Bojan Krivokapiq

 

 

Ndërsa afrohet mbrëmja, unë nisem drejt bregut. Në palltën e rëndë ngjyrë hiri, me esharp të zi dhe kapelë të kuqe, me hapa gjigantë shkoj drejt lumit i cili thuajse çdo çast do të vërshojë. E nëse ndodh kjo, do të detyrohemi të jetojmë në barka, që mbase nuk është dhe aq keq; ato barka gjithsesi në jetë do të na sillnin një dinamikë krejt të re. Po e përfytyroj një jetë të tillë dhe kjo po më ngazëllen.

Bregu i madh është vendi im.

Fjalët e himnit gjithnjë e më shumë më trishtojnë. Sidomos tek ajo pjesë ku përmenden lumenjtë e mi, Sava dhe Drava, e para buzë të cilit në fëmijëri hanim fish-paprikash dhe i dyti në të cilin njerëzit një vjeshtë, të tronditur me vdekjen e një këngëtari të njohur, hidhnin lule. Mua vdekja e atij këngëtari nuk më shkundi nga themelet, edhe pse e dija këngën e tij më të njohur, e atë e dinte edhe nëna ime e cila madje shpesh edhe e këndonte. Që kur e ndërpreu ngjyrosjen e flokëve, nëna ime pushoi së kënduari atë këngë. Do të doja që në himne të mos përmendeshin disa vende të strukura e të buta, sepse himnet s’dijnë ç’të bëjnë me vende të tilla.

Kur kthehem nga bregu ngadalësoj hapin dhe mendoj për nënën time e cila tash e sa vjet gdhihet dhe ngryset në një azil të vogël pleqsh. Kur ende kishim për çfarë të bisedonim më tregonte se e kishte një fletore ku shkruante se cili nga bashkëbanorët e saj kishte vdekur. Evidencat i mban me saktësi, sipas javëve. Njëherë më pati thënë se më së shumti i frikësohej muajit të dytë dhe të tetë, ngaqë atëherë vdekja merr hov, dhe dhomat në azil rrallohen. Veç të mos vdes në ato muaj, ma përsëriste deri në pambarim. E unë i buzëqeshja ëmbëlsisht duke mos i kthyer asnjë përgjigje. Tash e sa vite ajo më nuk e ka atë fletore speciale për regjistrimin e atyre që nuk janë më. Tash e sa vite nëna ime shikon nga dritarja e dhomës së vet dhe përsërit: Të-kam-da-shur! Të-kam-da-shur! Apo: Lu-mi-plot-nje-rëz! Lu-mi-plot-nje-rëz! Mjeku thotë se në atë moshë kjo është normale, kjo përsëritje, dhe se quhet ekolalia. Doja ta pyesja se ç’është normale me faktin se nëna ime përsërit me zë disa fjali të njëjta dita-ditës, dhe ç’do të thoshte kjo, dhe se ai si mjek do të duhej të kishte pakëz kujdes për atë që thotë, sidomos për fjalën normale. Por pamja e mjekut është aq e fryrë dhe e ngathët saqë nuk kisha vullnet as ta hapja gojën, e lëre më t’i shpjegoja se çfarë dhe përse mendoj ashtu. Nëna juaj është si fëmijë, më tha ndërsa dilja nga ordinanca. Nuk është, është nëntëdhjetë vjeçe, i thashë dhe mbylla derën.

Nëna ime është nëntëdhjetë vjeçe, trupi i saj është asht e lëkurë, lëkura e zbehtë, gati e tejdukshme, e nëpër kokë i fluturojnë zogëzat. Nganjëherë i fluturon edhe korbi i madh i zi. Atëherë bebëzat i hapen, i hapen edhe pëllëmbët, në ato çaste nëna ime do të thoshte gjithçka që mbante në shpirt, do t’i thoshte të gjitha të vërtetat e mëdha dhe disa më të vogla, të më tregonte gjithçka, çdo gjë që dinte dhe që unë duhej të dija, të ndante me mua sekretet e saj – por në vend të krejt kësaj, ajo niste të bërtiste: Lu-mi-plot-nje-rëz! Lu-mi-plot-nje-rëz! Nganjëherë i bashkëngjitem, dhe të dyja bërtasim sa kemi fuqinë derisa vjen motra, na pret me shikim dhe pastaj heshtim.

