Goran Jankoviq

 

I pamë ne që nga larg. Ishin Kera, i vëllai Bracos, Mali dhe unë. Taman u ndalëm në pyll para livadhit për t’u marrë vesh se ku do ta bënim rojën.

Dy prej tyre shkonin drejt katundit tonë. Disi të shtrembër. Sikur po mbaheshin për dore.

Kera dhe unë shikojmë njëri-tjetrin. Kështu haptas këndejpari mund të lëvizin vetëm tanët. Por, ku mund ta dish! Edhe përpara mendonim se të gjithë jemi të tanët dhe shih ç’na doli. Për çdo rast i themi Bracës dhe Malit të fshihen. Të shtrihen dhe të rrinë gati.

Shikojmë tutje dhe shohim se bartin diçka mes tyre. Diçka jo fort të madhe. Dhe se kjo i bën të ecin shtrembër.

E kur u afruan për nja njëqind metra, i shohim se i kanë simbolet tona dhe se kanë diçka të mbështjellë në palltën ushtarake.

Braco thotë: Haj, Zot i madh, ç’paskan kaq të rëndë, e kaq të vogël.

Kera ia kthen të mos bëhet gjyshe, e mua ma bën me sy: Tanët bre, njëqind për qind. Më duket se atë më të shkurtin e kam parë.

Ne të dy dalim përpara pyllit. Ata marrin kthesën drejt nesh.

Kur na afrohen, e lëshojnë barrën e tyre në tokë. E bënë këtë disi shpejt dhe ngadalë.

Atëherë na shikuan në sy.

Tungjatjeta, burra. E sollëm ne Cillen, tha më i gjati, ende i shtrembër.

Mali dhe Braco dalin fluturimthi nga prita. Ç’thua ore, mos qofsh jarabi, po Cille është më i madh se ne të dy, ia beh Braco.

Eh… ne sollëm…

Ulem çuç, i përvjel mëngët dhe e hap palltën. Në të pjesa e sipërme e Cilles. Diku deri në fund të brinjëve.

Mali bie në gjunjë dhe më mbulon të tërin me të vjella.

Po ku i ka këmbët, ore! Ku e ka sendin, më të madhin në botë, thotë Braco dhe ia fut vrap.

Kera i ngjitet pas.

Më i shkurti përkulet, e mbërthen dhe e lidh palltën. E ngushëllon Malin dhe, duke e ngritur, ngrihet edhe ai.

Kera dhe Braco u kthyen të përqafuar.

Të ardhurit na ofruan cigare. Kur e ndezëm, më i shkurti na tregoi se ç’i kishte ndodhur Cilles.

Njëzet ditë asnjë plumb kush s’e kishte shkrepur. Veç rrinin në linjë nëpër istikame. Mrekulli e Zotit. Aq qetë ishte saqë zogjtë prapë ia dhanë këngës.

E Cille, po ju e dini më mirë se ne, s’durohej pa fizkulturë. Në istikam i bënte ushtrimet dhe në vend të peshave çonte kuti me municion.

Kur zogjtë e ndalën këngën, të del ai prej istikamit dhe niset drejt shpatit mbrapa nesh. E atje krejt hapësira bosh. Vetëm në mes dy frashër… njëri krah tjetrit.

Ne u shtangëm. Vetëm kapiteni tha: Mos, Cille shoq, ku po shkon.

E ai kthehet… pa u ndalur… dhe thotë shumë seriozisht: Këmbët dhe prapanica më janë mpirë. Më mungon kodra.

Po Cille, bre, po të vrasin.

Nuk më vrasin.

Vrapoi nja tridhjetë herë poshtë e lart. E nga ana tjetër dikush vazhdimisht thoshte: Ah, çfarë caku i mirë i lëvishëm, Zot i madh.

Të nesërmen prapë. Të gjithë provuan ta ndalin, por kot. Vrapoi saktësisht gjashtëdhjetë e dy herë. Unë vetë kam numëruar. Ata në atë anë shanin. Bënin hajgare dhe qeshnin.

