Tamara Kovaçeviq
I
Gjysh, të gjeta në gjykimin në Ovçara, gjatë përgatitej për këtë bisedë duke i lexuar procesverbalet e dëshmive nën betim, raportet e vëzhguesve dhe gazetarëve nga gjykimi përpara Dhomës për Krime të Luftës në Beograd, nga gjykimi i përsëritur në Beograd, nga gjykimi para Tribunalit Ndërkombëtare për Krime të Luftës në Hagë.
Lëri këto, oj mace, më mirë merr ha, gjyshi kur ishte fëmijë kishte një mace e cila gjithmonë ishte e gërvishur, e kafshuar dhe po aq e ashpër. Sipas kësaj ai kishte ardhë në përfundim se duhet të ishte maçok, kurrsesi mace. Më vonë, të rinjve u thoshte mace apo maçok.
Mirë, mirë, po ha. Por, dua të t’pyes…
Ama, u krye muhabeti, u ul në kolltuk dhe ia ngriti volumin televizorit.
II
Gjysh, kam lexu diçka dhe dua të t’pyes për mendim. Hyrje neutrale, thirrje anës tjetër për t’u përfshirë.
Hajde, ha drekë, gjyshi vetëm për ty e ka bërë pilafin, e shtyu edhe më pak tepsinë drejt saj. Kur gjyshja ndërroi jetë vitin që shkoi, pa kurrfarë vështirësie e mori përsipër kuzhinën e saj. I gjindshëm e i shkathët, tash e një kohë në pension, thuajse një ditë pas vdekjes së saj konstatoi se kush mungon, pa të bën dhe u nis të blejë harxh. Sërish, jetoi ashtu siç ajo ua kishte organizuar jetën. Gjërat në banesë ishin në vendin e vet, hante mëngjes, bënte drekën në të njëjtën kohë, shkonte në të njëjtin dyqan, lulet i ujiste nga e njëjta kovë. Me siguri kjo gjë përsoset në ushtri, këmbëngulja që rutina të bëhet qasje ndaj jetës.
Gjysh, i kam lexu procesverbalet nga gjykimi për krimin në Ovçara. Pse të gjithë heshtim për këtë?
Lëri ato, oj mace, moti ka qenë ajo, vazhdoi të shëtis nga tavolina te kuzhina. E ku e nxore këtë? Kundërpyetja e luhat fokusin, mund të nxirret edhe ndonjë informacion shtesë.
I kam futë të dhënat e të gjithë kushërinjve në databazën e Tribunalit të Hagës, kanë dalë dokumentet ku përmendet emri yt. Pastaj i kam gjetë procesverbalet nga gjykimi në Beograd. Vetëm fakte të pastra, të vërtetuara, përndryshe do ikte.
Ç’thua, ku i ke gjetë? E shikoi shtrembër dhe i mbylli sytë ashtu siç bëjnë njerëzit kur duan të dëgjojnë më mirë, ashtu siç bashkëbiseduesi gabon diku dhe provojnë ta përmirësojnë.
Ja këtu, procesverbali nga dëshmia jote e dytë. Me vendosmëri e nxori telefonin nga çanta dhe ia tregoi me gisht pjesët me emrin e tij.
E kisha detyrim, e kisha obligim. E ty ç’të intereson?
Më intereson të bisedojmë. S’kam me kë të bisedoj për këtë, e, veç kësaj, më kë tjetër të bisedoj nëse jo me ty! Toni i ngritur, shenjë e dobësisë.
Nëse nuk merr vesh, unë s’kam si të t’ndihmoj. Erdhi në përfundim se kishte ngrënë mjaft dhe e çoi enën në lavaman.
III
Gjysh qiti syzet, dua të të tregoj diçka, ia afroi telefonin me tekst në qirilicë. Me shkronja të mëdha shihej emri dhe mbiemri i tij, e në vazhdim shkonte përgjigjja e ndonjë pyetjeje të kryetarit të trupit gjykues. I kam lexu krejt, nuk po të gjykoj, thjesht dua të bisedojmë.
E ku mund t’më gjykosh ti mua? Dje erdhe në botë! Mora urdhër dhe shkova atje ku më thanë.
Thjesht po them, dua të bisedojmë, jo për ty atëherë, çka ke bë, ku ke shkru, ato i kam lexu krejt, krejt çka ke thënë, disa herë, por dua të bisedojmë për sot. A të duket ty normale që në familje veç përgojohet, flitet për festa e zgjedhje, rroga e vogël, kur do të martohet kush, ta sjell gëzimin, ç’u duhet gëzimi kur nuk po e shohin tmerrin! Shumë gjatë e zhvilloi këtë monolog të brendshëm, matej, nxirrte përfundime në vete, tani i humbte durimi për një bashkëbisedues të njëmendtë.
