Drazhana Markoviq Kreziq
Me të gdhirë, kur mbi shtëpinë e gjyshes qielli ende ishte vjollcë nga freskia e natës e dielli andej diku mbrapa, në anën tjetër të Gërmeçit, tashmë e lajmëronte ardhjen e ditës, lajmëtari im Graho nga maja e kurorës së mollës, mu nga dega të cilën e shoh nga shtrati im, e lajmëronte ditën e re me kakarisjen e tij shpotitëse dhe kumbuese, e për mua të ashpër e të padurueshme. Kjo ishte shenja jonë e fshehtë – për mua që të zgjohem nga shtrati dhe të ulem në stolin e drunjtë të dritares së dhomës sime, e për Grahun që, duke më parë mua, të kakarisë edhe një herë, tash hareshëm, dhe duke shushuritur me krahë në fluturim të zbresë nga dega drejt e në prehrin tim, krejt i shpupurishur. Aty qetësohej dhe paksa çlodhej.
Dremiste Graho edhe këtë mëngjes qetësisht në prehrin tim, derisa unë ngadalë, për të mos e zgjuar, ia palosja pendët e puplat me pika, thuajse po i shihja për herë të parë, duke u mahnitur me ngjyrat të cilat shkriheshin në diellin i cili dalëngadalë po dilte mbi shpatin pyjor. Grahon e pata zgjedhur si dhuratë për ditëlindjen time të pestë, mes të gjithë zogjve të cilët vitin e shkuar i kishte bërë klloçka Bilka.
Tingulli thumbues i telefonit e theu qetësinë e mëngjesit tonë të ngadaltë. Edhe Graho edhe unë ia behëm në këmbë. Nëna ime, Zehra, tashmë ishte në korridor duke biseduar në telefon. Dëgjova se edhe gjyshja Mileva po pyeste nëse po fliste me Danen. Dane është babai im, i cili kishte shkuar që kur isha foshnjë. Nganjëherë vinte papritmas të na përqafonte me radhë, të më thoshte se unë jam ylli i tij ndriçues, që mami dhe gjyshja të qajnë me zë dhe që pastaj natën vonë-vonë të fliste e të fliste me nënën. Në mëngjes, kur zgjohesha, ai nuk ishte aty.
Me kokën e mbështetur për dere, e dëgjoja mamin teksa qante e dëneste. Qante edhe gjyshja me të. Pas pak, mami erdhi në dhomë dhe më tha se menjëherë pas mëngjesit duhej të bëheshim gati për rrugë, se ne të dyja po shkonim te babi në Beograd, dhe se atje do ta festonim ditëlindjen time të gjashtë. E pyeta pse i kishte sytë aq të kuq e të fryrë, e ajo tha se mbrëmë në korridor e kishte mbytur fryma e ftohtë.
Disi me zor e piva një filxhan me shkumë të cilën gjyshja çdo mëngjes bash për mua e kishte mbledhur nga qumështi i ngrohtë, e mua më pëlqente gjithmonë. Nisa t’i bëj gati gjërat e mia. Natyrisht, Graho është gjëja ime e parë! I kërkoj gjyshes një shportë për të, e gjyshja thotë se këndesi do të mbetet me të në fshat dhe do të më presë aty. Duke qarë, shkoj ta lus mamin për ta marrë edhe Grahon, i them se edhe unë do të mbes në fshat nëse Graho nuk vjen me ne. E lusja e ajo me nxitim i mblodhi sendet tona nëpër shtëpi dhe ishte shumë serioze, dhe tërë mëngjesin thuajse nuk më dëgjoi dhe nuk më pa fare. Kurrë nuk e kisha parë fytyrën e mamit aq të shtangur, kisha frikë se mos mamit i kishte ndodhur diçka e keqe dhe se tash e tutje do të më shikonte gjithmonë ashtu, si e shtangur, pa më parë, dhe të më dëgjojë pa më ndier. Ika duke qarë, vrapova te Graho dhe u ula në bar, prapa shtëpisë, u mbështeta për pemën e mollës dhe ashtu, në vaj, më mori gjumi. Më zgjoi mami dhe tha se të gjitha gjërat i kishte futur në zastavë dhe po shkojmë të përshëndetemi me gjyshen dhe nisemi. Nuk kisha zemër ta shihja në fytyrë, t’i shihja sytë e saj të shtangur, e as ta lusja sërish për ta marrë Grahon. Gjyshja qëndronte pranë veturës me krahët e hapur drejt nesh. Ndërsa po afroheshim, vaji sa vinte e na shtohej; gjyshja qante për ne, mami për gjyshen e unë për Grahon.
