Mihailo Markoviq

 

Hajde, të lutem, shkruaje atë tregim! Shkruaje bre! Gjithë ditën prek me mijëra tema, ndërsa je plotësisht joproduktiv! Tash kështu ma kujton vëllain, nuk mundem! Jana, dukshëm e rraskapitur nga ligjëratat dhe kujdesi për fëmijët e Hildës histerike i jepte zemër të paraqitet në konkursin për tregim të shkurtër lidhur me pajtimin e pasluftës. Reflektimet për luftërat në ish-Jugosllavi shpesh e obsesiononin, megjithëse nuk mund ta kujtonte pjesën e madhe të tmerreve, e Mali i Zi, thonë zyrtarët, kurrë nuk ka qenë në luftë. Konkursi ia ngjallte një dilemë të madhe: A është morale të shkruash për diçka aq të llahtarshme e që megjithatë nuk është pjesë e përvojës sate? A ka të drejtë morale të mendojë për të dërguar tregim, dhe atë tregimin e parë që do ta shkruajë në jetë, tash në prag të të tridhjetave, i papunë duke i harxhuar ditët kot në një banesë në Vjenë teksa i bëhet edhe më shumë barrë Janës e cila të gjitha obligimet e saj rreth arkitekturës, stresin rreth kushteve për bursë, duhet t’i lërë anash për ta shtyrë atë, nëntë vjet më të madh se ajo, që të bëjë diçka domethënëse? E akuzonte veten se është njeri i sëmurë i cili mbijeton mbi kurrizin e një vajze mezi në moshë madhore. Here-herë i duket se e do, megjithëse druan se për dy-tri vjet do ta urrejë nga thellësia e shpirtit. Nëse ndahen, ai do të jetë manipuluesi, lidhja e saj e parë e vërtetë, e cila fillimin e çdo lidhje tjetër do t’ia mbushë me drojë. Nëse mbetet me të, do ta mallkojë veten që nuk ka guxim ta lërë. Nëse nuk largohet, do të jetë replikë bashkëkohore e nënës së tij e cila, thonë komshiket, duhet të jetë e lumtur që bashkëshorti kurrë nuk e ka rrahur apo tradhtuar, së paku jo publikisht.

Ishin 16 vjeç. Qëndronin në fshat për t’u larguar nga qyteti në të cilin si ekip grungerësh quheshin narkomanë, sektashë, pederë… Njëri prej tyre kishte shtëpi në ato fshatrat e thepisura perëndimore në afërsi të Cetinjës ku dëgjohej vetëm hukama zogjsh, një kishë prej guri dhe një ide e mjegullt e lirisë arketipale të paraardhësve, e banorë nuk ka prej kohësh. Lëshuan këngën Down in a hole dhe nisën të këndojnë me falceto kalamajsh. Përnjëherë u dëgjua një e shtënë! Pastaj tjetra! Dhe e treta! “Paske sjellë narkomanë që të më provokojnë?” Prapa megjes fqinje qëndronte një njeri. As fytyrën s’mund t’ia shihnin mirë. “Na fal! Na fal! Po shkojmë!” Se a e kishin qetësuar kërkimfaljet t’i ndalte të shtënat, këtë s’mund ta përcaktonte ngase në kujtesën e tij pamja e radhës ishin ata të tre në veturën e Llukës, i cili ishte i vetmi që dinte të ngiste. “Maro! Kush ishte?” “Mos pyet, e kam mixhë të largët! Babi më ka treguar moti se u kthye i çmendur nga lufta! Krejt kam harruar se ai mund të vinte në fshat. Më falni djema, kam dashur t’ia kalojmë mirë”.
“Egërsirë! Mund ta marrësh me mend se çka kanë bërë të bashkëçmendurit tanë atje kur na janë kthyer të këtillë? Zoti na ruajttë!” tha Lluka. Për vdekjen e pashkruar askush prej tyre nuk foli në shtëpi. Dajës dhe nënës, me të cilët Lluka jetonte që kur babai në vitin 1999 “hodhi veten në erë”, duhej t’u shpjegonte se pse e merrte veturën e dajës pa treguar. Maro duhej të arsyetohej se nuk është bërë narkoman si vëllai i tij i madh, përndryshe si do t’u shpjegonte të tijëve se pse po shkonte në atë shtëpi, në të cilën tezja i ishte helmuar dhe në të cilën vetëm babai guxonte të hynte?

