Milan Vorkapiq

 

 

Kjo që po t’tregoj, shoq, është e vërtetë… përbesë po. Shumë njerëz s’më besojnë. Po thojnë se po e teproj dhe po shpik si krejt prej Kërpezhit, se po i mbroj kroatët, dushmanët dhe katilët tonë. Plak jam une me sulmu e me mbrojtë, e n’politikë nuk hyj fort.

Eh kështu, kështu ka qenë. Diku mbas Shingjergjit nëntëdhjetë e tretën, nalt nga Gajevi përnjiherë i ranë ata katundit tonë. Këta tanët as llogore, as roje qysh duhet, as oficeri nuk respektohet… pa organizim, o shoq, mos t’preket kush. Pa organizim edhe pikë. E këta t’atyne i kanë mbajtë mend ma mirë mësimet prej JNA-së se këta tanët. Nuk kanë harru ata se pa disiplinë s’ka ushtri, edhe qashtu shoq ka qenë hon e don… Gjithmonë kanë fitu, shoq, ata që kanë qenë me disiplinë dhe organizim. E këta tanët, ruana Zot. E, qashtu ka qenë kur i ranë kroatët katundit tonë pas Shingjergjit. Tanët as gjysma, në gjumë, me pengesa thuajse punojnë n’sharrë, e jo n’luftë. Qysh thojke Miqani i Savës, këta janë vikend-luftëtarë. Ata pak që kishe e ruanin pozicionin këtu në Kërpezh, ose ishin në gjumë, ose luenin letra. Disa t’dehun me sabah, disa t’fjalosun, disa mbledhin dredhëza…Oh shoq, hajgarellëk.

I hyni kroati papritun me sabah nalt prej Gajevit. Ata pesë-gjashtë mjerana që luejshin letra në llogore, i ranë pesë-gjashtë rafalla, dhe morën me ikë n’katund. Pastaj thojshin kishe kjo ka qenë tërheqje. Po qysh. O shoq, ata kanë ikë sa edhe lepurin e kishin nxanë. Veç neve na thojshin:

– Ikni, po vijnë dy mijë ustasha!

Eh… çka me bo… Edhe na u nisëm mbas tyne… Qysh kemi qëllu. Nuk mbërrijtëm as me u lëshu qysh duhet, as me marrë ndonji send… veç aty-këtu çka ki gjetë dhe vrap mbas ushtrisë. Ndalemi n’Bërgjani, katund ma i madh se Kërpezhi jonë. Në luftë aty ka qenë komanda e çetës. Vijke aty ushtria, hallakamë, o shoq. Marrshin pozicione, pritshin kroatët me na sulmu. Po jo. Ata mbetën n’Kërpezh, nuk u nisën këndej. Dolëm na n’Grabishte afër Bërgjanit, këqyrim prej nalt kah katundi jonë. Larg është, nja tri kilometra, nuk shihet fort, po tymin e shohim mirë. Në nja dy vende nis me dalë tym i zi dhe menjiherë merr flakë… Po djegin, o shoq. Po na digjet Kërpezhi. Mezi e ndreqëm, vjen dreqi ta prish. Ndoshta qashtu e ka marrë emnin katundi… Prej zamanit të turkut… E ka djegë edhe turku, edhe austriani, edhe veneciani, edhe allamani, edhe taliani, e këta kroatët tonë – hon e don. Kur nuk vijnë këta prej vendeve tjera, qe vëllaznit kroatë me na djegë e me na faru.

E këqyri ushtrinë, s’po rahatohen… Thashë, eh tash kundërsulmi. Po m’duket edhe une isha nisë – edhe pse i kam mbushë gjashtëdhjetë e pesë. E pyes komandantin a ka me pasë kundërsulm. Po, thotë ai, po presim urdhën. O djalë, o djalë, derisa ti po pret, atje po bëjnë kërdi, po djegin e po plaçkisin. E ti po pret urdhën edhe po e lut Zotin mos me t’ardhë, a po? Po thotë, duhet me i pa forcat e tyne, me vlerësu sa forca na duhen, po thotë s’janë ata harabela me i përzanë qashtu. S’janë, s’janë, po për qata tanët kanë qenë ma t’shpejtë se harabelat, ikën prej Kërpezhit ku i panë sytë.

