Zhelka Horvat Çeç

 

 

Gjyshin e thërrisnim Gjysh ndonëse nuk ishte gjysh i asnjërit prej nesh. As nuk dinim nëse ai ishte gjyshi i dikujt. Nëse kishte diku në ndonjë qytet apo fshat fëmijë dhe nipër. Sipas sjelljes së tij me fëmijët, erdhëm në përfundim se nuk kishte.

Gjyshi thoshte se ne ishim „parazitë“ dhe „të dëmshëm“. Disa herë na quajti edhe „brejtës“. Ndonjëherë na gjuante me drurë të vegjël që i mbante të radhitur buzë shtëpisë. Këta ishin drurë të vegjël, të gjatë sa shuplakat tona, jo më shumë. Kurrë nuk na gjuajti me drurë të mëdhenj apo me gurë. Na kërcënonte, por kurrë nuk na gjuajti. Vetëm me shkarpa dhe guralecë të vegjël me të cilët mbulohet kopshti për të mos pasur nevojë për kositje. Ashtu e kishim bërë edhe ne dhe tash kur shkon nga dera e oborrit deri te hyrja në shtëpi kërcitjet nën këmbë s’kanë të ndalur.

Qeshnim teksa vraponim pranë shtëpisë së Gjyshit, ishte kjo njëfarë loje. Ai ulërinte, ne qeshnim e vraponim, dhe më vonë bisedonim se kush i kishte shpëtuar për pak. Na paralajmëronte se do t’u tregonte prindërve, por nuk i besonim.

Mua njëherë më tha „ti je komuniste“, ndërsa unë u bëra sikur nuk e dëgjova. Nana Shtefa shpesh e qortonte Gjyshin që të na linte rehat. Neve na thoshte të luanim përpara shtëpive tona dhe të mos flasim kur kalojmë pranë shtëpisë së tij sepse Gjyshit i pengonte zhurma.

Unë shoqërohem me djem që nga fillimi i këtij viti shkollor. Vitin e kaluar më gjuanin me bretkoca. Ndonjëherë kur më gjuanin i mbyllja sytë dhe kisha frikë se do të më vrisnin sepse thonim që ishim tradhtarë.

Në fund të vitit shkollor, në shkollë na dhanë detyrë që në një letër të bardhë të shkruanim se cilët njerëz na pëlqenin më së shumti.

Unë shkrova Jezusi dhe Tito. Mësuesi pas orës më tha se do ta thërriste nënën dhe babanë tim në shkollë sepse po bëja shaka. Renato shkroi Zli deda,[1] por atij mësuesi nuk i tërhoqi vërejtje. Sanja thotë se ai sigurisht ka dashur të shkruajë Zhelana,[2] por e ndërroi mendjen dhe pastaj shkroi Zli deda sepse vetëm këtë arriti ta shkruante me shkronjën Zh. Nuk ka arsye tjetër për ta shkruar këtë. „Paj, po, po bën shaka“, i thashë heshturazi. Doja t’i thosha mësuesit se unë i dua njerëzit që bëjnë mirë, e nuk kishte kuptim të shkruaja mami ose babi. Vetëm i thashë më falni. Më vonë kemi qeshur, por në lidhje me „Zli deda“. Nuk u tregova për Jezusin dhe Titon.

Nga të gjitha vajzat në fshat vetëm unë nuk ulërij para bretkocave, prandaj djemtë më pranuan në shoqërinë e tyre. E kur më marrin gjak në spital, gjithmonë më bie të fikët. Qëkur shoqërohem me djem, nuk frikësohem kur gjuajnë me karkaleca apo bretkoca.

Me të përfunduar shkolla, djemtë shkuan te pellgu, ndërsa mua m’u desh të shkoja në vallëzim përfundimar te Sanja. Tundim duart dhe këmbët dhe këndojmë këngë në anglisht. Nuk marr vesh plotësisht atë që këndojmë. Nuk marr vesh as arsyen se pse gjuajmë karakalecë dhe bretkoca. Në mendje më sillej Jozha dhe sëpata dhe këmba e parë e pasme e bretkocës të cilën ia kishte prerë verën që shkoi. Isha e bindur se ashtu fillonin edhe vrasësit e njerëzve.