Mace, lëre këtë punë, nuk ka kjo lidhje me ty, me zë të ëmbël ia tregonte vendin.
Si s’ka lidhje, a i ke lexu gazetat, duan ta bëjnë të detyrueshëm shërbimin ushtarak edhe për gra, e lëvdonte veten për këtë paralele të bukur.
Lëre atë muhabet, gazetat shkruajnë gjithçka, mbylli dhe hapi sytë duke parë se rrëshqiti. Shprehja e fytyrës e pandryshuar.
Mirë bre gjysh, nëse unë i kam gjetë procesverbalet dhe artikujt në gazeta të para dhjetë-njëzet vitesh, sigurisht edhe dikush tjetër i ka lexu. Po edhe ti ke thënë se për krimin ke dëgju nga gazetat. Si ka mundësi që krejt janë të lexuar, të informuar, e askush as gojën s’e hap?
Më 20 nëntor 1991 në pronën bujqësore „Ovçara” te Vukovari pjesëtarët e Mbrojtjes Territoriale lokale dhe vullnetarët serbë nën komandën e Armatës Popullore të Jugosllavisë torturuan dhe vranë së paku dyqind civilë kroatë dhe robër lufte.
E kupton, thuajse vetëm unë e di se ti ke qenë atje, se kjo ka ndodhë, vetëm gjyshi im ka qenë në luftë dhe kaq!
Çka kërkon prej meje, ç’të t’them? Dukej sikur filloi të lëshonte pe. Apo donte ta kuptonte qëllimin e saj përfundimtar dhe edhe më shpejt t’i jepte fund muhabetit.
Nuk dua asgjë, dua të bisedojmë. Të mos ma ndalosh të pyes, të mos ma kthesh me hidhërim sa herë që flas, i dukej se më parë kishte pasur shumë më shumë pyetje, shumë më shumë përfundime. Tani, kuptimi po humbte. Rrinte përballë gjyshit, në atë kohë gati pensionist i cili nga hangari në Ovçara nxori katër burra. Ua shpëtoi jetën dhe i çoi në burgun ushtarak të luftës.
Po, kam dëshmu. Dhe atje kam thënë gjithçka që kam pasë. Nuk më ka hije të shkoj rrotull dhe të flas tutje. Unë obligimin tim si ushtar dhe si dëshmitar e kam kry. Është punë juaja të peshoni, të kërkoni e të dini, u ngrit nga tavolina dhe shkoi për një gotë ujë.
IV
Përpara varrezave qëndronte familja e ngushtë prej shumë anëtarësh. Përvjetori i gjyshes sapo kishte mbaruar, mbetën të bisedojnë edhe pak dhe të merren vesh kush do ta përcillte gjyshin deri në shtëpi, të ndalen nesër pak, të mos rrijë vetëm.
Gjysh, shihemi nesër në pesë, n’rregull?
Po, mace, ta bën gjyshi një pilaf, ka kohë që s’ke qenë. E diçka më je shëndoshë, duhet të kesh kujdes pak.
Ti ke qenë, bre, në Ovçara, e mua më flet për dukjen! Adrenalina i hipi në tru, si tigreshë u ngrit nga toka, në kërcim e nxori satrën ia futi gjyshit prapa klavikulit të majtë, këtë e kishte parë në një film, nga ai kënd shpata lehtë dhe pa gabuar godet zemrën.
V
As kjo, natyrisht, nuk ndodhi. Ia ktheu me një buzëqeshje të mësuar, të ftohtë, ndërsa në vete e shau. Së paku nuk e pyeti kur do të martohet, të shkojë gjyshi në dasmë.
Përkthim: Qerim Ondozi
Tamara Kovaçeviq
Tamara Kovaçeviq lindi në Beograd. Pas karrierave të shkurtra e përmbajtësore të përkthyeses së kopjeve pirate të filmave, mësueses së gjuhës angleze, dizajneres së kopertinave të CD-ve për filma pornografikë dhe kompilimeve të muzikës turbo-folk, e mori titullin master në Bankë dhe Financa. Kjo ka përvojë shumëvjeçare në auditimin e raporteve financiare. Tregime të shkurtra dhe ndonjë poezi aty-këtu ka filluar të shkruajë në punëtori letrare nën udhëheqjen e Lidija Dimkovska, në organizimin e SKC-së Danilo Kiš nga Lubjana. Tregimet e saj janë botuar në përmbledhjen dygjuhëshe BIĆE BOLJE/BO ŽE dhe zinu "Monstruma".
ažurirano: 04/02/20