Jeton Musliu

 

Vesh pallton me shpejtësi! Me vetullat e rrudhura e sytë e picërruar, fytyra ia pasqyron edhe më shumë nervozën. Kaloi një natë të çmendur. Shtratit nuk do që t’ia hedhë as sytë!

Nuk do që të shikojë as anash, andej ku mbrëmë pasqyra u thye, e disa fotografi të varura në kornizë, ranë në dysheme.

Ky edhe mund të mos e dijë se çfarë ka ndodhur. Ishte i dehur!

Koka ime, pa dashje, është autore dhe dëshmitare!

Prapa fytyrës së tij të ngrysur, fshihet pezmi i një fëmije të inatosur.

Atij fëmije që prindërit ia plotësojnë çdo dëshirë, por nuk dëshiron të kënaqet! E, në fund, thyen çfarëdo që gjen përpara.

Me nervat tel, po mundohet të niset në punë. Nën pallto veshi xhaketën uniformë, e poshtë saj, këmishën që në të majtë ka stemën e policisë, në të cilën dominon ngjyra e kaltër. Thonë se është ngjyrë meshkujsh, edhe pse e veshin edhe femrat.

Atë ia hekurosa natën e kaluar. Pasi u thye pasqyra e fotografitë në korniza ranë në dysheme!

Tani, nuk po çohem nga shtrati. Jo se nuk dua, por nuk mundëm! Nejse, kjo nuk është hera e parë që nuk po arrij “të mbledh eshtrat e mia”!

Por, më shumë se kockat e trupit, është zemra që nuk më lë të ngrihem.

Qëndroj në shtratin e martesës së para pesë viteve. Kam mbuluar edhe kokën me jorgan, siç bëj shpesh në rastet kur pasqyrën e thyen koka ime, e fotografitë me korniza, i hedh në dysheme.

Ashtu qëndroj për orë të tëra në apartamentin dy dhomash e një kuzhinë në katin e 7-të. Këtu, ku rrezet e diellit e miklojnë dritaren e sallonit ku rri, vetëm dy orë në ditë. Pjesën tjetër, ndalen nga ndërtesa përballë që nuk është larg veç disa metra.

Prandaj, rri në shtrat, me flokët e harlisura dhunshëm, me njërën pjesë të fytyrës së që më puthitet me dyshek, e anën tjetër, e mbuloj me duart e mia.

Jam nën jorgan! E zgjuar, por nuk bëzaj. Nuk dua të dukem se jam zgjuar!

Por, dëgjoj lëvizjet në dhomë që bën burri im…i thënçin burrë!

Rri pa folur e lëvizur. Përpiqem të gjej paqe me heshtjen time!

Ai vazhdon të sorollatet në dhomë e lëvizë si i çmendur.

Lëvizjet e tij i ngjasojnë kërcimit të trupit të pulës pa kokë, atëherë kur si fëmijë, shkoja te gjyshja në fshat. Gëzimin për mua, ajo e manifestonte me sakrifikimin e një shpirti. Kur i binte me sëpatë qafës së pulës, koka i fluturonte tutje, gjaku shpërthente curril, e trupi i kërcente poshtë e lart. Gosti gjaku!

Si e vogël, mendoja se edhe pula gëzohej për mua. Se pas “shfaqjes” koka do të gjente prapë trupin dhe gjërat do të ishin njësoj.

Nejse! Derisa e kuptova të vërtetën, shumë pula “ishin gëzuar” për mua!

Në fillim ishte dëshpëruese, por më vonë u mësova të jetoj me këtë ndjenjë!

Parimin “të mësohem”, vendosa ta zbatoj edhe me burrin.

Herë pas here, e shikoj vjedhurazi nga një qoshe e palës së jorganit.

Është gjithë vrer! I vendos dorezat e zeza për t’u mbrojtur atje jashtë, nga i ftohti i vjeshtës së saponisur.

Nuk flasim që nga nata e kaluar. Nejse, nuk është se flasim aq as netëve të tjera.

Në tërë këtë paradoks, nuk ka asgjë të veçantë. Kështu ka ndodhur edhe më parë!

Javë më parë, darka e përgatitur, jo sipas shijes së tij.

Një herë se i kërkova të dalë me fqinjën për një kafe.

“E çfarë fqinje?, më pati thënë shkurti. “Me këtë prostitutën?”

Lista e arsyeve nga të cilat unë duhet të rri kështu e shtrirë nga dhembjet e trupit, sikur nuk mbarojnë kurrë.

Ato nisën që para pesë vjetëve, kur u martova me dasmë shqiptare, siç jam edhe vetë, të mbushur me salltanete.