Ai do ta kishte më së lehti: me babain gjithsesi nuk flet për asgjë, edhe pse nuk janë në konflikt të qartë, e nënën nuk donte ta ngarkonte. Nga perspektiva e sotme për disa çaste i dukej jonormale që nuk kishin shkuar në polici. E si kanë mundur të shkojnë? Si t’ia shpjegonin policisë, në muajt e euforisë së postreferendumit në Cetinjë, se njeriun nuk e kanë provokuar? Fushëbeteja në një vend i cili mohon se kë dërguar ndonjëherë ushtri kundër dikujt policit do t’i ngjallte dyshimin se po gënjejnë dhe se është e vërtetë ajo që thonë ato dy rrugica në lagje se janë ekip narkomanësh, pederësh dhe sektashësh të sëmurë. Po ta kishte atëbotë vetëdijen e një gati tridhjetëvjeçari, nëse polici do të nënkuptonte diçka në atë drejtim, ai do t’i ishte ankuar ndonjë OJQ-je për sulmin ndaj seksualitetit të supozuar. Jo, s’do ta kishte bërë! Se edhe të kish ndodhë e gjitha në vitin 2020, edhe nëse polici pas miliona EU-trajnimeve do të qe më i kujdesshëm ndaj kalamajve, derisa lënda të vinte në prokurori, gjykatë a ku ta di, xhaxhain e Maros do ta kishin lëshuar të mbrohej në liri e ai do t’i vriste!

Për xhaxhain e Maros kishte lexuar pas dy vitesh se “në paralagjen ku jetonte e kishte vrarë me armë zjarri komshiun për shkak të, siç thonë banorët e tjerë të ndërtesë, një grindjeje banale”. Nga komentet në portal, e kuptoi se xhaxhai i Maros, para se shteti ta dërgonte në front, ishte djalë i qetë dhe sportist i talentuar. Adminët pas disa orësh i fshinë komentet, sepse redaktori mbase u kishte shpjeguar se Mali i Zi kurrë nuk kishte qenë në luftë dhe se në Konavle kishin djegë e prerë vetëm “vullnetarë të çmendur”. Vërshimin e kujtesës së zymtë ia ndërpreu Jana, e cila u kthye nga fakulteti dhe duke hequr maskën kundër koronës, tha: Fanteja nga Gnijevi doli ende s’ka filluar të shkruajë!? Duhet t’i ndërroj rrobat. Gjeometria deskriptive më mbyti. Po shkoj të kujdesem për Hansin dhe Gertrudën. Kur të kthehem nga puna a do të të gjej në pozicion të njëjtë? S’prish punë, vetëm të mos të pengoj.

Cinizmi i saj e preku vetëm për një çast, e më pas u zhyt në vorbullën e mendimeve të cilat zor se mund t’i kontrollonte: Po unë dua të shkruaj për shkatërrimet nga ajo anë e Kodrës së Trashë për t’ia hedhë babait! Do ta bëjë këtë që të turpërohet nga fakti se ka lejuar që në lokal t’i vijnë ata që në vitet e nëntëdhjeta i sillnin bastisje. Sot për atë kafeteri të babait po bëhen dokumentarë, sepse në vitet e nëntëdhjeta disa herë u mbyll për shkak të “tubimeve kundër luftës”, edhe pse gjithmonë nuk përmendet se për cilën luftë bëhet fjalë. Tash babai për çdo Ditë të Pavarësisë pi konjak me po ata tipa, tash evropianë të vetëdeklaruar. Tash këta tipa në të gjitha festat ndalet përpara kafeterisë së babait, përpara atij “hani elitor me sharm pseudoartistik”, siç e quante kur zemërohej, mu në mes të rrugës së Njegoshit, në qytet të cilin e lanë pa të gjitha fabrikat, ndërsa japin deklarata për “harmoninë multietnike malazeze” të cilën ata, gjoja, e kanë ruajtur gjithmonë. Babai tund kokën dhe duket se kurrë, as në dehjet më të rënda, nuk ka makthe me të gjithë ata tipa të mbrapshtë në kostume të cilët në toaletin e lokalit të tij i lajnë duart me gjak, duke u shikuar në pasqyrë mbi të cilën me shkronja pseudoartistike shkruan: Ut sementem feceris, ita metes.

