Manja Veliçkovska

 

 

Gjithmonë jemi pro fuqive më të mëdha. Rusia, SHBA, Gjermania dhe Franca. Askush nuk është pro Maqedonisë… Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Sllovenia kalojnë disi, por Shqipëria dhe Bullgaria – assesi. Në botën e lojërave, ata janë të dobëtit. Po zgjodhe ndonjë askushi, edhe ti je askushi. Ballkani, na thonë në shtëpi, është kot fare dhe askushi. Por, kush e di ç’do të thotë të jesh dikushi atje diku. Këtu, kjo është e thjeshtë. Në Sulmoj, sulmoj fuqia matet sipas mundësisë të shkruaj një emër të madh me gëlqere të thyer, të mbetur diku në oborret e mbetura. Ta vizatoj emrin e zgjedhur gjoja është i shenjtë. Rreth tij të më luajnë oreolë nga bimët e vizatuara. Ta zbukuroj. Të jetë me gjerdanë, me qendisje të begatshme. Ta zbukuroj, derisa gëlqerja të m’i djegë gishtat. Derisa të më zërë shiu.

Hapësira mes ndërtesave të mëhallës sonë është e shtruar me pllaka të vrazhda dhe të sheshura, që nga koha e Jugosllavisë. Të vrazhdat formonin katrorë të mëdhenj, me zbrazëtirë në mes, të cilën ne e ndajmë në katër pjesë të barabarta. Dhe, në pjesën tonë e shkruajmë emrin personal. Duke bërë kom-pa-ni-a vendosim se kush do të sulmojë. Duke mbajtur një shkop në dorën e djathtë, sulmuesi turret në një drejtim dhe, pastaj, e hedh në territorin e dikujt dhe ikë. I sulmuari, së bashku me të tjerët, tashmë ka ikur. Kthehet ta marrë shkopin dhe i ndalon të tjerët në vrap. Stop! – bërtet. Na merr në nishan nga territori i vet për të na qëlluar dhe e turr shkopin, me qëllim që ta prekë të sulmuarin e zgjedhur.

Në çastin e fundit vendos se më ka më afër. Tinëzisht kthehet dhe më godet. Kënaqet me atë që pason. Me marrjen e pllakës sime, sipërfaqja nën gëlqeren e tij dalëngadalë zvogëlohet.

Loja nuk përfundon derisa njëri ta posedojë katrorin e plotë dhe kjo mund të zgjasë me orë të tëra.

Shkojmë nëpër shtëpi kur vjen koha e drekës dhe kur është më së qeti. Kur gjithandej vjen era gjellë. Kur arrijmë te më e rëndësishmja. Kur nuk duam t’i lëmë vendet dhe nuk dua ta lë të vizatuarën, por, megjithatë, largohem, sepse gjithsesi jam duke humbur. Ne kemi lindur nën një yll të tillë, bijo! – më thotë gjyshja. Kurrë nuk fitojmë. As unë nuk do të fitoj gjë nga kjo dhe shkon në shtëpi.

Dhe, nuk kaloi as një orë e gjysmë kur përsëri zbrita nëpër shkallë dhe dola. E mbajta lapsin Bak mes gishtit tregues dhe atij të mesëm, që është pjesë e dredhisë sime më të re. E ruaj thellë të gërmuar në lëkurë, si një cigare e hedhur të cilës vazhdon t’i digjet grafiti. Ta vendos një gisht më poshtë për të m’u kujtuar ti nesër – them, derisa e rrokullis si një monedhë mes gishtave dhe sot më djeg vendi.

Si të moshuarit.

I dëgjova se si i zhvendosin unazat nga njëri në gishtin tjetër, për t’u kujtuar të nesërmen se dikujt i kanë premtuar diçka. Por, unë nuk kam unazë dhe nuk i dua unazat. E kam Bakun dhe kam plagë, që do të thotë se tash e tutje do ta bëj këtë vetëm kur do të jetë nevoja. U dridha nga dhimbja sot në mëngjes, kur maja më hyri drejt në mish. Lavdërohesha para Xhinës dhe Kristinës dhe nga turpi nuk desha ta nxjerr copën e majës, të mos e shohin gjakun që më rrodhi. Mirë e ke – më thanë në shtëpi. Prindërit, së pari ma bënë me dije gabimin, pastaj më lyen me hidrociklin për të më kaluar.