E pse pra ai njeri ia kishte vënë hanxharin babit tim nën qafë?

Kur vallëzojmë gjithmonë gaboj. Thonë se kjo është për shkak se unë nuk kam ritëm. Nana Shtefa shpesh pi kafe te gjyshja e Sanjës. Ajo thotë se unë nuk jam për vallëzim sepse shoqërohem shumë me djem dhe sepse gjithë kohën luaj futboll. Atë futboll duhet të ma ndalojnë se në të kundërtën do të kem këmbë të shëmtuara. „Vajzat duhet të kenë këmbë të bukura“, thotë nënë Shtefa.

Mua këmbët e mia më duken normale. Qëndrojnë drejt, kanë gjunj dhe aty-këtu ndonjë të mavijosur. Mavijosjet i kam nga pylli dhe futbolli, ndonjëherë edhe nga manaferrat me të cilat gjuhemi me hobe. Hobet i përdorim te llamba e fundit sepse aty nuk ka shtëpi dhe e kemi afër pellgun dhe drunjtë tanë.

Prapë erdhën ata romët tanë dhe na e prishën shtëpizën mbi dru. Ata kanë frikë nga bretkocat dhe karkalecët, prandaj edhe i gjuajmë me to. Ne themi romët tanë kur mendojmë për romët e shkollës sonë. Romët e shkollës sonë janë të mirë, kanë rroba sportive më të mira, atlete Nike, ndërsa prindërit e tyre kanë fabrika dhe thonë se janë myslimanë të Bosnjës, e jo romë. Atyre askush nuk u thotë tradhtarë apo komunistë, vetëm dikush ndonjëherë heshturazi u thotë romë, e edhe kjo u pengon. Askush nuk e di se pse kishin ardhur në fsharin tonë. Llazari dhe Sanja kishin ardhur sepse ishin nga një vend ku kishte pasur luftë, dhe mbetën pa shtëpi prandaj tani janë refugjatë. Ndoshta së shpejti do të vazhdojnë tutje, ashtu thotë Sanja. Refugjatët vendosen në shtëpitë boshe në fshatin tonë. A thua paguajnë qira apo njerëzit i kanë lënë të jetojnë aty pa pagesë.

Babai i Sanjës një mbrëmje i ra ziles së derës sonë. I vinte era birrë dhe fliste përçart. Nëna më çoi në dhomë. Ditën e dytë na solli predhën e topit në shenjë kërkim faljeje. Në atë predhë vëllai mbante fotografi vajzash dhe disa letra.

Në fillim me Sanjën askush nuk deshi të shoqërohej. As me mua nuk deshën, prandaj më pranuan djemtë e lagjes. Në shkollën tonë ka shumë e më shumë fëmijë të çuditshëm. Disa erdhën për kohë të shkurtër dhe vazhduan për në Austri apo Gjermani. Shtëpia përballë nesh është përsëri boshe. Ka mbetur dritarja e thyer në katin e parë. Mbase refugjatët e ardhshëm do ta ndreqin.

Bëjmë revole nga dërrasat, kapëset dhe nga goma. I mbushim me kapakë birrash. Babi thotë se kjo është e rrezikshme, prandaj ma dha hoben me të cilën duhet të gjuaj Kinder vezë të verdhë të plastikës. Të gjithë fëmijët kanë bluza ku shkruan Cro Army. Ato i morën si shpërblim pasi mblodhën albumin me fotografi vetëngjitëse të cilat i fitonim duke luajtur hoka para shkollës.

