Sanja Mihajloviq – Kostadinovska
Mami më kishte thënë se ka fjalë të mëdha dhe të vogla. Mësuesi Aralampie siç duket i dinte vetëm të voglat, sepse vazhdimisht thoshte: „po“, „jo“ dhe „hesht“. Por, unë, megjithatë, mendoja se mësuesi Aralampie është njeri i madh, sepse kishte emër të madh. Aralampie. Mendon se do të të gëlltis me emrin. Ham. Edhe me sytë. Të mëdhenj si pjata. Në shkollë të gjithë më thirrnin shkurtimisht Ice. Unë shumë e urreja këtë emër të vogël. „Ice, ulu!“, „Ice, jepja!“. „Ice, shko për cigare!“, „Ice, këtë, Ice, atë“. Kur filloi lufta, e pyeta mamin: „Mami, lufta është fjalë e madhe apo e vogël?“ Mami vetëm ma ledhatoi kokën dhe më tha: „Është fjalë e tmerrshme, bir“. Por, nuk më tregoi a është e madhe apo e vogël. Pasi të gjithë flasin për të, duhet të jetë e madhe. Por, mua më dukej disi e vogël: luf-ta. Si lo-ja. Sepse ne fëmijët luajmë. Apo, si balona. Nuk kam më balonë, sepse m’u lidh për një dru dhe vëllai nuk deshi të ngjitet ta marrë dhe unë qava tri ditë me radhë. Apo si plinta. Sepse një ditë të tërë babi pandërprerë bërtiste ku e ka plintën, ku e ka plintën, dhe kur ia solli mami një dërrasë të vogël, nuk mundesha të besoja se si mund të bërtiste njeriu aq shumë për një gjë kaq të vogël.
Ia thashë këtë mamit dhe ajo u qesh dhe më tha se fjalët e vogla nuk janë të vogla sepse janë të shkurtra. Dhe, më tha të mendoj, për shembull, si mami, ujë, bukë dhe se edhe pse janë të vogla, janë shumë të rëndësishme. Mendoj se i besova, por një natë para gjumit mendoja mos mami i ka përzier punët, sepse ja që akullorja është edhe fjalë e gjatë edhe fjalë e madhe. Apo biçikletë. Apo Gjevgjeli. Por, pastaj më kujtohej treni që na çonte në Gjevgjeli te gjyshi dhe tren është fjalë shumë e shkurtër, ndoshta edhe më e shkurtra, por, sikur të mos ishte treni, ne nuk do të mund të shkonim te gjyshi. Nuk do ta takonim konduktorin i cili gjithmonë ma bënte me sy dhe më lëshonte pa biletë. Mirëpo, ja që konduktor është fjalë e madhe. Dhe, e rëndë. Dhe, e frikshme. Ndoshta më e frikshme se lufta, por askush nuk frikësohet nga konduktori, ndërsa të gjithë frikësoheshin nga lufta. Mendoj se nuk është fjalë e vogël, sepse kur filloi lufta, mësuesi Aralampie na tregoi se do të zgjasë shumë dhe se ndoshta s’do ta përfundojmë klasën. Ndërsa unë e dija se shumë fjalë të cilat janë të gjata zgjasin shumë. Si, për shembull, peshkimi, rrëfimi, pushimi. Mendoj se është e madhe edhe sepse mami më tha të mos flas për luftën, sepse kjo qenka punë e të rriturve. Por, unë nuk dua të flas, unë vetëm dua të më tregojnë a është e madhe apo e vogël. Ndërsa ata me këmbëngulje më thonë, je i vogël, nuk duhet ta dish. Edhe unë nuk e di si t’u them se e di se jam i vogël, por se një ditë do të jem i madh. Dhe, ç’të bëj atëherë? Kush do të më tregojë nëse nuk më tregojnë tani? Si tërë kohën më thonë se duhet të mësohem t’i laj dhëmbët, t’i lidh këpucët, të ha me dorën e djathtë, të mos flas me gojën plot, ta shkundi lucin kur e bëj shurrën. M’i mësuan këto gjëra dhe nuk duan të më tregojnë për luftën. Mendoj të pres t’u përfundojë ajo lufta e tyre dhe pastaj do t’u tregoj unë. Se lufta është fjalë e vogël sepse kur do ta shkruaj në fletore, as gjysmë reshti nuk arrin.
Përkthim: Kreshnik Ajdini
Sanja Mihajloviq – Kostadinovska
është docente për letërsi spanjolle në Katedrën për Gjuhë dhe Letërsi Romane të Fakultetit Filologjik Bllazhe Koneski. Doktoroi në Universitetin Komlutense në Madrid. Në mënyrë aktive merret me përkthim dhe shkrim të prozës. Është fituese e më shumë çmimeve për tregime të shkurtra, si dhe të çmimit për dorëshkrimin më të mirë debutues të prozës Të rinjtë për vitin 2015, të cilin e jep shtëpia botuese Templum.
Kontakti: sanja.flf@gmail.com
ažurirano: 31/01/20