Është djalë i vetëm e për martesën duhej të merrnin vesh sa më shumë njerëz.

Më e mira, ishte polic!

“Do të jem grua polici”, pata menduar. “Do të jem e mbrojtur“.

Eh, sa herë i kam rënë vetës me grushte kokës në këto pesë vjet, për mendimet që kisha. Sa torollake!

Më vonë grushte vetes i kam rënë edhe për këngët që mi patën kënduar në dasmë. Më krahasonin me diell e hënë. Madje, kështu më përshkruante edhe ky, atëherë i dashuri, më vonë burri e tani i urryeri im. Ishim njoftuar në një bar. Ishte i gjatë dhe zeshkan. I tillë mbeti. Vetëm se nuk e dija se ndryshe nga ngjyra e lëkurës, shpirtin e kishte katran të zi. E gjitha pati nisur nga ofrimi i një pije.

Tani kur e mendoj, e gjitha më duket si teatër. Madje me nivel të lartë përgatitjeje.

Nuk do ta mendoja kurrë se nga e nesërmja, kur muzika mbaroi e gostisë së dasmës i erdhi fundi, hëna që më krahasonin, do të zhduket, e diellit të cilit unë me bukuri, një ditë më parë ia ndalja rrezet, për mua më nuk do të lindte.

Me vellon e varur në dhomë, vara edhe të ardhmen time.

Polici që duhej të shpëtonte njerëzit, nisi ta vrasë shpresën time për jetë të lumtur.

Sa do të doja të mos e kisha pranuar atë pije në bar!

Pesë vjet nga dasmorët që mbllaçitnin mishin, ngërdheshjet e tyre pa ndonjë arsye, por që bënin se ishin të lumtur për mua dhe fatin tim, e muzikën në kupë të qiellit, tani edhe më e madhe është britma ime nga brenda.

Sa herë i kam lakmuar hajdutit. Ai vjedh, por ndoshta mund të ikë!

Sa do të doja të isha e tillë. Hajdute. Të ikja! Të arratisesha. Nuk duroj më të jem preja e tij!

Por, jo! Ku të shkoj? Jam përgjithmonë karrem. Jam e zënë në kurth.

Në dasmë, veç një byzylyku e një zarfi me ca para sa për të ngrënë një drekë, familja nuk më dha asgjë. Është e thjeshtë. Jam vajzë!

Jam e mallkuar. Tradita më ka mallkuar. E kur iu pëlqen, njerëzit adhurojnë të bartin traditën brez pas brezi. Qoftë ky edhe mallkim.

Më thanë se pasuri do të gjesh te burri. – Gjeta dhunues me petkun e ligjit.

Prandaj, zgjidhja e vetme që kam është mbulimi i kokës me jorgan.

Ndoshta jorgani më shëron të nxirat në trup, nga e grushtet e një nate më parë.

Këmisha e hekurosur që sapo kopsiti është arsyeja e shenjave në trupin tim. Këmisha është ligji dhe forca ndaj së cilës duhet të dorëzohem.

Këmishë, është dëshmitare e pagojë, që nuk mund të ngrihem as këtë mëngjes.

Harresën e mendjes për ta hekurosur, e paguan koka dhe trupi im.

Ai tani po nxiton. Sorollatet nëpër dhomë e apartament. Kërkon pistoletën e shërbimit. Murmurit nëpër dhëmbë. E kuptoj se po shanë!

Kam mësuar çfarë thotë edhe kur fjalët nuk i thotë të plota.

Papritur, me nervat e harlisura, godet murin në anën e djathtë të dhomës. Andej ku i bie të jetë dhoma e fqinjës, që ky e quan “prostitutë”!

I skuqur në fytyrë, i nervozuar, bërtet: “Mjaft se më çmende”. Përveç tij, askush nuk thotë se ajo është prostitutë. Vajza është rreth të tridhjetave, me baba shqiptar e nënë boshnjake nga Prizreni.

Jeton vetëm në Prishtinë, punon dhe vishet me stil. Kënaqet në mbrëmje me shoqet e këndon në mëngjes para se të niset për në punë.

Sa shumë e dua jetën e saj, derisa vetë jam e lidhur në këtë shtrat tek i cili gjej ngushëllim. Nga lëmshi i mbledhur në fyt, faqet më ngrohen nga lotët e zëri nuk më del. Por, kot, as ata nuk më shpëtojnë nga kjo greminë. Liria ime vërtitet nën këtë jorgan.

Ai vazhdon të shajë “prostitutën”, jetën, mua dhe gjithë botën.

