Edis Galushi

 

 

„Romët e dinë mirë se si duken pushtuesit, për atë edhe kurrë nuk i lakmuan“
Anonim

 

Edhe sot iu afrua këpucëve që kurrë nuk i fshiu, edhe pse ishte pastrues këpucësh. Në sëndukun e tij i fshehu tregimet që shëruan plagë por që lanë gjurmë të përjetshme. Dellthani tani e di mirë çdo vrimë të qytetit por edhe i gjithë qyteti e njeh atë. Këtë famë e fitoi falë shumëllojshmërisë gjuhësore që e ka, edhe pse çdo ditë e mallkoi këtë veti të tij sepse, ajo kurrë nuk u çmua si vlerë, dhe ai kurrë nuk u trajtua si njeri i mençur dhe i vyeshëm. Mençuria ashtu se ashtu kurrë nuk është përkufizuar siç duhet. Dikush thotë se mençuri është të jesh guximtar dhe ta thuash gjënë e duhur në kohën e gabuar. Dikush mençurinë e trajton si hyjnore për atë edhe nuk rrezikon ta përkufizoj. Pak i mençur e pak budalla, ndonjëherë guximtar ndonjëherë frikacak –  Dellthani mbijetoi nën mundimet dhe keqtrajtimet nga pushtuesit e ndryshëm, dhe prapë mbeti ai që edhe sot është, vegël dhe strehim për pushtetarët të cilët gjithnjë e poshtëruan. Sot, po i afrohet sëndukut dhe po i mallkon tregimet që e mbushën atë, ani pse përmbi shihen të ekspozuara vetëm furça dhe ca ngjyra këpucësh, ky sënduk për Dellthanin është sakrifica dhe jeta e tij. Ky sënduk është mençuria e tij, ashtu si vetëm ai di ta përkufizoj.

Nuk i pëlqente leximi asnjëherë. Librat i ka të shpërndara gjithandej dhe po i shikon pak me ëndje e pak me urrejtje. Me ëndje sepse brenda tyre është e fshehur ajo „mençuri“ e paarritshme të cilën e lakmoi gjithkush. Në këta libra me „mençuri“ i është shtrembëruar emri i Dellthanit i cili është portretizuar si njeri i pabesë dhe i pavlerë. Për atë, shpesh i shikon librat edhe me urrejtje sepse asnjëherë nuk është pyetur për përmbajtjen e secilit libër që protagonistët kryesorë patën romët e viktimizuar. Librat e tillë mbeten pjesë e historisë, ndërsa emri i Dellthanit i shtrembëruar dhe i shpjeguar sipas mençurisë së të tjerëve. Në këta libra përmenden heronj të ndryshëm të cilëve Dellthani kurrë nuk u pati lakmi sepse e dinte se kush me të vërtetë ishin ata njerëz. Disave prej tyre iu fshiu këpucët apo edhe u bëri muzikë, disave edhe u punoi rroba mbrojtëse nga hekuri. Perandorë dhe njerëz të ndryshëm me fuqi kaluan nëpër duart e tij dhe asnjëherë nuk e përmendën në librat e vet. Edhe nëse e përmendën, ishte vetëm si shifër dhe asnjëherë me emër-mbiemër, për atë edhe Dellthanit nuk i pëlqen shumë leximi, ani pse librat janë të shpërndarë në dhomën e tij.

Kolltuku ku ai rri është i vjetër.

Net me ikje, habi, akuza dhe tradhti. Pikërisht në atë kolltuk ulet çdo natë dhe kujton netët kur kthehej në shtëpi nga vendet plot zhurmë. Tingulli „tik-tak“ që dëgjohet nga ora e varur në mur, që për shumicën është iritues, atë po e qetëson. Ai ritëm që po dëgjohet po e fut në mendime të thella ku takohen kujtimet dhe frika.

Dellthani bënte muzikë kudo që e thirrnin. Kudo që „të mençurit“ dëshironin ta kalonin një natë të paharrueshme. Bënte muzikë nëpër shtëpitë e tyre duke parë se si po e harrojnë edhe vetveten dhe e thirrnin njëri-tjetrin me emra të çuditshëm. Shpesh bënte muzikë nëpër vende të mbyllura, aty ku vinin njerëz me pallto dhe shpesh nuk e njihnin njëri-tjetrin. Ato vende plot tym dhe pije të cilat Dellthani as që kishte dëgjuar për ta, ishin shpesh vendet ku edhe e zinte gjumi. Çdo këngë të cilën e komponoi aty për aty përmbante mall dhe dëshprim. Përmes akordeve i këndoi jetës e cila ishte e pamëshirshme ndaj tij. Ndonjëherë i binin në mend fëmijët. I paramendonte në një vend të hapur, plot gëzim dhe buzëqeshje. Ai shikim engjëllor…