Hajt, thashë, nesër sulmojmë na. Po qysh… prapë presin urdhën. Çka me bo, na u futëm nëpër shpija, kush n’farefisni, kush te miqtë, kush te t’panjohunit. Po e sheh hallku hallin tonë, po na ndihmojnë, po e ndajmë kafshatën e gojës. T’nesërmen erdhën do oficerë me xhipa, këqyrën prej nalt prej Grabishtit; na nuk guxuam me u afru. Eh, thashë, masdite sigurisht kanë me sulmu, kur prapë kurrgja. Po sillen po pështillen, po këqyrin, po kurrqysh me i ra katundit. Veç po pritet ai urdhën. Ta kishin gdhendë n’guri, deri tash e kishin shkrue.

Ditën e dhetë, u çuem n’mëngjes nji grup edhe drejt e te komandanti. Thashë, a po na e jepni ndonji pushkë? E hapi gojën ai, po na pyet për çka. Po thojnë, me shkue me e çlirue Kërpezhin tonë. Ai pa mukajet, i ka hapë sytë edhe po na këqyr a po mahitemi a jemi mërzitë e s’po mundemi mo.  Vazhdoj, po i them, nëse nuk na jepni ndonji pushkë, po t’shkojmë me stupca e tërfurka me i kthye shpitë tona, qeshtu mo nuk shkon. Po thotë ai, sulmi veç ka fillu. Po e këqyrim njani-tjetrin, mos bon hajgare. Ku ka fillu kur s’po nihet pushka. Qashtu po thotë, vëzhgusit prej djeshit janë rreth Kërpezhit po vëzhgojnë, sot, thojke, deri n’ora nandë duhen me i ra.  Eh, kur na tregun qysh është gjendja, po i bijshim pra.

Na u qetësuem, po e shohim se kemi vepru keq, kthehemi n’katund. Kur, o shoq, diku mbas orës nandë erdhën tri tankse. Erdhi edhe njifarë ushtrie, hyni nëpër katund, u pozicionuen. Po e shohim, paska me u bo hallakamë. Përzëtne, diku rreth drekës ia mësynë tanksat, ia nisën bam e bum.

Kur s’kaloi as gjysë ore, krejt u ndal, o shoq. Po dalim, po piskatin prej nalt prej Grabishtit me u kthy n’bodrume, po na nuk jau vnojmë veshin. Këqyrim mbas cungut, kurrgjo s’po merret vesh. Po thashë, hajde po shkojmë n’katundin tonë. Ushtria s’po len, as mendja s’po t’len, po zemra po ta lyp. Po ta lyp njifarë force, nuk mundesh as m’u kthy as m’u nis. Edhe m’duket qat’herë ma shpejt kemi shkue e kemi nxitue se kur kemi ikë para dhetë ditëve. Hyjmë n’katund… tanët atje. E kanë marrë si kroatët para dhetë ditëve; tash kroatët nuk e kanë fillu betejën veç janë kthy prej nga kanë ardhë. Janë zmbraps në Gajeve pa t’plagosun e pa t’vramë. Na u shpërndamë nëpër katund, secili prej shpije. Oha, ia nisi kukama edhe piskama… Prej dymbëdhetë shpijave, pesë t’djeguna. Ia kanë djegë Stojan Perishovit që ka shku n’Serbi, e ato katër të tanëve që kanë shku n’ushtri t’Krajinës… Hakmarrje a porosi, tatari e marrtë vesh. E edhe neve, që nuk na kanë djegë, po na kahet. Kanë marrë krejt çka kanë mujtë. Po hyj n’shpi pa derë, pa shporet, televizor, radio, frigorifer, friz… Edhe poçat i kishin hekë e i kishin marrë. Tapiceritë i kishin këputë, bojler s’ka, asnji çeshme, atë dritare të re te oborri e kishin marrë… I kishin marrë të dy lopët edhe viçin, asnji pulë s’e kishin lanë. Po këqyri poshtë strehës, as kazani i rakisë, as gomona, as dhambzori, as… s’ka mbetë kurrgjo… Krejt i kishin marrë, krejt. Ata pak mall që kishim pasë e kishin shkapërderdhë nëpër shpi e oborr, jastëkë nëpër lloq, llamba e thyme… Po kukat shoqja, po kukatin edhe tjerët nëpër shpijat e tyne. Asnji shishe raki. Ku t’këqyrish, krejt e thyme, e plaçkitun. Shpija e shprazët si shpirti i shprazët… Diqysh… m’shkon mendja, qeshtu duket gruja kur e dhunojnë… e shprazët edhe e plaçkitun.