Gjyshja më mori në prehër, pastaj e përqafoi edhe nënën. Kështu të përqafuara qëndruam gjatë, në heshtje. Të triat disi e kishim mbështetur kokën për njëra-tjetrën, secila me mendimet e veta, derisa hapësirën mes nesh e çau kakarisja kumbuese, ngazëlluese dhe krenare e Grahos. Shikoj prapa supeve të gjyshes, shoh – në ulësen e pasme të veturës është shporta e larme e gjyshes në të cilën shpesh mblidhja vezë nëpër oborr, e në të ishte futur Graho! Nuk mund t’u besoja syve, shikoj gjyshen dhe mamin, të dyjat qeshin dhe qajnë njëkohësisht, dhe të dyjat më përqafojnë. Mendova se e gjithë kjo ishte ëndërr dhe se nuk po ndodhte në zgjëndërr, sepse fytyra e mamit tash, megjithëse me lot, ishte aq e bukur dhe e butë, dhe s’kishte gjurmë të asaj shtangieje të mëngjesit, dhe shoh se po më sheh dhe shoh se po më dëgjon, e gjyshja nuk thotë më se Graho do të mbesë me të. Veç të mos më zgjojë dikush nga kjo ëndërr.
Dhe jo, nuk ishte ëndërr!
Jemi rrugës. Graho nuk po dëgjohet, po dremit e po kënaqet me bollëkun e misrit bashkë me barin që ia ka përgatitur gjyshja, radioja po lëshon ca këngë që i kam për zemër. E pyes mamin a do të na vijë gjyshi Hasan në Beograd. Mami thotë sigurisht, dhe se i ka shkruar një letër sepse telefonat nuk po bëjnë me Bihaqin, dhe se atë letër do t’ia dërgojë nesër prifti Milenko. E pyes mamin a është bërë postier prifti Milenko, e mami thotë se postierë nuk ka më.
Tash nuk ka më këngë as në radio, vazhdimisht flasin për një stuhi diku në një krahinë.
Mami më thotë: Zemër, shiko se sa madhështor është Gërmeçi, të jep forcë, edhe kur e kemi zor të mos frikësohemi.
Kthehem dhe shikoj!
Gërmeçi plak na përshëndet fort me pyjet e tij,
na i mbush me erë rrugët me barin e tij,
barinjve u ka thënë që me fyejt e tyre ta lozin këngën Bosnja ime
dhe të gjitha kopetë në harmoni jehojnë me zilet e tyre,
i ka bërë zogjtë të fluturojnë me ne,
dhe prapa nesh,
fëmijëve të tij,
e që rrugët t’i kemi të mbara
e derdh ujin përrenjve dhe ujëvarave.
Përkthim: Qerim Ondozi
Drazhana Markoviq Kreziq
Drazhana Markoviq Kreziq ka lindur në vitin 1956 në Mostar. Fëmijërinë e ka kaluar në Duvno, sot Tomislavgrad, dhe atë e konsideron si vendlindjen e saj. Ka mbaruar studimet për arkitekturë në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanizmit në Sarajevë. Si arkitekte ka punuar në Mostar, Duvno, Hamburg, Graz, Samobor dhe Zagreb. Është nënë e dy vajzave të rritura. Është luftëtare për të drejtat e grave dhe barazinë për të gjithë. Sot jeton dhe punon në Zagreb dhe Mostar. Duke u rritur në Duvno, atëbotë qytet i vogël kufitar në trekëndëshin mes Bosnjës e Hercegovinës dhe Dalmacisë, ra në dashuri me librat.
ažurirano: 23/02/23