Verime Zimberi-Beluli

 

 

Tollovi e paraqitur muaj të tërë. Gjumë me frikë, njerëz të panjohur rreth e përqark shtëpisë….Gjyshi shikon të gjitha lajmet e mundshme në televizion, dhe shumë shpesh pas përfundimit të lajmeve me zë të ulët thotë: „Diçka do të ndodhë“, ose „Lufta është shumë  e keqe, ndihmona zot mos e përjetojmë“.

Zbardhi dita e 2 majit 2001, diku rreth orës 3 të mesditës filluan të gjuanin në ajër, gjuajtje që unë nuk kisha dëgjuar asnjëherë, kaluan afër shtëpisë me qindra ushtarë duke u nisur rrugës malit, pasi shtëpia ishte afër malit, njerëzit shfaqnin eufori se çfarë po ndodhte, dëgjoheshin këngë patriotike të ushtarëve dhe komentet e njerëzve e fituam luftën e shpallëm „zonën e lirë“. Disa pleq sikur edhe gjyshi im, thoshin „lufta sa ka filluar, nuk fituam asgjë, po uroj të mos humbim shumë…“. Kaloi 2 maji me eufori me shpresë se tani jemi të lirë, dhe zbardhi 3 maji…Në mëngjes u zgjova u bëra gati për shkollë…gjyshi më tha:  „Bijë e babës sikur sot të mos shkosh në shkollë, ngase  dje u shpall zonë e lirë e sot të presim se çka po ndodh“ i heshtur duke mos dashur të më frikësonte…. Unë insistova që të shkoja sepse çfarëdo që të ndodhte shkolla do të punonte siç mund të mendonte një 14 vjeçare që nuk e kishte idenë se çfarë ishte lufta. U bëra gati dhe dola në rrugicë për t’i pritur shoqet e lagjes që të takoheshim dhe që të vazhdonim bashkë për në shkollë si çdo ditë tjetër. U takuam, dhe sa i thamë Mirëmëngjes njëra tjetrës filluam të diskutonim për ngjarjen e djeshme, se si ishte ndjenja të jesh e lirë, në zonë të lirë, se si ne shqiptarët do t’i kemi të drejtat e tona do mundemi të shkollohemi në gjuhën amtare e diskutime të tjera…

Kur arritëm në shkollë doli drejtori i shkollës dhe na tha „shkolla nuk punon këtë javë, kur të fillojë të punojë do t’ju lajmërojmë“, ne vazhduam për në shtëpi… diku nga mesdita lajmet e televizioneve të Maqedonisë tregonin për ultimatumet që i kishte dhënë Republika e  Maqedonisë se do të fillonte bombardimin e disa fshatrave ku si numër një përmendej fshati ynë-Sllupçan.

Me urdhrin  e gjyshit i paketuam disa rroba duke përfshirë batanijet dhe enët dhe shkuam në shtëpinë e xhaxhait në bodrumin e shtëpisë, i cili i kishte rreth 20m katrorë dhe u strehuam rreth 50 veta, përfshirë gra, fëmijë, pleq. Aty u strehuam me shpresë se do rrinim disa orë. Sa kaloi një orë që u strehuam filluan bombardimet e fshatit duke filluar mali, dhe duke i përfshirë edhe shtëpitë ku edhe erdhi lajmi se vdiqën dy fshatarë. Momentet sa vinin dhe bëheshin më të vështira. Unë me vete kisha edhe çantën e shkollës ku fillova të mbaj shënime në një fletore që e shndërrova në ditar. Me fillimin e granatimeve nga ana e ushtrisë maqedonase filluan edhe ankthet e banorëve civilë, filloi edhe frika, britmat e fëmijëve në djep, dridhjet e grave shtatzënë, pleqve të paralizuar, tmerri veç filloi. Kaluan disa ditë me granatime dhe ne tashmë filluam të besonim se me siguri do të vdisnim, por në cilën radhë të granatimeve nuk dihej, mungesa e ujit, e bukës sa filloi të ndjehej edhe më shumë. Kafshët e ngordhura para derës së shtëpisë filluan të jepnin efektet e veta virale. Gjatë disa minuta armëpushim në ditë arrinim të mbushnim ujë i cili më pas nuk mjaftonte as për të pirë, pasi që tashmë ishim 50 veta. Pas disa ditëve rresht në bodrum një mëngjes maji i ftohtë dhe i errët, njërës nga gratë shtatzënë i erdhën dhimbjet dhe të gjitha simptomat e lindjes. E strehuan gruan në një qoshe të dhomës dhe pas disa orësh gruaja lindi. Foshnja e porsalindur vdiq ndërsa gruaja mbeti e paralizuar për tërë jetën, në momentin që po e shkruaja këtë artikull gruaja për të cilën fola ndërroi jetë.

