Mihovil Rismondo

 

 

Në njëfarë periudhe të mjegullt nga fillimi i shkollës fillore e deri te largimi im nga ajo shkollë në klasën e pestë, loznim nëpër tarraca të cilat bashkonin ndërtesat tona, e gjenden mbi parkingët ku ishin automobilët e pleqve tanë.

Një grusht nesh që gjendeshim në atë pjesë të kuartit ishim mjaft të afërt. E tarracat ishin tonat, që në to të bënim ç’të na donte zemra. Në fillim luanim futboll, por kur humbëm shumë topa mu për shkak të lartësisë së tarracave, dhe kur pleqtë nuk na blinin më të tjerë, vendosim t’i përshtateshim situatës sonë diç më mirë. Kuptuam, në fakt, në një çast se topi i shqelmuar mjaft lart dhe në këndin e duhur mund të bënte gropën në aluminin e automobilit që gjendej poshtë nesh. Kuptuam edhe se topat pothuajse me lehtësi të madhe thyenin xhamat sikur ato të furrës së mikut tonë shqiptar, dhe sipas të gjitha gjasave futbollin shumë shpejt na u desh ta zëvendësonim me a) një sport më të lirë dhe b) më argëtues. Kështu topi i futbollit u zëvendësua me forma më pak të rrumbullakta vezësh dhe balonash uji të cilat ishin projektilë shumë më efikasë në aspektin e automobilëve të parkuar, por edhe të xhamave të asaj furre.

Më së shumti gëzoheshim kur vinte dimri. Bora ishte falas, ishte gjithandej, e topat e borës dolën të ishin projektili më efikas. Në fakt, topi prej bore i orientuar mirë dhe në këndin e duhur qëllonte shumë më lehtë ndonjë kalimtar rasti sesa, ta zëmë, balona. Më vonë kuptova se fjala të cilën e kërkonim në aspektin e fascinimit me topat e borës ishte “aerodinamika”. Edhe pse, më duhet të paralajmëroj se asgjë nuk ishte as për së afërmi ngazëlluese sa hedhja e balonave të ujit. Ta godasësh dikë nga largësia e madhe me balonë uji në kokë ishte thjesht… gjëja më e mirë që mund të ndodhte atë ditë. Por, balonat e ujit, edhe pse nuk ishin aq të shtrenjta për konceptin tonë si, ta zëmë, vezët e freskëta, ato ishin jopraktike. Ato duheshin mbushur diku dhe pastaj duheshin bartur në tarracë, e duhet theksuar se ato mund të barteshin vetëm në numër të kufizuar, dhe askujt nuk i pëlqente të vraponte poshtë e lart, lart e poshtë. Jo, vrapimi parapkisht ishte rezervuar për çastet kur kalimtari i tërbuar i rastit, Adisi dhe pleqtë e tij, ose dikush nga pleqtë tanë, nisnin të na ndiqnin nëpër tarracë për shkak të dëmit të shkaktuar.

Adisi. Kurrë nuk do ta harroj shqiptarin dhe furrën e tij ku dyshemetë vazhdimisht ishin përplot gjurmë topash bore, vezësh, balonash uji. Ajo furrë qëndron aty edhe sot e kësaj dite, atë e mban Adisi, e në ato raste të rralla kur kaloj andej mund të shoh se nëpër dysheme ende dallohen gjurmë të projektilëve të hedhur nga tarraca. Por, këto ditë, gjërat nuk janë aq të thjeshta si dikur. Vezët janë shtrenjtuar, fëmijët janë bërë përtacë dhe më nuk u shkon ndërmend të vrapojnë nga kafeteria në tarracë me balons uji, ndërsa borë më nuk ka, e kur ka është aq e paktë saqë më nuk mund të bësh as edhe një rafall të denjë nga lart, nga tarraca jonë. Jo, fëmijët sot përdorin projektilë të tjerë, e Adisi i trashë, dikur boksier i klasit të parë, disa herë në vit duhet të paguajë sigurimin për furrën e tij. Nuk është se po i djeg paratë, siç kam dëgjuar, sipas fjalëve të miqve të vjetër që ende jetojnë në ato ndërtesa, jo, fëmijët e rinj përveç përtacisë dhe koprracisë kanë edhe imagjinatën më të zhvilluar. Ata përdorin gurë. Supozoj se guri është projektili më i mirë kur krahasohet me trininë tonë të shenjtë, e jam pothuajse i sigurtë se shkakton edhe dëmin më të madh, nëse kthehet nga koka e dikujt, por më duhet të them se nuk jam i sigurt në aspektin e parametrit tonë – e kjo është kënaqësia me rastin e goditjes. E pranoj se kur kemi parasysh faktin se furra e Adisit tash e një kohë granatohet me gurë, këta fëmijë të rinj kanë shije më brutale kur vjen deri te ndjenja e kënaqësisë dhe suksesit.

Më kujtohet, e si të harroj kur më është skalitur në kokë, një herë Adisi vrapoi nga furra e tij dhe nisi të na ndiqte nëpër tarraca. Ne në fillim qeshnim, sepse ikja nga Adisi i trashë ishte gjëja më absurde që mund ta imagjinonim – e si të na kapte kur ne ishim futbollistë! E ai ishte gic i trashë nga i cili nuk prisnim të na ndiqte me orë të tëra lart e poshtë nëpër tarraca, parqe, parkingë rreth ndërtesave tona. Shumë shpejt pushuam së qeshuri sepse nuk kishim më ajër në mushkëri, jo, ajri ishte i rezervuar për ikje, sepse askush nuk donte të përballej me atë pit bull një me një. Të gjithë e dinim çka ndodhte kur Adisi e kapte dikë dhe nuk donim të rrezikonim shuplakën e tij në dhëmbët tanë.

