Isidora Petroviq

 

 

Më shikonte, me atë syrin e tij të ndritshëm, tramvaji i linjës 9. Pas kësaj nuk më kujtohet asgjë, thanë se ishte tentim vetëvrasjeje, thanë se drejtuesi reagoi me kohë dhe se udhëtarët ishin të shokuar. Nuk besoj. Me sa më kujtohet, atë ditë isha më i hutuar se zakonisht, përndryshe u ndala dhe rrëshqita në hekurudhën e lagur në çastin që e dëgjova borinë e tramvajit. Më kujtohet se disa çaste më parë taksisti më nxori nga vetura sepse ia ndërrova destinacionin katër herë, nuk më kujtohej se ku duhet të shkoja së pari. Mbase thjesht kam mundë të marr vendim, qoftë edhe të gabuar, por nuk më shkonte për dore. Kjo puna e vendimmarrjes nisi të më krijonte ankth dy orë më parë, sepse gruaja në radhë në furrë nuk mundi të priste që unë të vendosja mes krofneve me glazurë çokollate dhe buhtlave të nxehta të cilat sapo i nxirrnin nga furra. Veç të mos më ishin shfaqë buhtlat, kështu vërtet nuk munda menjëherë ta preja, e gruas në radhë nuk i pritej. Dola me krofne, i pakënaqur. Po, e mora bash atë me glazurë çokollate edhe pse më ishte rekomanduar ta ndryshoja mënyrën e të ushqyerit, ka tre muaj tashmë. Në fakt, saktësisht para njëzet javëve e mora këtë vendim kur rezultatet treguan tension të ngritur dhe trigliceride. Më vonë, nutricionisti më shpjegoi se sa kilogramë toleron mjekësia për lartësinë dhe moshën time 38-vjeçare. Pjesën tjetër më duhet ta heq. Mora një regjim të ushqimit, dhe krejtësisht nuk i përmbahem. Se nuk kam motiv. Derisa ishte gjallë Sigmundi, ishte më e lehtë të përmbushej së paku ajo nevojë për të lëvizë. Tri shëti në ditë, dy të shkurta një e gjatë. Por tash, ka mbetë vetëm batania e tij në tryezari, por kjo nuk paraqet motiv të mjaftueshëm. Përkundrazi, shëtia pa Sigmundin nuk ka kurrfarë kuptimi. Muajin tjetër do të mbushet një vit prej se miku im nuk është më. Thuajse, të themi ashtu, gjysma ime nuk është më. Gjysma e kaluar ka shku më parë. Saktësisht, para tri vitesh, mbase ca muaj më shumë, përpiqem të mos e numëroj çdo orë. Sot janë bërë 45 ditë e tri vjet. Ende më ndodh t’i kap me shikim flokët bjonde të bëra tufë në qafë pranë dritares në kuzhinë. Për një çast, ajo pamje zhduket e për tetë vjet kam mendu se nuk ka mundësi që do të shikoj vetëm kornizën e dritares. Dhe atë mëngjes kur po largohej, ishte në kuzhinë te tavolina pranë dritares, në duar mbante filxhanin me kafe të ftohtë dhe qante. Qante thuajse unë po e lë atë, thuajse unë kam faj që nuk po i mjaftoj. Qau sa qau, mori çantat dhe u largua. Aq shumë u largua nga jeta ime saqë kurrë më nuk u lajmërua. Unë pjesë të mia ende po i ngjis, po përpiqem. As vetes sime nuk i mjaftoj. Gjithsesi, zvarritet ajo ndjenjë nga e kaluara. Të diplomosh me tridhjetë vjet është vonë, por mbase është mirë të mbarosh së paku diçka, kurdoqoftë. E unë atëbotë kishte pesë vjet që punoja. „E keni parasysh, sikur të kishit diplomë, ndryshe do të kishim biseduar për pozitën, tash për tash, kjo është oferta për ju“, në fakt nënkuptonte se paratë që po i merrja ishin shpërblim hesapi, nuk u interesonte talenti im. Në fund ua dhashë diplomën. Të gjithë punëdhënësve, profesorëve