Pati momente tmerri e frike deri më 24.05.2001, datë kjo që do ta mbaj mend deri sa të jem gjallë, ditë që nisi me zëra të frikshëm të granatimeve, ditë që nisi me barkun e uritur për bukë dhe ujë, ditë që në orën 9 të mëngjesit ulërima u bë edhe më e madhe kur në bodrumin ku ishim të strehuar plasi granata, krijoi tym flakë, zëra të frikshëm, të bërtitura duke kërkuar secili fëmijën e vet, ose fëmijët, nënat, momente tmerruese kur sheh duke ikur 50 veta nga disa shkallë të vogla që nuk linin as dy veta përnjëherë të kalonin, dhe pas disa minutash u strehuam në një bodrum tjetër dhe e numëronim njëra tjetrën a mbetëm të gjithë të gjallë apo jo…. frikësoheshim kur e shihnim gjakun duke rrjedhur si ujë dhe duke u ngushëlluar se mjafton a është gjallë ende a ka puls…pritni se ende s’kam mbaruar e di se po prisni të tregoj se sa vdiqën, po vdiqën shumë vdiqën shumë në të njëjtën orë plasi granata dhe në bodrumin tjetër të familjes dhe aty vdiqën 10 persona më i vjetri 33 vjeç dhe më i vogli 6 muajsh… vdiq nëna me dy fëmijë, vdiq vajza e vogël  7 vjeçare, po më vdiq dhe shoqja, kushërira që e diskutonim lirinë më 02 maj, që e kisha kushërirë dhe shoqe klase, vdiq ajo vajza ambicioze e re që kishte ëndërr të bëhej mjeke, që nga klasa e 6-të e fliste gjuhën frënge të cilën e mësoi vetëm  nga librat, të cilën mësuesi i gjuhës frënge e pagëzoi mbretëresha e klasës…

Erdhi babai i saj për të parë se si ishte gjendja në bodrumin tonë, dhe papritmas e mori lajmin se në bodrumin tjetër vajza është duke ndërruar jetë por të nxitonte ta takonte për herë të fundit, moment që më kujtohet fytyra e xhaxhait se si u nxi, se si u bë e errët dhe se sa me pa fuqi u ngrit në këmbë dhe shkoi për ta takuar vajzën për herë të fundit, ashtu dhe ndodhi, sapo ia lëmoi fytyrën vajza ndërroi jetë.

Prapë nuk mori fund gjithçka, pasi si familje u larguam për t’u strehuar në një fshat tjetër pas disa ditësh nga tmerri që e përjetuam të gjithë e posaçërisht gratë shtatzënë, erdhi koha të lindte edhe gruaja e dytë shtatzënë e familjes, e cila lindi dhe vdiq së bashku me fëmijën. Përjetuam dhe kulmin e tmerrit…

Erdhi gushti u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit filluam të kthehemi nëpër shtëpitë tona të rrënuara, pa drita por të paktën nuk kishte luftime.

Kujtimet mbesin. Pyetjet sillen. Kush ishte viktimë në këtë rast? Kush janë kriminelët në këtë luftë? Kush ishte fajtor për konflikt? A ishte luftë korrekte kur vdiqën fëmijë?