Për ta shkëputur nga ajo fantazmogori morbide, truri provoi ta çojë në ndonjë pamje idilike, qoftë nga fëmijëria më e hershme. Por, kot! Atij, i cili kurrë nuk jetoi me besimin se mund të shkruante tregim personal për luftën, filuan t’i radhiten imazhe rastësore të kujtimeve me skena të luftës. I kishte përjetuar në Mal të Zi, megjithëse jashtë atdheut “i cili kurrë nuk ka qenë në luftë”, kurrë nuk ka fjetur më shumë se dy netë para këtyre shfaqjeve nga B. Strasse. Nga kujtimet e fëmijërisë së hershme si ikonë i shfaqet imazhi i nënës që vishej me të zeza me kushëririn nga Sarajeva i cili vdiq si civil. Iu kujtuan fëmijët nga zona të luftës që banonin në Institutin Simo Millosheviq në Igalo, shumë prej tyre pa gjymtyrë për shkak të minave. Emrat e tyre kryesisht i ka harruar. Ai qurrohej në Institut për një thyerje dore dhe i kujtohet turpi që e ndiente si i vogël kundrejt maturisë së tyre për të qenë të buzëqeshur përkundër fatkeqësisë së tyre. Po atë turp të cilin e ndiente ndaj cimerëve të dikurshëm të dhomës së spitalit do ta ndjente edhe ndaj cimerëve në një tragjedi potenciale në fshat, po ta botonte tregimin. Lluka, babai i të cilit, “hodhi veten në erë” me bombën e sjellë nga Cavtati – kështu provinca atëbotë e definonte vetëvrasjen, tash punon si kamerier në Hvar dhe është fejuar me një vajzë nga Hvari. Tezja e Maros, thonë, u mbyt në atë shtëpi prej guri në fshat kur mori vesh se bashkëshorti i saj i erdhi nga lufta plot me para dhe unaza të kufomave. Ata kurrë nuk i theksonin përvojat e tyre të dhimbshme dhe jetojnë shumë më mirë se ai. Qurrani gjeti justifikim edhe për të atin. Ai së paku shfaqi bunt kundër luftës derisa zhvillohej lufta. Nga kjo perspektivë i duket se ka vuajtur. E mban mend kur, pa shumë fjalë, e çonte nëpër ekspozita, të cilat babain më pas kurrë nuk i bënë përshtypje. Mbase donte që në heshtje të mendonte se në çfarë Adi ishte shndërruar “Mali Fisnik” në ato vite. Mu ato ekspozita me tematikë kundër luftës i sollën vetëmashtrimin se edhe ai mund të ishte kreativ. Në delir e pyeste veten: Çfarë monstrumi do të ishte ti sikur të ishe dërguar? Ti që je ngurrues dhe e do rehatinë! Në tunelin me lagështi e pa se pas tij po vraponte AI. Kjo, pra! Tmerret e luftës ty do të kishin shndërruar në xhaxhain e Maros!

Nga makthi e zgjoi Jana: Dëgjo! Unë krejt jetën e kam pasur idenë se nuk dua që pranë tij të kem kopjen e vëllait tim! Aq herë jam munduar t’i ndihmoj ta organizojë jetën e vet, derisa ai në Weltschmerz e citon Niçen dhe refuzon të ngrihet. Nuk vij në Cetinjë se nuk mund ta shikoj në atë gjendje, e t’i ndihmoj nuk di se si.

Ndarja kurrë nuk i ra aq lehtë dhe i qe mirënjohës që e zgjoi nga makthi.

Duke ardhur në shtëpi për herë të parë ishte në Cilipi. Babai e pyeti se a dëshiron të shkojnë në qytetin e vjetër? Refuzoi nga frika se pas bukurisë së pallateve sërish do ta zgjonin makthet e njëjta. Për tri orë ishin në shtëpi. Ndërsa hanin me dukjen e një familjeje të lumtur, e intrigonte mendimi se e refuzoi lehtas ta vizitonte qytetin për pësimet e të cilit me aq zemër dëshironte të shkruante.

Tregimin kurrë nuk e dërgoi në konkurs.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Mihailo Markoviq

Mihailo Markoviq jeton dhe punon në Cetinje. Është i nderuar që tregimi i tij i parë i botuar është pjesë e kësaj përmbledhjeje. Fakultetin e shkencave politike e ka mbaruar në Romë, ka punuar në projekte të ndryshme të shoqërisë civile në Mal të Zi e në Evropë. Nga të gjitha angazhimet e punës dhe ato vullnetare, më së shumti krenohet me punën në avancimin e pozitës së personave me invaliditet në Mal të Zi.

 

 

ažurirano: 11/03/25