Si e vogël, nëna ime kishte parë trupa ndërsa notonin mbi lumë. Trupa njerëzish notonin tatëpjetë, ca më ngadalë, ca më shpejt, e ca ndaleshin te trungjet apo degët. Një herë mezi u përmbajt të merrte një shkop të madh dhe ta shtynte njërin që ishte ndalur. Ai trup ishte i kthyer me fytyrë nga lumi, e që mbase është mirë, ngaqë po ta kishte parë ai sigurisht do ta kishte përndjekur, ajo fytyrë sigurisht nuk do t’i kishte dhënë prehje sa të ishte jeta. Kështu, pa vetëm qafën. Nuk e di në ishte mashkull ose femër, as sa vjeç mund të ishte, thotë nëna ime një verë buzë lumit, shumë vite pasi kishte mbaruar lufta.

Kur isha e vogël, vizatoja zogëza. Kurrë nuk e kam pyetur ç’janë këto zogëza, si quhen. Të gjitha ishin të vogla dhe të larmishme. Unë i kopjoja, shpejt dhe pa u futur në detaje, dhe pastaj i ngjitnim nëpër dhomë e kuzhinë. Kur mendoj për fëmijërinë, më kujtohet nëna dhe vetja mes të gjitha atyre zogëzave. Mbase e vetmja gjë për të cilën më vjen keq që nuk kam vajzë është kjo – t’ia vizatoj atë ngazëllim të larmishëm. Ato vizatime nga fëmijëria i kam ruajtur. Nganjëherë hap kutinë e madhe t’i shikoj. I lë të fluturojnë vërdallë. Nganjëherë në dhomë dëgjohet cicërrima.

Ndërsa qëndroj buzë lumit i lë mendimet e zorshme të ikin. Mbyll sytë dhe i përcjell një nga një. Nganjëherë në fytyrë ndiej lotë, sikur atë dimër kur qëndroja buzë liqenit Wannsee, e lotët kurrsesi të ngriheshin. Atë dimër gjithçka ishte mirë, e përsërisnim këtë. Unë isha në veri, nëna në jug, lumenjtë mbi të cilët notojnë trupa njerëzish ishin larg nesh. Ca trupa notonin më shpejt, ca më ngadalë. Ca edhe sot e kësaj dite janë në ato lumenj. Presin që ndonjëri të marrë shkopin dhe t’u ndihmojë. Atë dimër ashtu ishim marrë vesh – unë do të shkoja në një anë, ajo në tjetrën, dhe gjithçka do të jetë mirë. Do të jemi sërish bashkë kur të ketë kaluar gjithçka.

Një dimër u bënë tre. Tre të mitë pastaj u trefishuan. Nëna në ndërkohë u kthye, ngaqë gjithçka kishte kaluar. Unë ende rrija buzë liqenit Wannsee dhe derdhja lotë. Brejtja e ndërgjegjes nisi të më hante nga brenda. Jeta m’u kthye në dimër. Vendosa të kthehem.

Kur u ktheva, nuk kaluan as tre vjet dhe nëna duhej të shkonte në azil. Zogëzat në kokën e saj gjithnjë e më shumë po fluturonin. Atje do të ketë kujdesin më të mirë, më thoshin dhe unë nuk kundërshtoja.