Unë në mendjen time i kam zgjidhur këto çështje, në momentin që po e shkruaj këtë temë jam në ambientet e shoqatës për zhvillim të kumuniteteve, për bashkëpunim ndëretnik, për bashkëjetesë midis njerëzve pa e marrë parasysh kombësinë. Me pjesëmarrjen time në trajnime për paqe, në Republikën e Maqedonisë, unë mësova shumë, u njoha me shumë shoqe maqedonase, me të cilat nuk shoh asnjë dallim nga vetja, edhe ato janë njerëz si unë, edhe ato janë të prekura nga konflikti, edhe ato kanë qenë viktima të luftës sikur dhe unë, ka nga ato që pikërisht kanë humbur anëtarë të familjes njësoj si edhe unë, dhe unë me shumë  zemër i ftoj të pimë kafe ose kur më ftojnë shkoj me shumë qejf, pasi që e di se ne kemi shumë  gjëra të përbashkëta ne kemi qenien e përbashkët njeri, për ne nuk ekziston gjuha e urrejtjes, ne u bëmë shoqe dhe mendoj se do të mbetemi shoqe pa i marrë parasysh gjërat se si do të ecin, sepse me rëndësi është te kesh shoqe, dhe jo cilës kombësie i takojnë ata.

Me rastin e 9 majit 2015, ngjarjet që ndodhën në Kumanovë, pasi pamë shumë trazira, personi i parë që i shkrova ishte shoqja ime maqedonase (Сандра што се случува?), pasi shkëmbyem disa mesazhe me Sandrën u ndjeva disi më e lehtësuar, e ndjeva se diçka politike po zhvillohej aty, dhe jo luftë ndëretnike civile.

Lufta asnjëherë nuk ka qenë e mirë, në luftë për mendimin tim nuk ka fitues, patjetër se ka vetëm humbës, ka viktima, ka tmerre, ka lotë, ka humbje, humbje dhe asgjë tjetër. Shpresoj dhe dëshiroj që çdo vajzë e re dhe çdo i ri qofshin të cilisdo kombësie shqiptarë ose maqedonas të mos rriten me gjuhën e urrejtjes, të mos edukojnë breza që bëjnë ndasi etnike, sepse vetëm ai që se ka përjetuar luftën mendon se nuk është gjë e keqe. Ai/ajo që e ka përjetuar e di, e kupton dhe asnjëherë nuk dëshiron të ndodhë e njëjta gjë më.  Nuk shoh arsye dhe mënyrë për të urrejtur kombësinë e dikujt. Çdo njeri në këtë botë përfaqëson, mendimin, idenë dhe subjektin e vet psiko-social. Çdo herë nisem me idenë se ka maqedonas të mirë dhe shqiptarë të mirë, individët dhe përfituesit që përfitojnë nga armiqësimi i të tjerëve nuk kanë kombësi. Ekonomia dhe mirëqenia ekonomike nuk njeh kombësi. Situatat e rënda politike ekonomike dhe sociale sjellin deri tek përhapja e konflikteve që për t’i shërbyer kauzës së të tjerëve ato e marrin titullin konflikte ndëretnike.

Për mua shoqëria shumëetnike ka shumë vlerë, ka shumë vlera kulturore, ka shumë gjëra të përbashkëta për të cilat ka hapësirë për t’u diskutuar. Jetesa në mjedise të përziera është përparësi, njerëzit ballafaqohen me njohje të kulturave të ndryshme, kanë prirje për të ditur më shumë gjuhë, prandaj ne qytetarët e Republikës së Maqedonisë sidomos të qyteteve të përziera etnike duhet të jemi të lumtur që jetojmë në mjedise të tilla, duke mos lënë të ndikojnë ngjarjet e rënda politike dhe përfitimet personale të politikanëve në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike.

 

 

  Verime Zimberi-Beluli

e lindur më 07.07.1987, shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Sllupçan dhe Likovë të Kumanovës. Më vitin 2008 mbaroi studimet në Fakultetin Ekonomik në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Në vitin 2014 e mori titullin Magjistre e shkencave për Marketing-Menaxhim pranë USHT-së. Aktualisht është aktiviste për të drejtat e njeriut, e në veçanti për të drejtat e grave. Mori pjesë në shumë seminare për aksione paqësore në kuadër të shoqatave të ndryshme joqeveritare. Pjemarrëse në shkollën për lidership dhe të folurit në publik i realizuar nga POINTED-Tetovë.
Kontakt: zimberi1987@gmail.com, https://www.facebook.com/vera.zimberibeluli

 

 

ažurirano: 31/01/20