Marenglen Cano

 

E sollën të prangosur dhe e futën në kafazin e sallës së gjyqit. Pastaj ia liruan duart dhe e lanë vetëm duke mbyllur portën e hekurt që lëshoi një gërvishje, pasojë e mungesës së vaisjes prej personelit teknik.

Në sallë ndodheshin të afërmit e së pandehurës, natyrisht avokati dhe të interesuarit e tjerë, si studentë të fakultetit të drejtësisë, apo dhe gazetarë të mediave, të shtypit dhe atij on line, të shkruar në mënyrë dixhitale.

Rasti ishte paksa i veçantë.

Kjo grua kishte dëmtuar statujën Luftëtari mbi kalë duke ia këputur luftëtarit krahun me të cilin mbante shpatën për t’ua prerë kokat armiqve.

Gazetari me lap-top po vinte në dijeni lexuesit online se gruaja kishte përfituar nga koha e pushimit të skuadrës që merrej me restaurimin e skulpturës. Ajo kishte përdorur shkallën e tyre, kishte rrëmbyer një çekan, ishte ngjitur majë shkallës dhe e kishte bërë copë-copë krahun e skulpturës, e cila mbante shpatën metalike.

Po të kihet parasysh lartësia e statujës, kjo ishte një ndërmarrje e vështirë duke rrezikuar edhe jetën.

Ndërsa po të vlerësohet simbolika e statujës, legjislacioni dhe opinionet, pasojat e rrezikshmërisë bëhen edhe më të mëdha.

Rënia e gongut sinjalizonte fillimin e procesit.

Të gjithë u ngritën në këmbë dhe përsëri u ulën për të dëgjuar.

Më pas gjithçka ishte procedurë rutinë siç bëhet në çdo proces gjyqësor. Kryetari i jurisë gjyqësore dikur kërkoi që e akuzuara të jepte shpjegimet e saj.

„Këtë krah prej allçie që mban të shtrënguar shpatën e preva unë.“

E pandehura drejtoi dorën drejt tavolinës së madhe ku ishte vendosur krahu i prerë prej allçie që shtrëngonte në dorë shpatën metalike.

„Do të doja që ta shkërmoqja tërë statujën po kaq mundësi pata. Të paktën e çarmatosa atë, luftëtarin mbi kalë.

Ju e dini, ndoshta e keni të shkruar në dosjet që keni përpara.

Unë jam një grua e ve që burrin dhe djalin m’i kanë vrarë në luftërat e bëra në emër të shteteve, apo kombeve.

Ushtarët që janë vërsulur mbi ta janë nisur nga sheshi i Luftëtarit mbi kalë.

Betimet dhe paradat, frymëzimi i ushtarëve nëpër ceremonitë kanë pasur si simbol shpatën, e cila shërben për t’u prerë kokat…

Kujt?

A mundet një qytet i tërë të quhet i lirë kur pothuajse gjysma e banorëve është në zi dhe mbi kokat e tyre qëndron e ngritur shpata?

Në këtë shesh këto ditë po përgatitet një podium.

Marangozë, bojaxhinj, punonjës të skenës po përgatisin gjithçka që artistët e qytetit tonë nën shpatën e ngritur të shpalosin artin muzikor, koreografinë e valleve tona, të recitohen vargje të poetëve dhe të interpretohen drama të shkrimtarëve tanë…

Dhe gjithçka nën vringëllimën e shpatës.

Kjo na frikëson ne, gratë të veja!

Kjo tremb jetimët, por edhe prindërit e mbetur pa fëmijë!

Kjo është një eufori e dhimbshme, një ironi dhe sarkazëm që duhet të marrë fund…!

„Mjaft!Mjaft!“

Nga mesi i sallës një burrë i moshuar kishte brofur në këmbë dhe po drejtohej drejt jurisë gjyqësore.

„Unë jam…“, shqiptoi emrin dhe mbiemrin e vet.

„Unë jam skulptor i Luftëtarit mbi kalë dhe dua t’i drejtohem Zonjës…“

E kishte fjalën për të akuzuarën.

Duke parë që juria as nuk e aprovonte dhe as nuk e kundërshtonte kërkesën, skulptori iu drejtua kafazit dhe kur u gjend ballë për ballë me gruan ra në gjunjë duke u mbajtur pas hekurave të kafazit.

„Zonjë! Të kërkoj falje për vuajtjet që të ka shkaktuar vepra ime. Talenti im është keqpërdorur dhe unë për këtë kam ndjerë vuajtje, por nuk kam pasur guxim dhe forcë të dal mbi vetveten.“

Vazhdonte të belbëzonte fjalë që nuk arrinin deri te pjesëmarrësit, ishte një rrëfim për sakrificat e bëra për realizimin e veprës, ishte një revoltë e brendshme që po shpërthente për abuzimet me talentin e tij të përdorur si sfond të krimeve të shëmtuara.

Vetëm nga fundi e ngriti zërin:

„Të faleminderit për ndihmën që më dhe.

Ti bëre një zgjidhje jo vetëm për qytetin tonë, por të domosdoshme për të tërë trevat tona ballkanike, ku skulpturat dhe monumentet i kanë të drejtuara shpatat, ushtat, shigjetat, automatikët ndaj njëra tjetrës!

Përrallat dhe legjendat, librat letrarë e artistikë i gjejnë ende personazhet negative te fqinjët. Luftërat ende nuk kanë mbaruar.

Imazhet artistike e kulturore të ashpërsisë së tyre, ashtu si kometat, të cilat kanë vite që janë djegur, vazhdojnë aty këtu ende të ndriçojnë.“

Dhe duke iu drejtuar jurisë përfundoi:

„Duhen çarmatosur statujat dhe jo vetëm ato…!“

 

Trupi gjykues u tërhoq për t’u konsultuar. Të afërmit dhe të njohurit e asaj gruaje ishin afruar pranë kafazit duke krijuar një gjysmë rrethi.

Një student mundohej të dërgonte mesazhe nëpërmjet celularit,

ndërsa gazetari me lap top u komunikonte lexuesve on line situatën brenda sallës së gjyqit:

„Pavarësisht se si do të vendosë juria, ky gjyq nuk mbaron këtu.

Salla e tij do të përfshijë gjithë hartën ballkanike ku pendimi dhe falja do të jenë një çift fantazmë që do të përshkojnë zemra e mendje njerëzish përpara se një brez i ri me gjenin shoqëror të unifikuar të ripopullojë gadishullin.

Edhe trasmetimi ynë nuk përfundon këtu. Është mundësia e shtypit online t’i shndërrojë lexuesit në personazhe dhe bashkëautorë.

Pas mbylljes edhe të faqes së fundit të këtij trasmetimi online, që i ngjan nje tregimi të shkurtër, lidhuni me Facebook-un në web-faqen tonë ku mund të jeni pjesëmarrës, apo vëzhgues të pendesë-faljes ballkanike.“

 

 

  Marenglen Cano

Marenglen Cano u lind më 31 Gusht 1948 në rrethin e Sarandës në Shqipëri. Ka shërbyer në Aviacionin Ushtarak të Shqipërisë për gati tridhjetë vjet në mirëmbajtjen e teknikës luftarake. Aktualisht është pensionist në emigracion. Kontakt: marenglen@hotmail.it

 

 

ažurirano: 01/02/20