Antonella Marushiq (Nora Verde)
Rrinte në kafene dhe shikonte se si nga furgoni shkarkonin kuti nga kartoni dhe thasë të zinj. I vendosnin përpara hyrjes dhe ktheheshin për pjesën tjetër. Çizmet ushtarake të lustruara lëviznin shpejt dhe hareshëm, dukej thuajse në ato metra të hapësirës po e hedhnin ndonjë valle të shurdhër, të kobshme. Nuk e ngriti shikimin, nuk pati arsye. Në kokë ende i silleshin fytyrat e tyre.
**
Fotografitë e saposhkrepura nga kujtimi i asaj dite më vonë i shpëlau jackie kola, dhe atë mbrëmje sigurisht kishte përpirë një litër e gjysmë të atij muti. Me Sertin dhe me shokët erdhi te Ziggy dhe për një orë të tërë nuk e bindën të pinte diçka. Rrinte i heshtur, ndezte dhe fikte cigare një nga një, fyti i digjej, por nuk mund të ndalej. Pastaj Serti u zhduk dikund. Pas një ore u kthye me një shishe Xhek Daniels të cilën e vuri mbi banak. E tërë kafeneja iu kthye me adhurim asaj shisheje të uiskit më të mirë të mundshëm, i cili nuk gjendej lehtë në kohë lufte. Pastaj me një stil të egër, banditesk, e hapi shishen plastike të coca colës e cila stërpiku rreth e rrotull vetes. U përkul mbi banak dhe mori gotën më të madhe, atë me xhamin më të trashë e cila gati kurrë nuk do të thehej po të rrëzohej në tokë, vetëm do t’i shkëputej copa e vogël në majë. E mbushi me tri gishta uiski dhe një gisht kola dhe ia shtyu Barbunit para hundës.
Koktejin e piu për dhjetë minuta, pjesën tjetër e gjerbi deri në fund të mbrëmjes. Uiski nuk pinte askush pos tij, të tjerët rrëkëllenin birra dhe raki barishtesh. Mbase kështu ishte marrëveshja e brendshme, që atij t’ia linin gjithë uiskin, si njëfarë dëmshpërblimi për atë që i kishte ndodhur.
**
Lajmi që Barbunit ia kishin thyer banesën mbërriti atë mëngjes përmes radiolidhjes nga Serti. Deri në mbrëmje të gjithë në brigadë e morën vesh, por nuk mund të merreshin vesh se kush do t’ia kumtonte lajmin. Në fund shorti i ri i ra Borisit, djaloshit të qetë e simpatik, i cili me Barbunin atë mbrëmje u caktua te pika e kontrollit. Detyra e tyre ishte që me ndërrime t’u bënin roje hyrjeve për në Pakovo Selo, që të mos përvidhej ndonjë grup diversant çetnikësh e t’ua prishte punën.
Borisi e shtynte çastin nga ora në orë. Barbuni nisi të tregonte për plakun e vet, togerin e pensionuar të APJ-së i cili para dy vjetësh ishte shpërngulur nga Spliti në një fshat të Bosnjës e Barbunit ia kishte lënë banesën. Që prej fillimit të luftës babai gjithmonë e thërriste dhe mundohej ta bindte ta shiste atë banesë, të shkonte në Slloveni te disa të afërt dhe të fillonte atje nga e para. Kishte frikë se do ta likuidonin e ta largonin nga banesa si serb i Splitit, por atij as mendja s’i shkonte të largohej. Tadija Petroviq Barbuni ishte panker dhe anarkist i përbetuar, themelues i pank bendeve më të vjetra në qytet dhe njeri i cili pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar nëpër bodrume për prova dhe në Matejushca, në limanin e vjetër të peshkatarëve në cep të bregdetit i cili gjithmonë kutërbonte nga mbeturinat dhe sulfuri ndërsa barbunat e trashë mund të shiheshin nga muri se si silleshin rreth e rrotull në ujin e turbullt. Prandaj edhe e quajtën Barbun, edhe pse njerëzit e dinin se plakun e kishte serb dhe se në fakt quhej Tadija. Borisit i tha se ikja nga Spliti për të do të ishte më e keqe se sa vdekja dhe se këtu s’kishte çfarë të shtohej më. Në mëngjes, para përfundimit të ndërrimit, Borisi mori zemër.
„Barbun, duhet me të thanë diçka“, i tha dhe e thithi një tym thellë në mushkëri.
„Çfarë? Ma paskeni bërë ndonjë budallallëk ju dhe këta tanët lart…“
„Jo, nuk qëndron puna aty. Po… dje ta kanë thyer banesën. Siç duket nja tre persona nga policia ushtarake.“
Borisi në dritën e agimit e pa shumë mirë se si iu zbeh bashkëluftëtari.