Netët ishin të gjata nëpër vendet ku ai luante herë kitarë, herë violinë, herë fizarmonikë apo çfarëdo instrumenti tjetër që i kërkonin të mençurit. Nuk guxonte të thoshte se nuk dinte të luante ndonjë instrument sepse për ta, ai „muzikën e kishte në gjak“, ai, sipas tyre, është krijuar vetëm për t`i argëtuar të tjerët dhe asgjë tjetër. Varësisht nga vendi, ai duhej të fliste dhe të këndonte në gjuhë të ndryshme. Nuk guxonte të mos i dinte këngët, sepse ai „muzikën e kishte në gjak“.

Duke e shikuar violinën e tij të vjetër në të cilën nuk ka më tela, po i kujton netët kur është fyer me emra të ndryshëm, netët kur ai nuk guxonte të thoshte „jam lodhur“ dhe përsëri mbeti budalla.

Dhoma ku gjendet kolltuku i tij, në të cilin ulet dhe mendon për të kaluarën, është e mbushur me vegla të ndryshme. Disa të vjetra e disa të reja. Në anën e majtë të dhomës janë disa vegla hekuri që i mban si kujtim nga babai i vet. Si fëmijë, ai është dashur ta mësonte zejen e farkëtarisë sepse „ashtu mbesim gjallë“ – i kujtohet duke i thënë babai i tij. I kujton ditët kur punonin me babanë deri në mëngjes sepse nuk dihej kur do të vinin „të tjerët“ për t`i marrë veglat të cilat babai i tij i punoi me shumë dashuri dhe plot art. Puna e babait të tij kurrë nuk është trajtuar si vlerë.

Llogoret janë vendet të cilat po shtohen secilën ditë. Emrat e njerëzve po harrohen, ndërsa Dellthani po e dëgjon heshtjen. Po e humb besimin edhe në vetvete sepse kurrë nuk është çmuar si njeri. I kapluar në vetmi po e fshin pluhurin nga dritarja e cila rrallëherë është zbukuruar me ndonjë perde. Dhoma ku ai i kalon netët nën kujtime mbeti e zbehtë dhe rrallëherë e ndriçuar. Asnjëherë nuk ka ditur të flasë bindshëm, fjalët i humbnin në gojë kurdo që pyetej për fajin e të tjerëve. I hutuar mes frymëmarrjes dhe fjalës, e humbi besimin edhe në shikimin dhe dëgjimin e tij, sepse gjithmonë duhej të jetonte sikur nuk shikoi dhe nuk dëgjoi asgjë, dhe besimin e humbur kurrë nuk arriti ta kthente.

Dellthani u rrit sikur të ishte pa nënë, edhe pse ajo me trup ekzistoi. Rrobat e saj po i mban ende të varura mbi mur. Nëna e tij duhej për çdo ditë të zgjohej në mëngjes (herët në mëngjes), të përgatiste atë çfarë kishin për të ngrënë dhe ashtu e mbështjellur gjithandej të shkonte t`i pastronte shtëpitë e të tjerëve. Ende po i kujtohen fjalët:

„Nakhava pi buti. Tu ma bistar te phane o vudar!“ (përkth. „Po shkoj në punë. Ti mos harro ta mbyllësh derën“).

Zëri i nënës së tij e përcjell në çdo hap, ani pse ajo për të tjerët mbeti vetëm shifër e harruar diku në arkiv. Ndoshta edhe mbeti e pa regjistruar. Si fëmijë ai nuk i kuptonte tregimet e nënës së vet. Shpesh e shihte si qante dhe nuk e kuptonte përse. Kryesisht lotët i dilnin ditëve kur dëbohej nga shtëpitë ku ajo pastronte. Shpesh fajësohej për diçka që kurrë nuk e kishte bërë. Nënën e tij e thirrën me emra të ndryshëm por kurrë me emrin e saj të vërtetë – Lulugjiana.

