Bojana Saviq
Në fshatin tonë lajmet vinin ngadalë. Nëna thoshte se jetojmë ku dreqi bën vezë. E kur vinin, ishin disi të zbutura e të shplara, qoftë të mira, qoftë të këqija. Ashtu edhe lajmi se ka filluar lufta në Bosnjë. Në lëndën natyra dhe shoqëria i përmendnim republikat e Jugosllavisë, por në klasën e tretë të fillores e kisha një ide mjaft të mjegullt për shtetet dhe qytetet. Motra më e vogël dhe unë shkonim në shkollë në një qytezë të afërt të Shumadisë. Po çfarë qyteze, as semafor nuk ka, thoshte nëna. Në klasën time Borisi e filloi tregimin për luftën, sepse ai ishte i informuar për gjithçka. Prindërit e tij kishin një kafene dhe ishin mjaft të painteresuar se çka bënte i biri i tyre gjithë ditën. Borisi sipas kritereve të mia ishte djalë i bukur, por sipas kritereve të përgjithshme mjaft budallë. Ende belbëzonte kur lexonte, vjersha nuk dinte, as matematikë, gjë që nuk i pengonte të ishte simpatia ime, Vetëm se, me gjasë vetëm për këtë nuk ishte i informuar. Dinte të më bënte të qesh edhe kur isha e zemëruar me të. Zgërdhihej, këndonte këngë të mbrapshta dhe i lëvizte veshët. Unë kam pasur vetëm dy simpati. Gjyshja Milka thoshte se gjithmonë duhet pasur rezervë. Darko ishte rezerva, me mua dhe Majën nxënësi më i mirë i klasës. Ai fliste me një shushuritje të butë me s dhe sh, mbase për shkak të ndarjes mes dhëmbëve të përparmë. Ishte i qetë dhe më i mirë në gjithçka, madje edhe në futboll. Një herë më shkroi një letër, por unë u tranova aq shumë saqë e hodha në shportë në wc. Borisi atë ditë solli cigare në shkollë, jo për ta ndezur, por ashtu, që ta mbajmë në gojë. Më tha se në Bosnjë po e presin popullin tonë dhe se myslimanët po u nxjerrin sytë serbëve. Unë e sillja e pështillja atë cigare dhe nuk dija se kush ishin tash këta myslimanë. Ai më tha se unë jam budallaqe si nata dhe se ata janë turq. Shkova në shtëpi e vendosur për ta hulumtuar atë luftë të mallkuar, kush është ai të më thotë se jam budallaqe! Së pari e pyeta motrën për këtë, por ajo gjithsesi ishte më budallaqe se unë, dhe prandaj u morëm vesh të dilnim vjedhurazi kur të na çojnë në shtrat dhe të dëgjojmë përpara dhomës së ditës kur të rriturit shikojnë televizion. Nëna menjëherë na zbuloi, sepse motra qeshte si majmun. I dukej qesharake kur gjyshja tha se keku i vaniljes shkrihej në gojë. Nëna sërish na përzuri për në shtrat dhe na kërcënoi se herën tjetër do të na shkilte sikur morrat, e ne e dinim se kjo ishte e vërtetë. Ajo kurrë nuk kërcënon kot së koti, na jepte dajak sipas nevojës, për shkelje të buta shuplakë prapanicës, për shkelje më të rënda shuplakë faqeve në një ose dy drejtime. Këto i quante forhend dhe bekhend, e adhuronte Monika Seleshin. Babai kurrë nuk na rrihte, ia linte këtë punë të shoqes, sepse “si mund t’i rrahësh vajzat, dhe aq të vogla”. Të nesërmen në orën e serbishtës lexuam këngë epike. Mësuesi Andrija thoshte se populli ynë ka vuajtur nga turqit, gjermanët dhe ustashët (këtë e shkrova në ditar: shih në enciklopedi me shkronjën u) dhe se historia është mësuesja e jetës, sepse nëse nuk i ncjerrim mësimet nga historia ato vazhdimisht do të përsëriten. Sa për mua, historia duhej ndaluar dhe askush nuk duhet ta mësojë se si njëri e ka torturuar tjetrin në luftëra e kampe, sepse më duket se, për shembull, Borisit nuk do t’i kishte rënë ndërmend diçka aq kreative siç është ngulja në hunj. E mbase edhe po, dreqi e marrtë vesh, por unë gjithsesi do të kisha jetuar më mirë pa këto njohuri. Gjithsesi, të gjithë fëmijët