„Si po mendon?“, pyeti Barbuni dhe menjëherë e përshkoi me një mal pyetjesh.
I tregoi gjithçka që dinte; se fqinjët provuan t’u shpjegonin se ajo ishte banesë e një gardisti, por këta nuk hiqnin dorë, gjithmonë e përsërisnin se kjo ishte banesë ushtarake dhe se me këtë mori fund puna. Ishin të armatosur dhe të dehur, ndërsa këta u frikësuan dhe hoqën dorë nga përpjekjet, dhe pastaj vendosën t’i lajmëronin atij në brigadë.
„Komandanti e mori vesh, ta lëshonte sot menjëherë dhe të shkonte në shtëpi që ta zgjidhte këtë punë. S’do të shkosh vetëm, por me dy djemë tanë, mund ta zgjedhësh cilindo prej tyre“, i tregoi Borisi.
Barbuni u shtang nga tronditja, por nuk e shfaqi. I vinte mirë që shokët nga brigada kujdeseshin për banesën e tij, por tashmë ishte i lodhur nga belaja dhe gjaku në fushëbetejë. Është luftë dhe mutsihane të këtilla me banesa ndodhin në gjithë qytetin, po pse atij, mendonte. Atë e njihnin të gjithë, kurrë askujt nuk ia kishte prishur, nuk është ai ndonjë serb i rëndomtë që flet ekavishten dhe provokon.
Që atë pasdite shkuan në qytet, ai, Bego dhe Vele. Serti insistonte që të vinte edhe ai. Erdhi gati pa frymë, në xhaketë të lëkurës dhe bluzë të zezë të rudhur me njolla të bardha. Bego dhe Vele ia ngulën sytë modelit të flokëve të i cili dukej si fole në të cilën çelin zogjtë.
Barbuni ishte fjalëpak, vetëm e hapte dhe e mbyllte syrin e majtë, kjo i ndodhte gjithmonë kur ishte shumë i shqetësuar.
Para ndërtesës në lagje e përsëritën edhe njëherë planin për të cilin ishin marrë vesh më parë.
„Do të provojmë krejt me të mirë, që ta kuptojnë që Barbuni është yni dhe që s’kanë çka me kërku aty“, tha Bego, i cili disi spontanisht e mori rolin e shefit të grupit.
„Po mirë, e çka nëse s’na e fusin“, pyeti Vele, duke e ndrequr uniformën. „Banesa e nxanë nuk lëshohet lehtë.“ „Atëherë do të ushtrojmë pak presion“, iu përgjigj me gatishmëri dhe shtoi: „Nuk e kam problem me u përla nëse ka nevojë.“ Barbuni heshtte.
„A Barbun, çka po thu ti?“, e pyeti Vele.
Barbuni buzëqeshi pa vullnet. „Hiç, shkojmë nalt sa ma parë“, tha duke u valëvitur.
Në derë të banesës i priti kartoni në të cilin me lapustil ishte shkruar „Kroati nxanë.“ Serti e rrudhi me një veprim dhe e hodhi anash. Nga banesa u dëgjua muzika me zë të lartë dhe disa zëra burrash. Barbuni i ra ziles, njëherë gjatë dhe dy herë shkurt.
„Kush është?“, pyeti zëri mbrapa derës.
„Pronari i banesës“, tha Barbuni.
„Mos luaj koqe“, u dëgjua nga mbrapa derës dhe ajo u hap. Para tyre qëndroi një burrë shtatlartë me uniformë të hirtë kamuflazhi, me model flokësh si brushë.
„Çka po doni?“, pyeti ashpër.
„Me bisedu“, tha Barbuni.
„Hajde hyn.“
E përcollën nëpër korridor dhe hynë në dhomë të ditës. Atje në kauç ishin shtrirë edhe dy burra. Mbi tavolinë kishte shishe të hapura birre, bereta të zeza, dhe një kasetofon nga i cili buçiste muzika. Dy kallashnjikovë ishin të mbështetur për muri. Burri i cili i kishte futur brenda, iu afrua këtyre të dyve dhe u thoshte diçka në vesh. Njëri prej tyre, më i holli, me faqe të shfryra, u ngrit dhe qëndroi përballë Barbunit dhe grupit.
„Cili prej jush është Tadija?“
„Unë jam“, i tha Barbuni.
„Ke ardhë për gjanat e tua, a? Dollapi është plot me bërllog, me pllaka e kaseta. Hajde nesër, se i kam dostat këtu, po pijmë.“
Barbuni e shikonte drejt në sy.
„Zotëri“, i tha duke shkumëzuar, „kjo është banesa ime. I kam letrat dhe krejt çka duhet.“
„Mos ia fut, kjo s’është ma banesa jote, harroje këtë punë, a more vesh“, ulëroi.