Shkoj te komshiu Mana. Njejtë si te une, krejt e plaçkitun. Ai ka edhe traktor t’mirë, me krejt sendet. Krejt kish shku, o vëlla, krejt. Tash secili barabar, s’kemi kurrgjo. Tash ma nuk ka randësi kush është kush edhe çka ka… Tash asnjani s’kemi. Po më thotë Mane kumbara po i kan si fmija, ia kanë marrë kuajt. Kumbara ia pat’ shitë traktorin në luftë edhe pat’ ble kuaj. Çka me bo, s’ka naftë edhe u kthy me t’vjetrën. Tash këta e kthyen edhe n’ma t’vjetrën. Mundet me livru vetë nëse don me hangër. Eeeeh, tmerr.

Shkoj mbas ahrit me pa gjendjen. Une aty i kam pasë pesë koshere bletë. Gjithë i kam dashtë, prej nanës rahmet i pastë shpirti… Thashë, t’shkoj me pa a i kanë marrë edhe ato. Edhe m’shkon mendja tash kam me pa krejt shprazët. Kur, pasha sytë e ballit, nuk po rrej – pesë kosheret e mia aty, po edhe tri mbi dërrasa. E boj kryqin me t’majtën e me t’djathtën… Avytem… Bletat shnosh e mirë, hyjnë e dalin si mos me pasë kanë luftë. Po i këqyri ato tri, dy po punojnë. Ç’ka koka bo kështu, pashë qiellin, nuk po muj me ardhë n’vete. Po këqyri edhe njiherë, po e shoh se ato janë tri kosheret e mia që janë kanë t’shprazëta poshtë strehës. Eh, o vëlla, domethanë janë shumu, e dikush i tyne që nuk merret vesh n’bleta, m’i ka kapë dy prej tyne, e këtë të shprazëtën e ka ba gati për shumim. Nuk kanë t’kujt me kanë, se veç une n’Kërpezh kam mbajtë bletë! Nuk po muj me ardhë n’vete. Kthehem n’oborr, po i tregoj plakës, ajo s’po beson, po vjen mbas meje te ahri. Edhe ajo e bon kryqin, ndalet, po i këqyr ato shtatë koshere thujse shtatë fmitë na kanë ardhë prej larg, prej ndonji belaje a telashi. Na u kthy dikush që kemi mendu se e ka marrë përpara inati edhe e keqja. Ndigjojmë zhurmë para shpisë, shkojmë atje. Po vijnë oficerët me regjistru kujt çka i kanë marrë, gjendjen e shpisë, ahrit e tjera. Unë për shpi s’po i ankohem, po menjiherë po i them:

– Mua bletat nuk m’i kanë ngucë, po m’i kanë kapë edhe dy që janë shumu.

Ata m’këqyrin pak çuditshëm, po e shoh s’po m’besojnë. Thashë, hajdeni mbas meje. Ata vijnë, s’po munden me u besu syve. Po thotë njani:

– Oh i kanë bo ata gati me i marrë me vete, po nuk kanë mbërri. Ku të len ustashi diçka.

E tjetri po thotë s’është qashtu. Ka qenë ndonji bletar që ia din hakun bletës edhe bletarëve. U largun tu u shty e tu bo fjalë kush e ka mirë. Unë mbeta me bletat e mia, m’vijke me i përqafë, qashtu diqysh u disponova. Avytem, vazhdojnë punën, nuk m’këqyrin. Edhe ato dy t’reja. Thashë, e këtë t’tretën çka e paska bo gati, me ditë? E çoj, mos lujsha prej vendit nëse po rrej, aty mrenda qynka edhe kapuçi jem për bleta. E te qynka nji copë letër. Shkruen kështu: “T’u ka shumu e dyta te ahri edhe e fundit, e verdha. E para te ahri është shumë e fortë edhe shpejt ka me u shumu edhe ajo”. Nuk ka nënshkrim, qekaq.

Ulem n’bari edhe mendoj: Nuk e kanë mirë oficerët. Nuk është kanë këtu as ustashi, as bletari. Është kanë njeri, se është dashtë me i ruejtë kosheret prej ahmakut. Është kanë këtu heroi se une e di shumë mirë sa randë është me u shty me ahmakin. I kam pa une t’tanët qysh plaçkitin. Eh, t’kisha me e taku qat’ njeri… e ndoshta m’njeh, ndoshta m’lajmërohet ndonjiherë kur t’kryhet kjo hallakamë… edhe kur nji ditë punëtoret t’i nxjerrin mashkujt.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Milan Vorkapiq

Milan Vorkapiq lindi në 1953 në fshatin Trojvrh, komuna Ogulin, Kroaci. Ka mbaruar fakultetin e edukimit në Rijeka. Për shkak të situatës në vitin 1991 u detyrua të emigrojë në Serbi. Jeton në Vrnjačka Banja, është në pension. Është anëtar i Shoqatës së Dramaturgëve të Serbisë.

 

 

ažurirano: 28/09/21