Nëse ky lumë vërshon, ai do të marrë me vete të gjitha jetët tona. E përfytyroj se si ngadalë futet nëpër shtëpi, ca i rezistojnë, të kyçura, ca menjëherë i hapin derën dhe dritaret. Lumi merr me vete orenditë dhe njerëzit, heq fotografitë nga muret, hap dollapet nga të cilat derdhen dokumentet e vjetra, boja e zverdhur përzihet me ujin. Nga muret qërohen shtresat, tapetat dhe copëzat e malterit lundërojnë tutje. Muret mbesin të zhveshura, prej tyre dalin rrëfime. Ca shtëpi qajnë në heshtje.

Në lumë do të lundërojnë edhe ata trupa, që më nuk janë trupa por tash janë himera. Do të dalin nga uji e të vallëzojnë mbi ujë. Siluetat e tyre do të shfaqen në mjegull. Ca do t’i njoh, ca do t’më njohin. Ca fytyra do ta kërkojnë nënën time. Njëra me esharpin e mëndafshtë do të niset drejt saj. Nëpër qytet do të derdhet pëshpërima e saj e vazhdueshme: E-ja, E-ja, E-ja. Por nëna ime nuk do të vijë, ajo do të rrijë pezull mbi ujë, e qetë dhe e buzëqeshur. Zogëzat e saj do ta bartin me sqeptha nënën time – rrjetin e marimangës. Flokët e saj të thinjur do të gërshetohen me shelgjet në behar, sytë e saj do të depërtojnë thellë në lumë, ajo do të këndojë: Të-kam-da-shur, Të-kam-da-shur.

Në fund të lumit do ti shohë prindërit e saj, gjysmë shekulli më të rinj se ajo. Ata do t’ia zgjasin dorën, por ajo nuk do t’u hidhet në përqafim. Di gjithçka për jetën e tyre në kamp, krejt jeta e saj ishte veç kjo: kampi në të cilën ata kishin vdekur, përkujtimet, përmendoret. Kësaj radhe ajo do ti lërë ata.

Pak më larg do ta shohë edhe atë. Ditë e mjegullt dimri, aroma e uniformës së tij, pëllëmbët e ashpra. Kërkonte vajzën e saj. Ku është ajo?!, ulërinte. Nëna ime heshtte. Pastaj u shtri mbi të dhe ia hapi këmbët. Shikonte sytë e tij bojë qielli.

Pastaj, me ditë të tëra nëna ime vetëm heshti. Vite më vonë do të vizatonte zogëza dhe do të shikonte pa cak. Kur ta dallojë trupin e tij, nëna do të marrë një degë të madhe dhe do ta shtyjë, le të shkojë.

Shpesh kur e vizitoj në kopshtin e azilit shoh një furgon. E di se brenda është një kufomë. Edhe nënën time do ta vënë rehatshëm në një të tillë. Nuk i rezistoj atij mendimi. Atë ditë nga faqet e mia të zbehta do të rrjedhin ca lot të ngathët, e kori i bashkëbanorëve të saj do të këndojë: Të gjitha zogëzat nga kodra, të gjitha zogëzat nga kodra…

Sot do ta pyes në cilin muaj dëshiron të shkojë.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

  Bojan Krivokapiq

Bojan Krivokapiq (1985) ka botuar: "Trči Lilit, zapinju demoni" (tregime), "Žoharov let" (poezi), "Proleće se na put sprema" (roman) dhe "Gnezdo dečaka" (poezi). Shumë herë është shpërblyer për krijimtari letrare. Për romanin "Proleće se na put sprema" në vitin 2018 mori çmimin Mirko Kovač për veprën më të mirë të autorit të ri në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Kroaci dhe Mal të Zi. Tekstet e tij letrare janë përkthyer në italishte, gjermanishte, hungarishte, shqipe e anglishte. Ai mban punëtori për shkrim kreativ. Jeton në Novi Sad dhe herë pas here në Dubrovnik.
Kontakt: bojankrivokapic.com

 

 

ažurirano: 29/09/21