Vesa Qena
Më kujtohet hera e parë kur kam ngrënë gjalp të kikirikut, ka qenë gjatë luftës dhe unë kam qenë refugjate në Gostivar. Ka qenë i njelmët dhe i ëmbël, por më shumë i njelmët, një kombinim shumë i çuditshëm, po aq i çuditshëm sa fakti që nuk isha në shtëpinë time e as me krejt familjen time, duke mos e ditur aspak çka po ndodhte. Kam qenë 8 vjeçe gjatë luftës dhe për mua fjala luftë ka qenë shumë e largët. Më kujtohet se si unë dhe motra ime Hana qanim në Gostivar për luftën, për babin, për vëllezërit, për këtë e për atë. Qaja sepse isha refugjate dhe kësisoji duhej të qaja, e pastaj dilja e luaja.
Kam lindur e jam rritur pa zë, e vetmja mënyrë për të komunikuar ka qenë nëpërmjet mamit. Mami ka qenë zëri im. Veshi i saj i ka dëgjuar të gjitha sendet edhe është përgjigjur për mua e pas një kohe i ka mësuar përgjigjet dhe nuk i ka ndërruar. Kur unë kam dashur çaj, ajo ka thënë: ‘Jo, Vesa nuk e pi çajin’, ose ‘qiti edhe do pite Vesës, se kohëve të fundit i është çelur apetiti.’
Duke qenë fëmija i pestë në një banesë dydhomëshe, unë asnjëherë nuk e kisha hapësirën time. Loja më e shpeshtë që e luaja ka qenë në banjë ku ulesha afër lavatriçes, hapja derën e saj dhe bëhesha sikur shisja bileta në një sportel, derisa vinte dikush që duhej ta përdorte banjën dëshpërimisht dhe më bënte presion për të dalë.
Por njëherë duhej t’i shisja të gjitha biletat.
Në Gostivar ishim strehuar në shtëpinë e tezes dhe e kishim tërë atë hapësirë për vete. Ajo kishte një shtëpi të madhe, kishte oborr, e në oborr e kishte edhe një shtëpi verore, luaja me fëmijët e tezes, gjithçka dukej më mirë. Veçse mungonte babi dhe tre vllezërit e mi.
Aty kisha bërë disa shoqe dhe më kujtohet se kur luanim MISS, kur vinte radha që kandidatet të thoshin një dëshirë, unë me shikimin e viktimës thosha: ‘çka dua më së shumti në botë është Kosova Republikë.’ Pastaj edhe shoqet e mia thoshin se duan që Maqedonia të jetë Republikë e kështu luanim të hutuara. Fjala ‘Republikë’ ishte vetëm një fjalë që e kishim dëgjuar nga të rriturit dhe e lidhnim me çdo send.
Dy ditë para se të fillonin bombardimet, mami, Hana dhe unë u nisëm për në Gostivar, duke lënë pas babin dhe dy vllezërit të cilët nuk donin ta lëshonin Kosovën, jo deri atëherë. Ndërsa vëllai tjetër jetonte në Zvicër.
Vesa s’po do pasul se ka ngrënë. Derisa mua më gërryenin zorrët.
Hera e dytë kur kam ngrënë gjalp të kikirikut ka qenë pasi i kishim marrë disa ndihma. Nuk ishte më aq e çuditshme, mund të zgjedhje të fokusoheshe në një shije, e kësaj radhe e ndieja vetëm të ëmblën. Vëllai kishte ardhur nga Zvicra dhe na kishte sjellë edhe mua e Hanës tesha, barbika e rollera. Por nuk dukej i lumtur, as ai, as mami e as familja e tezes. Mami shkonte në kufi e i kërkonte djemtë e saj, se babi i kishte treguar se nuk janë më në banesë, ai kishte mbetur vetëm në banesën dydhomëshe. Kurse unë e Hana mendjen e mbanim në Kanada. Dikush kishte thënë që mund të shkojmë e ne vetëm atë e ëndërronim.
Zotëri, urdhëroni biletën. E fus dorën në lavatriçe dhe nxjerr prej aty babin e vogël, e i them: ‘Bab, çka po bën këtu?’ E ai thotë: ‘kthemë, kthemë në makinë se po fshihem, mbylle derën, lëshoje makinën, le të më marrë uji.’
