Shurdhmemecja
Ishte nata e tretë e bombardimeve dhe tashmë kishim mësuar shtratin ku dhe me kë do të shtriheshim në bodrumin e errët të spitalit. Sapo dëgjuam fishkëllimën e thekshme të sirenës së pasdites që lajmëronte rrezikun e bombardimit të qytetit, dolëm nga dhomat ku qemë vendosur dhe zbritëm shkallët në radhë të gjatë, të njëtrajtshme e të heshtur të grave shtatzëna, i cili kur vështrohej nga kati më i lartë ngjante me trupin e përdredhur të një zvarraniku të majmë e të plogësht. Ecnim si somnambulë duke ndjekur njëra-tjetrën me sytë përdhe në hapin e radhës dhe mendjen te shtëpitë tona ku kishim lënë familjet dhe përditshëritë me rropatjet e bezditë e zakonshme që tani ngjanin aq të ëmbla e të dashura duke na joshur shpresën për t’iu kthyer sa më parë të ishte e mundur.