„Ne jemi nga Brigada e Katërt e Gardistëve, ai është vullnetar i ushtrisë kroate“, i tha Bego dhe iu afrua.
Trupholli filloi të qeshte, dhe pastaj përnjëherë u bë serioz.
„Fakti që është gardist nuk ndryshon asgjë, prapë është serb, e kjo është banesë ushtarake.“
„Nuk është serb!“, bërtiti Serti dhe i futi duart në xhep.
„Ta merr mendja, karin tem është splitas. Edhe çka i duhet ajo hallkë në vesh? S’ka pare për vath për djem, e ka qitë atë mut. Hajde, zhdukuni. Po flas me ju veç pse jeni të gardës, mos bëni hajgare.“
„Heeej, lëre atë muhabet, ky është i joni, s’keni drejt me ndejt këtu“, e ngriti zërin Bego.
„Ti mos ha mut, le t’thotë vetë a është serb a jo“, bërtiti.
„Unë jam splitas“, tha me qetësi Barbuni.
„Mos rrej, babën e ke serb, ka qenë oficer i APJ-së. Kjo mjafton, ik tash“, i tha, iu afrua tavolinës dhe e hapi birrën e re me një të goditur në cepin e tavolinës, kapaku u rrokullis përpara këmbëve të Barbunit. E shikoi atë copë alumini, derisa papritur e ngriti kokën.
„T’qifsha banesën e mallkuar, edhe babën që ma ka lanë“, ulërinte Barbuni dhe damarët desh i dolën nga qafa.
Trupholli e kapi birrën, e çoi një gëllënjkë dhe u zgërdhi.
„Merre, kujt i ha kari, nëse kjo t’ban t’lumtun! Hajde, shkojmë!“, bërtiti dhe iu kthye grupit të tij.
Bego iu afrua Barbunit dhe e shtyu disa hapa, drejt korridorit.
„S’je normal, çka dreqin ke?! Ta marrin banesën, dhe ku ke me jetu?“
„N’pidh t’nanës! Hajde, shkojmë.“
„Frend, qetësohu. Këta janë debillë të llojit të vet, por ua qijmë nanën“, tha Bego dhe e ndezi një cigare.
Barbuni i lëshoi të dy duart bi supet e mikut.
„Bego, mua kjo s’më duhet. Nuk du me derdhë gjak, t’lutem, vëlla t’kam, hajde!“
Bego e la tepricën e hirit të mbledhur të cigares të binte në dysheme. Nuk tha asgjë, ndërsa në dhomë përsëri ia ngritën zërin muzikës.
„Si t’duash“, i tha dhe u kthye te Velo dhe Serti. Barbuni doli jashtë. Dridhej. E fshiu me shuplakë derën e jashtme të banesës, tashmë të dikurshme, të tij.
**
Pas gostisë te Ziggy u zgjua në kauç të Sertit te Zenta. Doli nga dhoma në maje të gishtave, i mbathi martinkat, dhe doli jashtë. U lëshua poshtë limanit, ndërmjet anijeve të bardha dhe jahteve. Ishte qetë, dëgjohej vetëm vringëllima e sajllave në direkët e anijeve, të cilën e sillte era. Me mahmurllëk i lexoi emrat e shkruar në sqep të anijeve: Pjero, Danica, Zvonimir, Marina, Nadalina, Ivan, Laura, Mala vila… Sikur të kishte të paktën një anije të këtillë, do të ishte banesë dhe strehë e tij. Erdhi deri në fund të molit dhe u ul në tokë, drejt diellit i cili në ato çaste po lindte. I mbylli sytë.
Barbuni po përfytyronte se ishte peshk, dhe mu ai peshk sipas të cilit e mori nofkën. Se po notonte atje pranë tragetave dhe jahtave në limanin e qytetit dhe po kënaqej si çdo barbun tjetër nëpër kolofone, duke mbledhur kafshata që kishin rënë nga sqepët e pulëbardhave të reja e të ngathëta. Dhe të gjithë po e linin rehat.
Përkthim: Qerim Ondozi
Antonella Marushiq (Nora Verde)
Antonella Marushiq u lind më 1974 në Dubrovnik, Kroaci. Si gazetare bashkëpunon me disa media dhe portale jofitimprurëse kroate. Shkruan dhe boton me emrin letrar Nora Verde. Është autore e librit me prozë Posudi mi smajl (Meandar 2010) dhe e romanit Do isteka zaliha (Sandorf 2013). Momentalisht është duke punuar në një përmbledhje të tregimeve të shkurtra me titull pune Poligon za nevozače. Jeton dhe punon në Zagreb. Është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kroacisë. FB page link: www.facebook.com/NoraVerde123
ažurirano: 01/02/20