Unë i them: ‘po mund të të marr me vete, kam shumë para’. Babi më thotë: ‘jo, jo, nuk kam ku shkoj, vetëm lëshoma ujin!’
Të nesërmen para se të shkoja në shkollë në shtëpinë e tezes nuk kishte kurrfarë atmosfere, mami qante, Hana rrinte afër saj, tezja i bënte disa thirrje. Vëllai im kishte lënë një letër ku kishte shkruar se i ka veshur teshat e ishte nisur për luftë.
Hëm, mendoja cilat tesha, sigurt kanë qenë tesha shumë të rëndësishme, meqë të gjithë qanin. A thua i kishte veshur teshat e palara, se në makinë nuk ishte asnjë teshë, gjithsesi fillova të qaja edhe unë, sepse i shihja të gjithë të mërzitur.
I thashë mamit në vesh: ‘A ma blen do gjalp të kikirikut’, por ajo vetëm tha: ‘Nisu për shkollë.’
Kishim matematikë dhe do të përsërisnim tabelën e shumëzimit të cilën nuk mund ta mësoja. Por, isha e vetmja refugjate dhe mësuesja më donte shumë. Sa herë vinte radha ime, unë kërkoja leje të shkoja në tualet, dhe, kështu shpëtoja.
Në shtëpinë e tezes ishte shumë zymtë, askush nuk donte të luante, e mami si për ta hequr mërzinë më pyti për një të lehtë: Sa bëjnë 5 x 5?
5 x 5 bëjnë… hëm, duke numëruar me gishta në tavolinë 1, 5, 2, 10, 3, 15, 4, 20, 5, 25.
25 bëjnë… 5 x 5 bëjnë 25.
Hera ime e fundit që kam ngrënë gjalp të kikirikut ka qenë një ditë para se të kthehem në Kosovë, edhe e dija që mund ta kontrolloja shijen e më duhej diçka e ëmbël. Ishte e ëmbël, por më la një shije të njelmët, një ndjenjë e cila do të më përcillte shumë gjatë. Nuk e dija që bash kur po kthehesha në shtëpi me mamin e Hanën e askënd tjetër, do të thyeja heshtjen time e s’do të kisha nevojë më për veshin e mamit.
Mami mendoi që ishte ide e mirë që rollerat e mia, meqë nuk i përdorja, t’ia jepte dhuratë djalit të tezes, më shumë si simbolikë që kishim ndenjur në shtëpinë e tyre. E ajo për mua ishte shkatërrim. Le që ktheheshim në një banesë dydhomëshe, por do të kthehesha pa rollera, këtë s’mund ta duroja.
‘Jo, rollerat nuk t’i jap, janë të miat dhe do t’i marr me vete.’
I mora rollerat dhe fillova të vrapoj. Thashë, unë e di ku është stacioni i autobusëve, do të shkoj atje të pres. Unë vrapoja e mami vraponte pas meje. E dija që do të më zinte, por s’doja të dorëzohesha. Ajo më kapi për krahu dhe m’i mori rollerat. Në sytë e saj e pashë që e kisha turpëruar.
Nuk e dija se për çka ishte shkatërruar bota e mamit dhe e Hanës, por e imja ishte shkatërruar për një palë rollera!
Vesa Qena
Vesa Qena lindi në vitin 1991 në Mitrovicë, Kosovë. Ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin e Dramaturgjisë. Ajo shkroi disa drama: ‘Në dreq me Titon’, ‘Prehri i Gjyshit’ dhe ‘Pantallonat e Kangus’ si dhe bashkëshkroi dramën ‘Ata do të vijnë’. Në 2011, Vesa bashkë me Hanën, Lolën dhe Alketën themeluan kolektivin artistik Haveit të cilat përdorin kryesisht mediumin e performancave publike, për të eksploruar çështjet sociale, si fuqizimi i pozitës shoqërore të gruas, të drejtat e komunitetit LGBT+ si dhe tema të tjera.
Kontakti: vesaqena@gmail.com
ažurirano: 28/09/21