përnjëherë filluan të flisnin vetëm për luftën dhe për myslimanët e ustashët, edhe pse ne nuk e dinim bash se çka janë ortodoksët, sepse shumica prej nesh në kishë hynim vetëm për dasma dhe duke u kapur për këmbën e babait të dehur. Për Majën deri atëherë askush nuk supozonte se ishte ndryshe nga të tjerët, vetëm se ajo ishte nxënëse e shkëlqyer, e bukur dhe shtathollë, derisa edhe unë isha krejt e njëjtë, vetëm se trashalluqe. Po, e kishte emrin Maja, a e ka tjetërkush këtë emër? As Marija, as Marijana, por shkurt dhe qartë. Borisi kishte dëgjuar në kafene se ajo ishte myslimane, ndoshta edhe cigane dhe prandaj ishte ashtu zeshkane dhe mbiemrin e kishte Hasaniq. Ciganët i njihja nga panairet, por disi nuk arrija ta përfytyroja Majën duke e ndezur ringeshpilin. Vendosa ta pyes babain se ku qëndronte e vërteta, dhe shpresoja që aty t’i fusja edhe ustashët nëse e shoh se është në qejf. Babai i nervikosur tha se babai i Majës ishte inxhinier dhe se kishte marrë banesë dhe punë nga fabrika e pjesëve për vetura jo larg qytezës, se ata ishin shpërngulur nga diku, por s’e nuk e kishte idenë se çka janë, as cilit zot po i luten, dhe se nuk i interesonte dhe se as mua nuk bën të më interesonte kjo, dhe se ekzistonin vetëm njerëzit dhe jonjerëzit. Pra, ustashët ranë nga kombinimi. Nëna nuk ishte opsion, më mbeti vetëm gjyshja Milka si burimi i informatave. E gjeta në ahër, dhe më tregoi teksa e milte lopën se gjyshi kishte qenë në ushtri në Kroaci në flotë, se ushtria zgjaste tre vjet dhe se atje u dashurua në një të tyren, dhe deshi të martohej, dhe se plaku Zhivoradi i kishte thënë se ushtashën mund ta çonte vetëm në varr. Kështu kishte dështuar ajo dashuri, e gjyshin e martuan me gjyshen sepse vinte nga një shtëpi e mirë, tamerrmendja. Tashmë isha për një fije më pak budallaqe, dhe e armatosur me këto njohuri të saponxëna, të nesërmen u nisa për në shkollë e vendosur t’ia përplas Borisit për fytyrë. Para se të fillonte ora e parë në vendet e tyre qëndronin Pera dhe Kole, që nënkuptohej se ishin ndëshkuar për diçka. Mësuesi për disa të pabëma tona urdhëronte: Ngrihu të qëndrosh! Nganjëherë deri në fund të orës, nganjëherë ditës, nganjëherë deri në fund të javës. Vetëm provo të ulesh para ziles! Njëherë Nenadi dhe Mirjana qëndruan deri në fund të gjysmëvjetorit sepse kishin vjedhur blokë aromatikë nga kiosku. Megjithatë, të gjithë e donim tejmase mësuesin. Na jepte dajak, na i ngrente veshët e na fuste çaprazë, por dinte të gëzohej me gjithë zemër për ndonjë sukses tonin, të këndonte e të vallëzonte në orën e muzikës, të na bënte të qeshim, rregullat e tij ishin të qarta, notat ishin objektive. Kështu as ne nuk u ankoheshim prindërve kur na rrihte kohë pas kohe. Vetëm Borisi njëherë iu ankua babait se mësuesi e kishte ngrehur për zylyfi sepse e kishte hedhë gotën e jogurtit nga dritarja. Babai ia futi një flakareshë përpara kafenesë, i tha të mos jetë qyrran dhe të më merrte mua si shembull kur çdo ditë shoqërohemi bashkë. Kështu edhe atë të enjte plani ishte që Borisi të më priste pas mësimit shtesë te shtëpiza e braktisur prej metali në terrenin e futbollit në oborrin e shkollës. Ishte ky vendi ku askush nuk mund të na shohë nga shkolla, këndi i vdekur i punëtorëve të arsimit. Kësaj here Borisi priste përpara shkollës me Jakovleviqin dhe Daliborin, të cilët mësuesi i quante roje, sepse sa herë që ata ngriheshin për t’u përgjigjur, ata vetëm heshtnin. Më ftuan mua dhe Majën prapa shtëpizës, gjë që assesi nuk më