Ishte dimër dhe ajri i ftoftë m’i priste mushkëritë. Adisi tash e sa herë kishte ngrënë topin e borës në kokë, por kjo nuk e ndalte të na ndiqte me tempon e tij nëpër kuart. Mendoja të fshihesha në shtëpi, por në atë plan ekzistonte një problem serioz. Në fakt, për të qenë në gjendje ta keqtrajtojmë vazhdimisht Adisin na duhej të fshiheshim prapa kapelave, maskave dhe shalleve që mbulonin fytyrat tona – se, ne e dinim mirë se kuarti ynë ishte mjaft i vogël që Adisi të mund të na priste përpara shkollës, po ta kuptonte se kush ishim ne.

Më duhej të qëndroja në vend. Adisi ishte nja pesëdhjetë metra larg meje, e unë nuk e dija ku ishin shokët e mi, supozoja se ishin fshehur aty rrotull ose kishin shkuar në shtëpi pasi kishin parë se unë kisha mbetur kurban. Nuk ishte kjo hera e parë, por gjithsesi për mua ishte hera e fundit që m’u desh të luaja kurbanin. Pesëdhjetë metra më larg, Adisi shpejtoi hapin. Unë u kapa për fanar dhe merrja frymë thellë. Pyesja veten nga i vinte ajo fuqi, përse e bënte këtë dhe përse ishte aq i acaruar me ne kur krejt çka kishim bërë ne ishte t’ia granatonim furrën me topa bore… E pashë se më ishte afruar në nja njëzet metra dhe provova të vrapoj drejt shkallëve, por që në maje rrëshqita dhe rashë e u rrokullisa disa shkallë më poshtë. Më dhimbte gjithandej. Nuk mund të ngrihesha. Më ngriti Adisi i cili më në fund ma zuri hapin. Ma hoqi maskën nga fytyra dhe një ndjenjë e çuditshme dhembshurie ia përshkoi fytyrën. Pa maskë, ne ishim shokë. Shkonim në shkollën e njëjtë, njiheshim. Fëmijët përndryshe nuk shoqëroheshin me të për çfarëdo arsye, por unë po. Nganjëherë ktheheshim nga shkolla së bashku, nganjëherë luanim futboll…

Adisi nuk tha asgjë. Më kapi për koke dhe ma përplasi për shkallët, një herë. Dy herë. Tri herë. Shenja më mbeti edhe sot e kësaj dite dhe nuk më duket se do të hiqet shpejt. Kur shkova në shtëpi i përgjakur, plaku im më pyeti ç’kishte ndodhur. Nuk doja t’i tregoja, por një përgjigje e tillë e pyetjes së tij nënkuptonte mosbindje dhe unë nuk doja të haja dajak. Ia thashë nga e para deri tek e fundit, të gjitha. Qava. Kisha frikë. Më pyeti, pas rrëfimit tim, se ç’të keqe më kishte bërë Adisi. Nuk thashë asgjë. Përveç se furra e tij ishte në lokacionin e përsosur për të gjuajtur nga tarraca. Plaku tha diçka në stilin se nuk u desh të më kapnin dhe se ky ishte gabimi i vetëm që kisha bërë. Pastaj u ngrit dhe shkoi të bisedonte me shqiptarët.

Mua, megjithatë, nuk më dukej se ky ishte gabimi i vetëm. Ekzistonte edhe diçka në krejt këtë që nuk mund ta kuptoja, e që dilte nga sytë e plakut tim. Diçka që e kuptova më vonë. Do të doja të kisha qenë më i zgjuar, t’i dija ato gjëra më herët, sepse atëherë nuk do të kisha humbur një shok. As Adisi për mua kurrë nuk do të ishte bërë shiptar i rëndomtë, siç edhe ishte bërë pasi plaku u kthye nga familjarët e Adisit. U kthye më i zemëruar se kur kishte shkuar. U kthye dhe bisedoi me mua dhe më shpjegoi se egërsirat e tilla vrasin kur dikush i paftuar u shkon te dera. Më tha se herën e ardhshme duhet të isha i përgatitur.

Dhe unë u përgatita.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Mihovil Rismondo

Mihovil Rismondo (1999) u lind në Zagreb. Ka përfunduar gjimnazin klasik në Zagreb në vitin 2017 dhe është regjistruar në studime parauniversitare të dramaturgjisë në Akademinë e Arteve Dramatike në Zagreb. Në revynë DeSADU ka paraqqitur dramat "Hipolit iz predgrađa" dhe "Ljubav u afteru", ndërsa në festivalin KRADU dramën "Vampir alergičan na krv". Në bashkëpunim me Departamentin e Aktrimit ka bërë përshtatjen autoriale të "Kratka povijest Rosa i Guila". Në bashkëpunim me “Punëtorinë teatrore Malik” në vitin 2018 lindi teksti "Začarani sin". Ka shkruar edhe skenarin për filmin e shkurtër eksperimental "Uloga" të prodhuar nga “Zagreb Film”.
Kontakt: mihovil.rismondo123@gmail.com, Instagram: mihovil.rismondo

 

 

ažurirano: 28/09/21