Dellthani kurrë nuk krijoi familje sepse i frikësohej përsëritjes së historisë. Kishte frikë se edhe ata do të rreshtoheshin para mureve ku do bëhej ndarja në mes të burrave dhe grave, fëmijëve dhe pleqve. Shpesh, me ndihmën e shkallëve që përpara i përdorte për „molerllëk“ e zbret nga muri fotografinë të cilën e ruajti me ëndje. Në të nuk ka njerëz, ka vetëm vegla dhe gjëra të rëndësishme për Dellthanin. Në të shihen ca vegla të punuara nga hekuri, instrumente muzikore, nga ana e djathtë shihen rrobat e nënës së tij, libra të grisur, sënduku i këpucëve, afër tyre litarët shumëngjyrësh të punuar me dorë dhe shkallët e vjetra të cilat i përdorte kur punonte si bojaxhi. Kjo fotografi, në fakt, e pasqyron dhomën e Dellthanit. Vendi ku ai ruajti me ëndje çdo të mirë që ai dhe mbarë farefisi i tij ia dhanë shoqërisë, por kjo fotografi asnjëherë nuk u  ekspozua ashtu siç ishte. Gjithmonë iu shtua një pëlhurë e zezë, e llojit të atyre që ta humbë shikimin, vetëm e vetëm që mos të lejojë që kjo fotografi të shohë „dritë me sy“.

Këtë mëngjes doli më vonë në vendin e zakontë, sepse të dielave nuk kishte shumë punë. Mëngjesin e së dielës e shfrytëzonte për pastrimin e sëndukut dhe nuk priste shumë fitim nga ajo ditë.

„Është interesante se si jetoni ju“. Iu drejtua Dellthanit një njeri derisa e vendosi këmbën përmbi sënduk me një buzëqëshje të lehtë, por ironike.

„Si medon se jetojmë ne? Ia ktheu Dellthani, duke filluar t`ia pastronte këpucët.

„Sot-për-sot, nuk mendoni shumë për nesër“ ia ktheu ai.

„Kur e nesërmja nuk varet nga ti atëherë mundohesh ta jetosh vetëm ditën që e ke përpara. Neve na është ndaluar të jemi largpamës sepse të tjerëve u duhemi të tillë. Për të udhëhequr i forti, prapa duhet t`i ketë të dobëtit, për t`iu treguar frikacakëve se sa i fortë është, ndërsa të mençurit gjithmonë vrapojnë pas të fortit“ ia ktheu Dellthani duke marrë ngjyrën e zezë dhe vazhdoi me pastrimin e këpucëve.

„Fati i secilit është në duart e tij. Nga puna e sotit varet çfarë do të shohësh nesër“ iu përgjigj ai.

Dellthani u ndal, e shikoi në sy dhe i tha: „Duart e mia gjithmonë ishin të mbuluara me të zezë. Kjo nuk është se unë dëshirova kështu, por të tjerëve iu duhesha i këtillë. E mira e fatit është se është i shkruar në dorë, për atë unë shpesh e mbaj dorën të mbyllur sepse dëshiroj ta fsheh fatin tim nga të tjerët që mos e përjetoj fatin e njëjtë si të familjes sime. Bashkë me fatin tim, edhe emrat e tyre janë të shkruar në dorën time.“

Pasi dëgjoi këto fjalë, njeriu u largua ndërsa Dellthani mori sëndukun dhe u nis për në shtëpi.

Përsëri nuk i fshiu këpucët e tij, ani pse ishte pastrues këpucësh. Këpucët mbeten të zhytura në hyrje të shtëpisë, aty ku për herë të fundit i zhveshi Dellthani. Sëndukut të tij iu shtua edhe një tregim i hidhur. Dellthani më nuk përmendet nga askush por çdo vrimë e qytetit e njeh atë, ashtu sikurse ai e njihte mirë qytetin e vet. Dellthani mbeti një tregim i harruar dhe i lënë pas dore nga çdo pushtetar i kohës, ashtu sikurse fotografia e dhomës së tij që mbeti e varur mbi mur të cilën askush, asnjëherë nuk e interpretoi si vetë Dellthani.

 

 

 

 

  Edis Galushi

lindi më 6 mars 1989 në Prizren. Deri më sot shkrimet e tij u publikuan nga botues dhe portale vendore dhe ndërkombëtare. Vlen të përmendet kontributi i tij në trashëgiminë e kulturës dhe letërsisë rome përmes poezisë dhe teatrit dhe është ndër autorët e rrallë rom në Kosovë. Nga viti 2007-2014 punoi si gazetar në Radio Televizionin e Kosovës. Studimet themelore për gjuhë dhe letërsi angleze i përfundoi në Kosovë dhe Lituani, ndërsa magjistroi në të njëjtin drejtim në Universitetin e Zagrebit. Aktualisht punon si përkthyes për gjuhën shqipe, angleze dhe rome.
Kontakt: edisgalushi@gmail.com, https://www.facebook.com/eddy.galjusi

 

 

ažurirano: 31/01/20