Jozha thoshte se unë jam pagane. Nganjëherë më thonë se do të shkoj në ferr sepse nuk jam e krishterë. Romëve tanë nuk u thonë kështu sepse ata janë myslimanë. Bëhem sikur kjo s’ka rëndësi për mua. Mbrëmjeve në krevat ushtroj për t’u bërë ninxha, shtrëngoj dhëmbët dhe hedhi shikime të rrezikshme.

Tani më vjen turp qava kur erdhi njeriu i cili ia preu fytin babit dhe i tha se duhet të na prisnin të gjithëve sepse jemi kundër Kroacisë. Por kjo ishte para pesë vjetësh, dhe atëherë unë isha e vogël. Polici thoshte se kjo është për shkak të politikës. Nëna thotë se duhet të heshtim në lidhje me këtë dhe se ne nuk jemi kundër Kroacisë, tani pse nuk shkojmë në kishë. Të gjithë kemi mbijetuar, por prapëseprapë derën e mbyllim dy herë. Çdo natë shoh ëndërr se ai Njeri po kthehet dhe dëshiron të na vrasë. Nëse qaj në gjumë, ia fus vetes shuplakë që të bëhem më e fortë. Nuk qaj.

Njerëz të tillë nuk ka më. Nëna thotë se edhe Gjyshi kishte qenë në luftë dhe prandaj nuk e duron zhurmën. Renato thotë se ai është shumë i moshuar që të ketë qenë në luftë. Rrugës sonë nuk kalojnë më foristradat dhe ne nuk brohorasim më Hë Vë dhe nuk çojmë dy gishta. Tani që nuk ka më shkollë, luajmë lojën policët kufitarë përpara shtëpisë së Gjyshit.

Romëve tanë askush më nuk u thotë romë. I thërrasim me emra. Këtu do të mbesin përgjithmonë.

Tash vetëm unë jam jobesimtare. Thonë se nuk do të shkoj në parajsë sepse nuk shkoj në kishë. Por pavarësisht kësaj këtë verë luajmë të gjithë së bashku. Loja më argëtuese është kukafshehtas pranë shtëpisë së Gjyshit.

Sanja më tha se Renato kishte thënë se po i pëlqej. Sigurisht për shkak të futbollit dhe sepse ia kam dhënë bluzën time Cro Army vitin që shkoi. Sanja thotë se nuk bëhet fjalë për këtë por që ai ishte dashuruar.

Këtë vjeshtë do të fillojmë klasën e pestë dhe disa prej nesh tashmë kanë të dashur. Nëna thotë se kjo është një periudhë e re për fëmijët. Tani jemi më të rritur. Më nuk do të gjuhemi me bretkoca e karkalecë.

Kushedi nëse edhe këtë vit Gjyshi do të na shkojë pas apo edhe për të kjo do të jetë një periudhë e re.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

[1]   Gjyshi i keq, fjala e parë në sllovenisht. Vër. përk.

 

[2]   Emër vajze. Vër. përk.

 

 

  Zhelka Horvat Çeç

Zhelka Horvat Çeç u lind më 1986 në Çakovec. Ka botuar përmbledhjen e tregimeve Kauboj u crvenom golfu si dhe përmbledhjet e poezive I zvijezde se smiju krhkosti dhe Moramo postati konkretni (finaliste e çmimit Kamov; përzgjedhja e Booksa-s e 6 librave më të mirë të botuar në vitin 2015). Është përfshirë në antologjinë e poetëve të rinj rajonalë Meko tkivo dhe është fituese e çmimit Ulaznica më 2013. Poezitë e saj janë përkthyer në gjuhën angleze, gjermane, frënge dhe suedeze. Jeton në Rijekë, organizon forume letrare Pisac i građanin, dhe për vitin 2016 është duke përgatitur librin me prozë me titull pune Crtice sa sela, bez svinje. Publikon në revista letrare dhe merr pjesë në festivale të ndryshme. Mund ta gjeni në www.zhecec.com dhe www.facebook.com/zhcec

 

 

ažurirano: 01/02/20