Si atëherë kur qëndroja në oborrin e banesës që ishte shpallur për shitje. Kur e dinim se askush nuk do të na kapë dhe mbetëm duke luajtur shtëpi me orë të tëra. Kur në të kthyer më takoi ime ëmë. Kur ma kërsiti një shuplakë dhe më përqafoi. Duke u zgjatur pranë gardhit shikoj drejt bodrumit. E bëj një pështimë dhe ngadalë e lëshoj nga goja. Pres për ta parë shkëlqimin e saj. Errësirë. E dëgjoj se si pikon. Tak. Me gjuhën gërmoj nën dhëmbët e poshtëm, duke i pezmatuar gjëndrat, që këtë herë të mbledh më shumë lëng. Sekrecioni im do ta paralizojë errësirën. Unë jam një akrep mashkull fluturues, i cili e përdor pështymën e vet për ta trullosur partneren gjatë shumëzimit. Kështu e largoj vëmendjen nga vetja dhe me vrap iki derisa nuk është zgjuar. Për inat.

Gjithsesi nuk di gjë për bodrumet. Ç’është e sigurt – e sigurt është. Familjet që shpërngulen, në të shumtën e rasteve nuk kanë një hapësirë të tillë. Pas luftës, shumica nuk kanë asçfarë hapësire. Supozohet se nuk kanë edhe shumë gjëra të tjera dhe kur kanë diçka, kjo i bën fqinjët edhe më kureshtarë.

Duke dashur ta hulumtojnë banesën sapo të banuar, vijnë me lloj-lloj problemesh. Në mëngjes papritur m’u shfaq një njollë e zezë në tavan – më tha plaka posht banesës sonë. Pyesja veten se mos vjen prej këtu – e thotë fjalën dhe hyn ta kontrollojë. Nuk e di. Këtu s’ka gjë të derdhur – i them duke ngritur qilimin, ndërsa ajo nuk e dëgjon çfarë i them. I shkon banesës rreth e rrotull. Është e ngazëllyer, si nga mobiljet, ashtu edhe nga ngjyrat. Pyet veten se kush i ka bërë raftet për libra të ngjitura në mur. Përpiqem t’i tregoj se moti janë aty, por ajo më shikon me mosbesim sepse jam fëmijë. Megjithatë, nuk e ka pritur këtë. Ja. Këtu kanë jetuar njerëz të qetë. Vërtetë ka menduar se do të gjejë diçka tërësisht ndryshe dhe nuk e pyes çka. Dua të largohet, ndërsa ajo madje e mbështeti bërrylin për derën hyrëse dhe më rrëfen se si ia ka dalë ta blejë banesën kur befas ka fituar para nga shitja e aksioneve të cilat i ka blerë më parë. Ç’janë këta aksione? Më rrëfen për përvojën e saj në bankë kur ka mësuar për fitimin. Nuk ka marrë vesh nga kjo, por më bind se kjo është zgjidhja e vërtetë për ne.

Dhe, duke menduar për këtë, shkoj në drejtim të gabuar dhe vendos të kthehem në vendin ku isha më parë, kur e shoh se të tjerët tashmë kishin arritur. Ndahen në dy grupe për të luajtur Kufiri. Shputë pas shpute shkon ai që ndan. Shputë pas shpute shkon tjetri që ndan. E shkelin njëri-tjetrin. Të dy lëkunden majtas-djathtas dhe e baraspeshojnë trupin e vet në hapësirë sikur ecin në litar. Njëri fiton. Më shikon dhe më thërret t’i bashkangjitem ekipit i cili ikë. Ekipi i cili mbron, nga ana tjetër, numëron deri në tridhjetë dhe e ruan katrorin nga ne, të cilët vrapojmë në drejtim të pacaktuar dhe fshihemi.

Ulemi në gjunj në një bunker shkurresh. Përkohësisht e popullojmë këtë hapësirë të vogël dhe rrimë këtu përderisa të tjerët të heqin dorë dhe të shkojnë në shtëpi. Por, të gjithë e dinë se askush nuk heq dorë. Ne presim, ata na kërkojnë. Dhe, kur një nga një vendosim se përfundimisht do të largohemi nga vendstrehimi ynë për ta kapur Kufirin, unë mbetem e fundit. Jam e vendosur. Shtrihem mbi bar. Vazhdoj të pres. I prek degët mbi fytyrën time. I nuhas gjethet të cilat i thërmoj me gishta. Shtrihem në bark dhe kërkoj gropa me karkaleca. E fus Bakun tim për të nxjerrë një.

