Aneta Vellkovska
Toti e thithi avullin e çajit me fruta pylli dhe psherëtiu zëshëm që të mundë ta dëgjojë e gjithë bota. E futi kekun deri në gjysmë në çaj dhe në mënyrë pedante e thithi nën mustaqe, duke e shkrirë për një minutë, njëzet e një sekonda dhe dhjetë milisekonda. Kishte tridhjetë e dy dhëmbë të përkryera; tridhjetë të bardha, një të artë, një të argjendtë. Flokët i kishte të ngjitura si mafiozët italianë, faqet e fryra si portokaj Greqie, sytë u ngjanin diamantëve afrikanë. E kapërdiu edhe gjysmën tjetër të kekut dhe piu një gllënjkë të madhe çaji, duke psherëtirë zëshëm dhe avulli i dilte nga zbrazëtira e gojës, duke e bërë të ngjajë si një dragua mitik që është humbur në kohë dhe ka ngecur në mes të një lufte.
Todori, me nofkën Toti, është një veteran lufte i luftës së dikurshme jugosllave. Ai ishte një pastrues profesionist i fushave të betejës dhe kishte për detyrë shpejt dhe me përkushtim t’i pastrojë ushtarët e vrarë nga terreni dhe t’i varrosë në një varr të përbashkët. Rekordin e fundit në realizimin e komandës e vendosi pak para përfundimit të luftës, me një rezultat prej një ore, dymbëdhjetë minuta, dyzet e pesë sekonda dhe tri milisekonda për pastrimin e njëzet e dy ushtarëve të vrarë dhe varrosjen e tyre. Toti kurrë nuk vrau njeri. Ai ishte pastrues profesionist i luftës dhe u kthye në shtëpi i gjallë, i shëndoshë, me trembëdhjetë urdhra për trimëri, gjashtë distinktivë, katër diploma, dy kupa, një mirënjohje për pastrues lufte për arritje kulmore ushtarake dhe me shumë rekomandime.
Nga të dyzet e shtatë pastruesit e punësuar gjatë luftës, Toti ishte i vetmi me vendim pune, me sigurim shëndetësor, me shtesa për punë plotësuese. Ai gjithmonë ishte në maje të listës së pastruesve më të mirë të luftës, kishte tri vende të zbrazëta nën të, dhe renditeshin pastruesit e tjerë të përkushtuar. Toti me mjetet e veta bleu tetëmbëdhjetë vegla bashkëkohore pune, nëntë mjete higjienike, pesë makina dezinfektimi, tri komplete me rroba të posaçme. Nga komandanti fitoi edhe armë, por ia la ushtrisë. Ai në luftë hyri për të pastruar dhe kështu mbeti deri në fund.
Shtëpinë e kishte të rregulluar në mënyrë të përsosur, dhe, edhe pse kishte zbukurime të shumta, libra dhe imtësira, ato gjithmonë ishin të pastra dhe shkëlqenin. Rrobat i kishte të hekurosura dhe të renditura sipas ngjyrës. Kishte dymbëdhjetë kostume, njëzet palë këpucë, njëzet kapela, njëzet orë dore, njëzet bastunë. Nëse i dëmtohej ndonjë këmishë, orë apo këpucë, ai e hidhte kompletin e tërë.
Kishte shtatë takëme të ngrënies dhe çdonjëri përdorej në ditë të caktuar. Takëmi i shtatë ishte i artë dhe përdorej të dielave. Atë ditë Toti dilte në mënyrë solemne në rrugë dhe fëmijëve u ndante 101 sheqerka, shtatëdhjetë e shtatë çokollata, tridhjetë e tri lëngje, njëmbëdhjetë çamçakëzë. Të moshuarve ua dhuronte gazetat e vjetra të asaj jave, pastaj tërhiqej në oborrin e vet, duke pastruar përreth deri vonë në mbrëmje. Fqinjët me shaka thoshin: “Toti edhe mbeturinat i ka të pastra!”.
Toti e përtypte kekun e dytë me të njëjtin kujdes me të cilin e gërmonte kopshtin prapa shtëpisë çdo ditë të parë të muajit. Kjo paraqiste një teknikë rituali e cila në fund përfundonte me nxjerrjen nga dheu të një arke të vjetër, të cilën Toti e hapte, i pastronte gjërat: një ditar lufte, dy batanije leshi, tri bomba të ndryshme, pesë fotografi, tetë plumba, njëzet e nëntë letra nga e dashura Dragana. Brenda ishin edhe çmimet e luftës. Në fakt, Toti brenda e kishte robëruar luftën. Pasi që për një çast e lironte, ai e pastronte luftën dhe e robëronte përsëri, e groposte nën dhe. Ajo ishte lufta më e pastër, sepse e kishte Totin për pastrues.
E gëlltiti çajin e mbetur, sikur e gëlltiste fatin e vet me një identitet të një realiteti joekzistues. Hyri në kuzhinë, i filloi përgatitjet për drekë. Në tepsi i renditi gjashtë patate të mëdha serbe, katër karota të trasha kroate, një qepë sllovene, dy copë mish boshnjake, pesë lugë të mëdha me vaj maqedonas, shtatë me erëza malazeze, tri vezë të freskëta kosovare, nuk kishte më vend të zbrazët. Drekën e vendosi në furrën e nxehtë dhe i lëpiu buzët, duke e ditur se me ëndje do ta pastrojë tërë tepsinë, duke e zbarkuar në barkun e vet.
Gjella jugosllave u zhduk për dyzet e katër minuta, tetëmbëdhjetë sekonda dhe dy milisekonda, nëpërmjet sistemit tretës të Totit, ndërsa ai e lagu me një verë cilësore evropiane dhe mori ajër të dendur amerikan, duke e zënë gjumi mbi luftën e groposur. I lëkundur butë nga ledhatimi i palmave përreth, ai përsëri në ëndërr e nxori nga dheu Draganën e vrarë, hanin petulla të lira, pa i pastruar njollat nga grimcat e çokollatës, qeshnin me zë dhe të lumtur dhe vraponin në bregun e detit. Ra qetësia. E vdekur. Pasi Toti e pa se një pafundësi shumë e madhe i vjen ndesh me duar të pastra, i lejoi ta përqafojë dhe saktësisht për pesë minuta, njëzet e shtatë sekonda dhe nëntë milisekonda u zhyt në purgatorin e shpirtit.
Përkthim: Kreshnik Ajdini
Aneta Vellkovska
Aneta Vellkovska ka lindur në vitin 1978. Jeton dhe punon në Shkup. Përvoja profesionale: profesoreshë, gazetare televizive, bibliotekare, shkrimtare. Fituese e çmimeve për poezi, prozë, dramë. Veprat: "Што ја нервира вечноста" (2001), "Дали сите богови се романтични" (2004), "Прв македонски лексикон" (2004), "Втората љубов на каменот" (2009), "Најџиновското џуџе и најџуџестиот џин" (2010), "Лошиот Јин и Добриот Јанг" (2018), "Бескрајна рамка" (2019). Shkruan skenare dramash dhe filmash. Autore është e shumë projekteve multikulturore.
Kontakt: aneta.7.atena@gmail.com, Facebook: Aneta.Velkoska.
ažurirano: 19/09/21