Me nervat tel, nuk po gjen pistoletën. Nuk e di se ku e ka lënë, apo e ka humbur. Mbrëmë erdhi i dehur, ashtu siç ndodh shpesh. Pi sa nuk i çahet barku!

Nuk lë vend pa kontrolluar, bashkë me rrapëllimën, shanë e mallkon.

Nuk lëvizi! Papritur, kthehet në dhomë. “Çohu, bushtër, ma gjej pistoletën”, ulërin e më heq jorganin-lirinë time!

“Ku di unë?- i them me gjysmë zëri. Pa mbaruar fjalinë, më kap për krahun tim të majtë, të nxirë nga goditjet e një nate më parë.

“Ti më ke parë se ku e kam lënë”, thotë dhe ende pa mbaruar, më tërheq zvarrë, aq sa nuk kam kohë që këmbët t’i zhvendos nga shtrati në dysheme.

Në disa sekonda, ndodhem e shtrirë në dysheme. Mezi mbledh fuqinë, çohem dhe eci drejt shtratit. Sërish kërkoj lirinë time, aty nën jorgan.

Shtrihem si pa kokë dhe mbulohem. Dëgjoj frymëmarrjen e tij sikur do të japë shpirt dhe tre hapat e shpejtë që vijnë drejt meje.

Ndjej shkundjen e shtratit. Nga goja pa një dhëmb në mes në nofullën e poshtme, vazhdojnë t’i dalin sharjet.

Mbi fytyrën time ndiej peshën e duarve të tij me dorezat e zeza, e jorgani, liria ime, nis të bëhet varri im. Filloj të mos mund të marrë frymë.

Sado që përpiqem nuk mund ta bëj. Mushkëritë duan ajër. Filloj që me duar të kërkoj frymë. I nxjerr nga poshtë jorganit dhe prek kokën e tij mbi mua.

Jorgani, liria ime, po më mbyt. Ai e ka bllokuar në të dyja anët.

Prek fytyrën e tij. Mendimi i shpejtë se ndoshta kjo është gjëja e fundit që do të prek në këtë jetë, më tmerron. Godas shtratin me grushte, me aq fuqi që kam.

Arrij të largoj duart e tij. Jorganin e hedh tutje dhe mezi mbushëm me frymë. Mushkëritë duan ajër. Janë në limitin e tyre. Sytë më janë hapur sa nuk më dalin vendit. Gjoksi shkon lart e poshtë dhe kërcen më shumë se pula së cilës gjyshja ia këpuste kokën. Mushkëritë duan ajër dhe thithin pa pushim. Shoh rrotull. Jam e vetme, ulur në shtrat.

Papritur dëgjoj një zë që vjen si i mekur nga muri në krahun e djathtë të dhomës. Është fqinja ime që si zakonisht, para nisjes për në punë, këndon me zë të lartë.

Shoh orën, është 6 e 45. Koha për të ikur në punë!

Zot, çfarë makthi. Ishte ëndërr! Ngrihem me vrap. Në orën 7:00, si zakonisht shkoj me fqinjën në punë. Shesim bileta avionësh. E kam edhe shoqe. Njëra-tjetrës i tregojmë shumë gjëra. Këtë mëngjes, do t’i rrëfej se burri në ëndrrën time makth atë e quan prostitutë. Do të qeshim! Por, do ta falënderoj që këndon çdo mëngjes. Sidomos sot! Këtë makth do t’ua tregoj dhe prindërve kur t’i vizitoj në fundjavë. Do t’i falënderoj që pasurinë që ma ndanë edhe mua sikurse dy vëllezërve të mi. Mendimet mi ndërprenë mesazhi në telefon i “prostitutës”.

“Për 10 minuta të pres te ashensori”. Mendoj, “sa me fat që jam!”

 

 

  Jeton Musliu

Jeton Musliu (1980) është diplomuar për Gazetari/Komunikim Masiv në Prishtinë. Gjithashtu ka MA për Mediat Elektronike. Ka punuar për mediume të shkruara dhe elektronike në vend, rajon dhe Evropë. Është fitues i shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare në gazetarinë hulumtuese. Në vitin 2009 është shpallur ‘Gazetari i Vitit’ në Kosovë. Aktualisht është redaktor i lajmeve në Radiotelevizionin Publik të Kosovës (RTK). Ka dëshirë të shkruajë, por jo guximin t’i publikojë. Tregimi i shkurtër për Biber në fushën e letërsisë është i pari për të cilin ka arritur ta bindë veten që ta dërgojë për botim.
Kontakt: jeton.musliu@live.com, FB @jetonmmusliu, Instagram @jetonmmusliu/ jmm_rks, Linkedin Jeton M Musliu, X Jeton Musliu

 

 

ažurirano: 13/03/25