Në të kaluarën i merrja në shtëpi. I mbyllja në kavanoz dhe i ruaja në komodinën pranë shtratit. Një mëngjes u zgjova dhe gjeta vetëm mbeturina. Unë kam fjetur, ndërsa ata kanë ngrënë njëri-tjetrin. Betejë e vërtetë për mbijetesën e më të fuqishmive. Por, tani nuk ka asnjë karkalec. Në vend të kësaj, dëgjoj se dikush më afrohet. Ndjej frikë. Do të më zënë. Por, shikoj – vetëm një iriq. E hedh Bakun mbi bar dhe e marr iriqin e vogël në duar. Ia lëmoj gjëmbat dhe e lëshoj përtokë. Nuk dhemb, por djeg. Në majat e gishtave ndjej një ngacmim nën lëkurë dhe e lëshoj iriqin të ikë. E hedh shikimin përtej bunkerit dhe shikoj tufat e barit të rritur dhe të djegur duke u luhatur në largësi. Livadhi i pakositur është si një det i trazuar i verdhë, ku ndërthurren shtigjet e iriqëve dhe karkalecëve.

Shikoj dhe pastaj vendos ta gjej Bakun, ndërsa ai nuk gjendet kund. Pas një kohe heq dorë dhe dal nga ky vend. Duke u ngritur me xhinsat e gjelbëruar, shkoj drejt Kufirit, kur i shikoj të mitë, tashmë të kapur, si rrinë ulur mbi pllakë. Më shikojnë dhe janë të inatosur. Kristina më tregon një lloj fije bari para syve.

Yt atë ka qenë në ushtri? – më pyet.

Po. – përgjigjem.

Koka kështu i ka fluturuar? – bërtet duke qeshur dhe i bie majës së bimës me gjemba, e cila bie mbi tokë.

Më akuzojnë sepse nuk i kam shpëtuar. Gjejnë arsye për të më ngacmuar duke thënë se jam si djalë. Pyesin se ç’kam kërkuar të vesh pantallona dhe ngjyra djemsh. Paskam ngritur hundën lart. Unë kam qenë arsyeja se pse kanë humbur, më thonë, ndërsa unë nuk kuptoj ç’janë duke folur. Tani të gjithë qeshin dhe e ndjej se dikush është duke më tërhequr për pantallona. Gjithçka ndodh shpejt.

S’bën të m’i vdeshësh, Xhina. Ç’ndodh me ty? – i them vajzës dy vjet më të vogël nga unë dhe e turpëroj.

Jo, nuk mundem. Por, nëse të godas atje poshtë do të të dhemb, a po? Hajde të shohim a je djalë.

Xhina merr hov dhe më godet mes këmbëve aq fuqishëm saqë rrëzohem në tokë. Ajo është hero, ndërsa të tjerët e admirojnë derisa unë rrokullisem mbi katrorin mbi të cilin luanim pak më parë. Të gjithë marrin forcë, por sapo filloi bubullima, ikin nga frika në shtëpi. Unë mbetem aty për t’u treguar. Rri e shtrirë mbi pllakë për të harruar këtë dhe gëlqeren e cila më prekë nëpër trup dhe më djegë.

Paramendoj një katror dhe e vulos në kokë kujtimin për të. Si një thes e mbushi me kujtime dhe mbetem mbi tokë për ta mbrojtur gëlqeren poshtë meje, të mos lahet.

Rri e shtrirë me orë të tëra që shiu të bëjë një siluetë nga trupi im i shtrembëruar mbi katror. Për ta vizatuar lojën e fundit kur kemi luajtur Sulmoj, sulmoj dhe Kufiri. Që katrori ta mbajë mend edhe për inat.

Mirë e ka.

 

Përkthim: Kreshnik Ajdini

 

 

  Manja Veliçkovska

Manja Veliçkovska (Shkup, 1995) diplomoi në Letërsi të Përgjithshme dhe Krahasuese në Fakultetin Filologjik „Bllazhe Koneski“ në Universitetin „Sh. Cirili dhe Metodi“ në Shkup. Për momentin ndjek studimet e magjistraturës në Programin Estetika të Institutit për Filozofi në këtë universitet. Tani punon si asistente projekti në Koalicionin MARGJINAT. Është pjesë e ekipit të grupit rajonal joformal „Lexueset e rebeluara“, ndërsa në kohë të lirë shkruan prozë dhe kritikë letrare.
Kontakti: manjavelickovska6@gmail.com

 

 

ažurirano: 04/02/20