menduar se…
– Vetëm se te ne e majta dhe e djathta urrehen dhe shikohen si armiq – shtoi.
– E vërtetë – mezi e prita – Por, unë nuk jam e tillë. Për mua nuk është më e rëndësishmja që dikush të jetë “yni”. Por, që të jetë njeri. Qoftë edhe nga ana tjetër, më kuptoni ku po du me dalë?
– Ju kuptoj, ju kuptoj – tundte kokën.
U shikuam në sy dhe mendova se si ai dhe unë në ndonjë kontekst tjetër, në ndonjë vend tjetër, ndoshta do të ishim miq shumë të ngushtë. Të ishim takuar, ta zëmë, para se të caktohej kismeti ynë ballkanik dhe koronik. Ndoshta edhe atëherë do të ishim në anë të kundërta, sepse anët gjithmonë dhe gjithandej ekzistojnë, por përkundër tyre do të mund të ishim miq. Mirë, po idealizoj. Por ja, ndoshta nuk do të shiheshim si armiq. Sa e mrekullueshme do të ishte kjo. Le të jetë krejt kjo botë…
– Ju jeni njeri i mirë – më tërhoqi nga përhumbjet e mia zëri i tij përnjëherë tejet i butë.
– Ju falemnderit – iu përgjigja e lumtur, dhe e hutuar.
– Sa u përket punimeve, ju përshtatet pasnesër në mëngjes?
– Patjetër – u përgjigja.
Kisha nevojë t’i thosha edhe diçka, t’i shpjegoja shumë gjëra, e nuk i thashë asgjë përpos, edhe një herë:
– Ju faleminderit. Dhe për çmim, e di se keni mundur të ma kërkoni dyfishin.
U ndal dhe pa më shikuar, duke hapur dyert e veturës së tij, shtoi:
– Të mos ishit jobesimtare, vaksere dhe vetëm gjysmëkroate, do të kishit paguar edhe më pak.
Përkthim: Qerim Ondozi
Sllobodanka Boba Gjuderija
Lindi më 2.11.1963 në Shibenik, në Ditën e Çlirimit të Shibenikut. Nga viti 1965 jeton në Split. Fillimet e saj të para letrare publike ishin në blogun e Marchelinit dhe në Slobodna Dalmacija, ku botoi vepra humoristike në shtojcën Pomet, me redaktor Ćića Senjanović. Ajo shkroi kolumne për portalet dhe mediat e shkruara në Kroaci, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë. Autore e disa përmbledhjeve me tregime të shkurtra, dy përmbledhjeve me poezi dhe një romani. Ajo është anëtare e Shoqatës Kroate të Shkrimtarëve.
Kontakti: Patreon https://www.patreon.com/c/Bobaduderija
ažurirano: 03/03/25