Ditën e tretë filluan ta tallnin më rëndë. Cille në fillim nuk bëri zë. E kur filluan t’ia merrnin nëpër gojë familjen, Cille u ndal dhe kështu u tha: Po çka keni, o katundarë, jeni të njëjtë si këta të mitë. Hajvanë hesapi. Ç’ka s’po kuptoni?! Po krejt jam mpi edhe jam katandisë prej kësaj mutsihanes. E ju jeni më mirë, a!? Shkoi më shumë se njëqind herë. Dhe i bëri një treqind gjimnastika.

Të nesërmen shohim se edhe ata e kanë Cillen e tyre. E shohim, jo i keq për Zotin. I fortë si kali, e gjimnastikat i bën me një dorë.

I matën për një kohë, nuk e di qysh shkonte, kush propozon i pari, i yni a i tyre – nisëm të vëmë bast. Ne kishim cigare dhe raki, ata bari. E cili do të vrapojë këtu e cili atje, cili do t’i bëjë ushtrimet – për këto u morëm vesh menjëherë.

Ç’t’i bësh, ta hajë djalli, ne gjysmë dimri e kemi kaluar në istikam, e kemi pritë pranverën, as j nga jeta, dhe krejt kjo na u duk si kinema.

Dy javë zgjati kjo punë. Cille udhëhiqte 7 me 6. Na erdhi kjo si pushim i vërtetë. Edhe për ne edhe për ta. Veç edhe kafja e përbashkët na mungonte.

Të nesërmen shohim – do të fitojë edhe sot Cille ynë. Bash kishte mbërri te frashërat. Kishte zakon t’i prekte. Thuajse po luante kile.

Veç kur gumëzhiu diçka shurdhuese.

Dhe teksa gumëzhiu, edhe Cillen e preu.

Edhe Cillen edhe frashërat.

U duk sikur të ishin ngulë katër trungje në tokë.

Por, gumëzhitja vazhdoi dhe i bëri copë e grimë.

BAM! Në pidh të së ëmës, ku na mbiu kjo BAM… kërcejmë dhe ia japim vrapit nga të gjitha ato që i kishim pasur. Donim edhe të hidheshim në sulm. Mezi na ndali kapiteni.

Pastaj dikur e kuptojmë se ata nuk po gjuajnë. Se ata nuk kanë gjuajtë pas BAM-it. Ngadalë ndalemi edhe ne. Dëgjojmë shamatën nga ana e tyre, shajnë, bërtasin. E pastaj heshtje.

E nga ana jonë dikujt i plaste… ia jepte një breshëri… nënën e nënës ua shante dhe i mallkonte përgjithmonë.

Të nesërmen në mesditë na vjen paketa… nuk tregova… kishim bërë ca hobe të mëdha… kështu i shkëmbenim bastet…

Në paketë bari dhe një copë letre.

Ja ku është. Tash po jua lexoj.

Erdhi njëfarë kokëmadhi nga komanda. Në kontroll. Rrugës na e solli BAM-in. Dhe kur e pa Cillen tonë, menjëherë ia futi. Ata e kemi rrjepë dajak. Të gjitha i lajmëruan në komandë. Thanë se me ju nuk mund të luftonim më. Sapo erdhi zëvendësimi. Ne tash po largohemi. Kokëmadhi është shtatlartë dhe i trashë. I verdhë. Flokët e verdha, mustaqet e verdha. Kaq. Ta dini.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Goran Jankoviq

Goran Jankoviq ka lindur në vitin 1959 në Zenicë. Ka diplomuar për Filozofi dhe Letërsi të Përgjithshme në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Sarajevës. Që nga lufta, jeton në Lubjanë, ku në KUD France Prešeren themeloi dhe drejtoi biznesin e botimeve për dy dekada me radhë. Përkthen nga sllovenishtja. Kohë pas kohe paraqitet edhe në revista rajonale. Librat: 1993 romani "Riječ-dvije o Petroniju"; 1995 "O prostim stvarima – forma emigrantica"; 1997 haiku "Dok oblaci promiču"; 2013 romani "Događaj na brdu iznad puta"; 2001 "Antologija kratke priče ex YU" (1990-2000).

Kontakt: rudolf@kud-fp.si

 

 

ažurirano: 01/03/23