përshtatej. Nuk është se fort shoqërohesha me të, e as me ata dy çapkënë. Borisi ishte mësuar që të gjithë ta ndiqnin të hipnotizuar saherë që i binte ndërmend ndonjë marri, dhe na e ktheu shpinën duke fishkëlluar me duar në xhepa e duke u lëkundur ngadalë drejt destinacionit. Me t’iu afruar shtëpisë, ata të dy e kapën për duarsh Majën, Borisi tha se ishte e arrestuar dhe se myslimanët ishin armiqtë tanë kundër të cilëve duhet të luftonim. Ajo rezistoi fuqishëm dhe me majen e atletes u dha sulmuesve të tyre dy goditje precize nën kofshë. Dalibori e lëshoi, gjëmoi nga dhimbja dhe e pështyu në fytyrë. Ajo e e mbërtheu bluzën e saj të hollë të verdhë dhe e fshiu pështymën nga fytyra. Në atë çast mendova se kurrë në publik nuk do ta kisha mbërthyer bluzën dhe ta tregoja barkun tim trashalluq. Ia ngula sytë barkut të saj të rrafshtë zeshkan me kërthizë të përsosur dhe nuk e di nëse doja ta mbroja atë apo atë vend të bukur, të brishtë. E shtyva Borisin, me të dy duart, megjithëse më dridheshin gjunjët. I thashë se vetëm qyrranët i sulmojnë vajzat. Befas u shfaq Darko, e pas tij edhe mësuesi: “Markoviq, përpara meje drejt e në klasë”, tha qetë, e rojet e mori duke i tërheqë për zylyfë. Maja dhe unë pa fjalë e ndoqëm atë balet të pazakontë, duke shpresuar se shfaqja për ne ka marrë fund. Megjithatë, duhej të duronim edhe hetimin e konfliktit nga ana e mësuesit. E unë vetëm mendoja se Boris Markoviqi sigurisht nuk do të flasë me mua. Dhe nuk foli. Të nesërmen ai dhe rojet u ngritën të qëndrojnë. Maja në fund të gjysmëvjetorit u zhvendos në një qytet më të madh në rrethinë. Takoheshim në garat e serbishtes dhe kurrë më nuk e përmendëm ngjarjen prapa shtëpizës. Borisi ma fali shpejt, por jo edhe unë atij. Pak para gjysmëmaturës rrinim prapa shtëpizës, tashmë krejt të rrënuar, me kulmin plot vrima nga ndryshku, nga të cilat dukej qielli. Më nuk isha trashalluqe. Në klasën e shtatë u rrita për 20cm. U bëra me gjoks solid dhe vija në prapanica nga rritja e përnjëhershme. Edhe kësaj here na solli cigare, por për ta ndezur. Dhe e ndezëm dhe biseduam. Thashë se Maja e kishte zënë vendin e parë në garat komunale në serbisht, derisa unë dola e gjashta. Më tha se isha turpi dhe marrja e popullit serb kur një turke e njeh më mirë gjuhën amtare se unë, por se ai nuk e njeh asnjë vajzë tjetër aq të bukur e të mençur sa unë. Mendova se përgjithësisht nuk është se njeh shumë vajza, por kjo megjithatë më pëlqeu. Pastaj u puthëm. Ishte e përjargur dhe e ngjitshme me shije të drinës, koka më sillej e barku më rrotullohej. Ai s’e mbyllte gojën, bënte rrathë me tym, e sillte shtëllungën e flokëve të mi rreth gishtit të tij tregues. Unë vetëm heshtja, tundja kokën, qetas rrija prapa tij në ulësen e tomos automatikut të bardhë. Ndërsa e shtrëngoja rreth barkut muskuloz, e motoçikleta nisej përnjëherë mendoja se gjatë do të më detyronte të qëndroja mësuesi Andrija sikur të më shihte tash. Deri në maturë apo mbase, deri në moshën madhore?
Përkthim: Qerim Ondozi

Bojana Saviq
Bojana Saviq lindi në vitin 1985 në Shabac. Ka diplomuar në Fakultetin e Arteve të Aplikuara në Beograd, Departamenti i Ruajtjes dhe Restaurimit të Pikturave. Në atë fakultet që nga viti 2010 është e angazhuar si bashkëpunëtore për ligjërata, dhe nga viti 2022 si asistente. Merret me konservimin dhe restaurimin e pikturave, me pikturë, këndim tradicional dhe shkrim të tregimeve të shkurtra. Është e martuar, nënë e dy fëmijëve.
Kontakti: Instagram @seoskamlada
ažurirano: 05/03/25