nga të gjitha shkollat të cilat i ndoqa, ia dhashë madje edhe trajnerit të notit i cili nuk i besonte fort djaloshit i cili vinte nga fundi i botës ku nuk kishin parë kurrë pishinë me sy. „E ç’të duhet ty noti djalosh? Shko n’futboll, livadhe sa t’duash, ndiqe topin, se kur të kthehesh atje… atje nuk ka pishinë“, disi ishte këmbëngulës ai njeri që distancën mes vetullave dhe fillimit të flokëve e kishte shumë, shumë të vogël. „Nuk do të kthehem atje, është luftë, e keni parasysh“, ishte tejet i qetë zëri im që donte ta pyeste: „E ju, besoj, jeni fokë?“ I kaltër ishte uji në pishinë, shumë i kaltër, gati sa qielli atë mëngjes kur u nisëm në kolonë, pak më i çelët se gishtat e kaltër të atyre që ia dolën. Isha i paqethur atë ditë kur u nisëm, nënën atëbotë kjo e shqetësonte tej mase. Mirë, nuk ishte kjo arsyeja, kjo vetëm sa i shërbente si temë deri në Beograd. Për diçka duhej folur. Vij në botën e re i paqethur, gjëja e parë që do të bëjmë është të shkojmë te frizeri. Nuk do të lahemi, nuk do të hamë, nuk do t’u lëmë trupave tanë të shtrihen, por së pari do t’i qethim ato balluke. Krejt kjo është në rregull, veç të mos mendojmë se si babai nuk mundi të nisej me ne. E ajo e donte përherë pranë, kjo i shkatërroi jetët tona. Ajo dashuri poseduese e nënës sime e cila nuk dinte si ta linte, që dhjetë vite më parë, të shkonte në atë Gjermani dhe të na e krijonte jetën e re. Nuk do t’pallojë ai polake nëpër Bavari derisa ajo vetë e rrit fëmijën. Pastaj lufta e shpartalloi. E di, nuk ka faj, nuk ka pasë se si ta dijë. Por, tash jam i dobët. Nuk e dinte, ngase heshtja, se edhe fëmijët në shkollë nuk më donin fort, për shkak të babait, thoshin se vinte nga ana e gabuar e lumit. Kjo nuk ishte edhe aq e tmerrshme, ishte i tmerrshëm fakti se baritoni im madhor ishte mbi mesataren për moshën time, ashtu sikurse diksioni dhe qëndrimi im, por kjo nuk mjaftonte të isha pjesë e trupës së teatrit. Me germa, sepse nuk isha i tyre. E unë fort doja të isha i tyre, sidomos për faktin që shoku im më i mirë e kishte atë dëshirë fisnike të vëllazërohet me mua. Derisa babai i tij nuk i shpjegoi se kurrë nuk do të më ketë vëlla, se nuk mund të jem më as shok i tij, se më e mira do të ishte të mos njiheshim më. Shoku më i mirë. Dikush të cilin e mbron me shpirt. Mendoj se në ato çaste për herë të parë mendova se më nuk dua të isha gjallë. Mes të huajve. Por unë vazhdimisht jam mes të huajve. Thonë se ishte tentim vetëvrasjeje. Nuk besoj. Unë ka kohë që kam vdekë.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

  Isidora Petroviq

Isidora Petroviq lindi në Beograd në vitin 1976. Pasi mbaroi gjimnazin e regjistroi Fakultetin e biologjisë ku, disa vjet më vonë, e mori titullin e doktorit të shkencës në fushën e biologjisë molekulare. Ajo hulumton jetën edhe profesionalisht edhe privatisht. Tregimet e shkurtra dhe poezitë i botoi në përmbledhjet si Izgleda da će jugo, Reci ko te je ubio Gea (Ars Antibari, Bar), Moć reči (Kreativno pisanje, Beograd). Duhet të jetë në vend të duhur dhe në kohë të duhur, përndryshe nuk do të kishte kuptim.
Kontakti: silibgd@gmail.com

 

 

ažurirano: 04/02/20